Mickoski: Në zgjedhjet e ardhshme ta bëjmë sërish krenare Maqedoninë, Siljanovska Davkova është zgjedhja e duhur

Driton Zenku
Botuar nga Driton Zenku 5 Prill, 2024 20:45

Mickoski: Në zgjedhjet e ardhshme ta bëjmë sërish krenare Maqedoninë, Siljanovska Davkova është zgjedhja e duhur

Gordana Siljanovska Davkova është zgjedhja e duhur për Maqedoninë, presidente që do ta bëjë Maqedoninë sërish krenare, theksoi lideri i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski në tubimin e sotëm në Vevçan, përcjell FLAKA.

Sipas tij, ajo është një grua-titane, e cila nuk heshti kur heshtën të tjerët.

“Një grua që në karrierën e saj profesionale mbrojti Maqedoninë në mbarë Evropën dhe botën. Një grua që ishte profesoreshë dhe mentore vizitore në universitetet më prestigjioze amerikane dhe kanadeze. Një grua që në Këshillin e Evropës ishte eksperte e politikave në nivel lokal, eksperte e së drejtës kushtetuese dhe e sistemit politik. Një grua e cila kur ishte anëtare e Komisionit të Venecias, mësonte anëtarët e Komisionit të Venecias, të cilët vijnë nga vende të tjera evropiane”, tha Mickoski.

Kryetari i VMRO-DPMNE-së ka theksuar për Vevçancin se në zgjedhjet e ardhshme qytetarët po zgjedhin të ardhmen.

“Ne zgjedhim të ardhmen që meritojmë. Një e ardhme për të qenë krenarë. Nëse jemi të gatshëm ta bëjmë Maqedoninë sërish krenare, atëherë zgjedhja është e qartë, e ajo është Gordana Siljanovska Davkova për presidente të Maqedonisë”, tha Mickoski.

Duke iu referuar qeverisjes aktuale, ai vuri në dukje se shtatë vite më parë premtuan jetë dhe, siç tha ai, sollën vetëm korrupsion, krim, varfëri dhe padrejtësi.

Sipas tij, maqedonasit sot në Maqedoni ndjehen sikur janë qytetarë të dorës së dytë. Por, nënvizoi ai, një ndjenjë e tillë ka ekzistuar edhe te shqiptarët, turqit, romët, boshnjakët, serbët etj.

Karvani i VMRO-DPMNE-së vazhdoi sonte në Strugë, e më pas në Resnjë me prezantimin e kandidates për president Gordana Siljanovska Davkova. FLAKA

Driton Zenku
Botuar nga Driton Zenku 5 Prill, 2024 20:45