Mish qengji i pjekur në kos, sekretet e recetës me shije fantastike

Redaksia Flaka
By Redaksia Flaka 20 Janar, 2020 22:41

Mish qengji i pjekur në kos, sekretet e recetës me shije fantastike

Kjo është një recetë me shije të mrekullueshme por kërkon durimin e amvisave që të përgatitet ashtu siç duhet.

Është një kombinim perfekt i shijes së mishit të pjekur të qengjit dhe kosit të përgatitur në një salcë të thjeshtë por plot shije.

Kjo është një recetë që ja vlen të gatuhet sidomos fundjavave kur amvisat kanë më shumë kohë t’i përkushtohen gatimit.

Ju sjellim më poshtë sekretet e kësaj recete unike, e cila vërtetë do t’ju përfshijë tërësisht me shijen e saj.

Përgatitja e Mishit të Pjekur të Qengjit në Kos

1 kg mish qengji

1 një lugë gjelle gjalpë

Kripë

500 gr kos

2-3 thelpinj hudhra

Majdanoz i freskët

Përgatitja

Si fillim, parangrohni furrën e sobës në 80 gradë celcius.

Më pas, ndani mishin në thela jo të vogla. Kriposeni mirë, vendoseni në një tepsi, shtoni aty copëzat e gjalpit dhe hidhini një gotë e gjysmë me ujë.

Futeni të piqet përreth 4-5 orë derisa mishi të zbutet plotësisht.

Gjatë procesit të pjekjes, mishin njomeni me lëngun e vet herë pas here në mënyrë që të mos thahet.

Ndërkohë, në një tas shtoni kosin, shtoni hudhrat e shtypura dhe pak kripë e piper.

Futini në një mikser ose rrihini me një rrahëse vezësh në mënyrë që masa e kosit të bëhet kremoze.

Pasi mishi të jetë pjekur, në një pjatë vendosni disa lugë nga masa e kremit të kosit me hudhra, spërkateni me pak nga lëngu ku është pjekur mishi dhe më pas vendosni mbi të një nga thelat e mishit të pjekur dhe spërkateni me majdanoz të grirë hollë.

Shoqërohet me sallata të freskëta të stinës, perime të furrës apo në avull por edhe me turshi të ndryshme shtëpie.

Gjithashtu, mund të shoqërohet edhe me patate të pjekura apo spinaq të marinuar në lëng limoni e vaj ulliri.

Këtë recetë mund ta përgatisni edhe me mishin e pulës së pjekur por edhe me mish viçi gjithashtu./agroweb

Redaksia Flaka
By Redaksia Flaka 20 Janar, 2020 22:41