Mogerini: BE është e hapur për Maqedoninë. Zaev: Të vendosim bashkërisht për të ardhmen e vendit

Redaksia Flaka
By Redaksia Flaka 13 Shtator, 2018 19:10

Mogerini: BE është e hapur për Maqedoninë. Zaev: Të vendosim bashkërisht për të ardhmen e vendit

“Dyert e BE-së mbeten të hapura për Maqedoninë. Ju jeni ata që i keni çelësat në duart tuaja.Mos lejoni që ta lëshoni këtë mundësi historike”,- tha përfaqësuesja e lartë e BE-së, Federika Mogerini, në konferencën e përbashkët për shtyp me kryeministrin, Zoran Zaev, në Çarshinë e Shkupit. Ajo porositi se bashkë mund të arrihet prosperitet dhe siguri në BE. Mogerini shprehu bindjen se vendi ka avancim të madh në rrugën drejt BE-së.

“Mbani mend se më 30 shtator, kur të shkoni të votoni për referendumin, se ju jeni ata që i mbani çelësat e të ardhmes suaj në duart tuaja. Ju lutem mos heshtni para së ardhmes suaj! Nuk duhet ta humbisni këtë mundësi sepse ju jeni përgjegjës për të ardhmen tuaj. Këto nuk janë zgjedhje apo diçka që ka lidhje me politikë. Duhet të jeni të sigurt se kur të ngriheni me 1 tetor, se keni bërë përzgjedhje për të ardhmen tuaj dhe të fëmijëve tuaj”,- theksoi përfaqësuesja e lartë për politikën e jashtme dhe sigurinë në BE, Federika Mogerini.

Kryeministri Zaev tha se vizita e Mogerinit paraqet dëshmi që BE- vazhdon të përkrahë vendin në proceset integruese.

“Tani ne qytetarët e Maqedonisë duhet të tregojmë unitet dhe vendosshmëri në referendumin që do mbahet më 30 shtator, të sjellim vendim për marrëveshjen dhe për ardhmërinë tonë. Dallimet ekzistojnë dhe kanë ekzistuar. Ne i respektojmë, por nuk ka hapësirë për papërgjegjësi, kur të gjithë ne duhet bashkërisht të vendosim për të ardhmen e vendit dhe gjeneratave të reja”,- tha kryeministri, Zoran Zaev.

Mogerini tha se e drejta e votës është e drejtë demokratike dhe duhet të shfrytëzohet, por nuk dëshiron të përzihet në punët e brendshme.

Mogerini u takua edhe me kryetarin e vendit, Gjorgje Ivanov. Nga presidenca, përmes një komunikate me shkrim, thonë se presidenti i vendit, Gjorge Ivanov, mbetet në qëndrimin e tij të mëhershëm. Për Ivanovin, edhe pse përcaktimi strategjik i vendit është anëtarësimi i vendit në NATO dhe BE, është e papranueshme një marrëveshje e keqe, me të cilën në vend që të mbyllen, po hapen edhe më tepër çështje të tjera. (Tvm2)

Redaksia Flaka
By Redaksia Flaka 13 Shtator, 2018 19:10