Modeli zgjedhor, BDI: 6 njësi, pasqyrim real i popullsisë

Partitë politike shqiptare me zotim të njëjtë por propozime ndryshe për modelin e ri zgjedhor. Edhe pse thonë se modeli i ri zgjedhor duhet të sigurojë përfaqësim adekuat të peshës etnike, ato nuk heqin dorë nga propozimet e vjetra. Në emisionin Argument në TVM2, integristët thirren në modelin aktual prej gjashtë njësish, i cili sipas tyre reflekton më së miri strukturën demografike të shtetit, ndërkaq refuzojnë propozimin e LSDM-së për një njësi.
“Gjashtë njësi zgjedhore, mendoj se e pasqyron mirë gjeografinë dhe strukturën heterogjene të shoqërisë në Maqedoni, por edhe në qoftë se ka ndonjë lëvizje dhe këto lëvizjet tjera pritet që të dalin diku kah mesi i majit, sepse akoma nuk janë gati, insistojmë që të jetë pasqyrim i realët i popullsisë në RM-së dhe në këtë drejtim vlen që të përmendet se modeli një njësi e vetme zgjedhore është jashtëzakonisht e dëmshme për të gjitha partitë politike shqiptare dhe nuk vjen parasysh që të jetë një njësi zgjedhore.”,- deklaroi Arta Bilalli Zendeli nga BDI.
ASh: Me 8 njësi, deputetët konform votuesve
Edhe nga Aleanca për Shqiptarët thonë se përfaqësimi adekuat i zonave të thella të vendit eliminohet me një njësi, ndërkohë që favorizojnë propozimin e tyre për 8 njësi.
“Modeli me 8 njësi zgjedhore sipas regjioneve planore – zhvillimore nuk do të kishte nevojë që ne ti ndryshojmë njësitë zgjedhore, nuk do të na paraqitet ai fenomen që një komunë e caktuar të ndahet në dy njësi zgjedhore si ç është komuna e Çairit, komuna e Kërçovës dhe çka është risia e këtij propozim ligji që japim ne, është risia sepse jo të gjitha njësitë zgjedhore do të jepnin numër të njëjtë deputetësh, por do të jepnin numër të caktuar deputetësh konform votuesve që kanë në listat votuese.”,- tha Syrija Rashiti nga ASh.
Maksuti: Partitë shqiptare, të unifikuara
Propozimet e ndryshme kritikohen nga profesori universitar, Mersim Maksuti, i cili fton partitë politike shqiptare me argumente të unifikojnë qëndrimin.
“Kur dallimet tona bëhen për kalkulime politike, kjo është e dëmshme, që nuk guxojmë ne tre, katër parti, secili të dalë me opsion me sa njësi zgjedhore duhet ta ndërton këtë vend, sepse këtu është në pyetje interesi i përgjithshëm qytetarë, në rastin konkret të shqiptarëve. Prandaj në këtë pikë ne duhet patjetër të jemi të unifikuar.”,- u shpreh profesori, Mersim Maksuti.
Më herët lëvizja Besa kishte propozuar 3 njësi zgjedhore. Analizat flasin se asnjëri prej propozimeve nuk garanton rritjen e numrit të deputeteve shqiptarë, por kjo do të varej vetëm nga dalja e votuesve për të votuar, nga mos përçarja e votës shqiptare si dhe vendosja e listave të hapura./Tvm2