Ministria e Shëndetësisë: Dy turistët në Shkup nuk janë të prekur me Kovid 19

Desk
By Desk March 5, 2020 19:15

Ministria e Shëndetësisë: Dy turistët në Shkup nuk janë të prekur me Kovid 19

Edhe pse paraditen e kësaj së enjteje u bllokua një hotel në Shkup me dyshimin se dy turistë, njëri nga Singapori dhe tjetri nga Australia, mund të ishin të infektuar me virusin Korona, rezultatet dolën negative. Ata u ankuan e më pas u vërtetua se thjesht janë me grip.

“Dy qytetarë të huaj të cilët janë vendosur në një hotel në qendër të Shkupit kanë informuar se kanë arritur në vendin tonë më 28 shkurt, ndërsa dy ditët e fundit kanë simptoma të gripit. Njëri është shtetas i Australisë, ndërsa tjetri i Singaporit dhe të dy kanë ardhur me fluturimin nga Këlni.”,- deklaroi ministri i shëndetësisë, Venko Filipçe.

Negativ edhe testi i vajzës së pacientes së prekur

Gjatë ditës u bë edhe test kontrollues i pacientes së vetme të prekur me virusin Korona dhe vajzës së saj, me të cilën ajo ka qenë në kontakt dhe ai ka rezultuar negativ. Por, ato do të vazhdojnë të mbeten në izolim nē Klinikën Infektive në Shkup dhe sipas procedurës, testimi do të përsëritet pas 48 orësh. Ministri Filipçe apeloi për kontrolle gjatë hyrjes në vend të të gjithë atyre që duan të kthehen nga Italia tashmë që atje janë mbyllur edhe shkollat për dy javë.

“Ka shtetas të vendit tonë të cilët për shkak të masave të vendosura në Itali, shumë prej tyre nuk shkojnë në punë, prandaj dëshirojnë të kthehen. Konsulli është në kontakt me ta që nëse ka grupe më të mëdha të qytetarëve tanë që duan të kthehen ai do të njoftohet paraprakisht.”,- u shpreh ministri i shëndetësisë, Venko Filipçe.

Në kuadër të masave parandaluese, të gjithë të huajt që vijnë në RMV me SMS porosi do të njoftohen se çfarë të bëjnë nëse kanë simptoma të virusit Korona. Ministria e Shëndetësisë i ka kërkuar qeverisë që mos të mbahen tubime publike deri më 13 mars.

Desk
By Desk March 5, 2020 19:15