Mocion votëbesimi, reagon Abazoviq: Nismëtarët, s’do të mbijetojnë politikisht

Redaksia
Publikuar nga Redaksia 4 Gusht, 2022 20:57

Mocion votëbesimi, reagon Abazoviq: Nismëtarët, s’do të mbijetojnë politikisht

Kryeministri i Malit të Zi, Dritan Abazoviç, ka reaguar sot pas depozitimit të kërkesës nga ana e DPS-së në Kuvend, e cila kërkon votëbesimin e qeverisë. Abazoviç ka deklaruar se nuk e di nëse Qeveria do t’i mbijetojë 19 gushtit, por di se ata që filluan procedurën për votëbesimin nuk do të mbijetojë as politikisht.

“Një pjesë e njerëzve që e nisën procedurën dhe një pjesë e strukturave që e nisin atë procedurë, gjoja duke u fshehur pas Marrëveshjes Themelore, sigurisht që nuk do të mbijetojnë politikisht, qoftë kjo të realizohet më 19 gusht, në disa zgjedhje, në ato lokale në Podgoricë, një pjesë e atyre strukturave sigurisht që nuk do të mbijetojë”, u shpreh kryeministri i Malit të Zi, Dritan Abazoviç.

Ai shtoi se Marrëveshja Themelore është nënshkruar pa prezencën e mediave sepse Kisha Ortodokse Serbe ka kërkuar që ajo të bëhet në heshtje në rezidencën shtetërore.

Ai theksoi se nuk e dinte që nënshkrimi do të bëhej më 3 gusht dhe se nuk është nënshkruar fshehurazi, por se ky është perceptimi i disa mediave. Pakënaqësia kulmoi një ditë më parë pas nënshkrimit të marrëveshjes me Kishën Ortodokse Serbe.

Dritan Abazoviç ishte politikani i parë në rajon që i bëri mbledhjet e qeverisë transparente për publikun, por firmosja në fshehtësi e një marrëveshjeje kaq të kontestueshme, si kjo me Kishën Ortodokse dhe Serbe, bëri që ai të cilësohet tradhëtar i kombit.

36 deputetë kanë paraqitur në procedurë parlamentare mocionin për shkarkimin e Abazoviç nga posti i kryeministrit. Për rrëzimin e qeverisë kërkohet shumica prej 41 deputetësh, partive iniciuese të mocionit të mosbesimit, ju duhet të sigurojnë aktualisht edhe votat e të paktën pesë deputetëve të tjerë.

Redaksia
Publikuar nga Redaksia 4 Gusht, 2022 20:57