MPJ Dënon gjuhën e urrejtjes në Sofje

Redaksia
Publikuar nga Redaksia 25 Qershor, 2022 19:35

MPJ Dënon gjuhën e urrejtjes në Sofje

Një ditë pas parullave kundër Maqedonisë në Kuvendin e Bullgarisë, Ministria e Punëve të Jashtme dënoi aktin e disa prej deputetëve bullgarë.

Ministria dorëzoi edhe një notë verbale te Ministria e Punëve të Jashtme bullgare, dhe kërkoi të dënohet fakti që disa nga deputetët mbanin në Kuvend tabelat “Maqedonia është Bullgari”.

“Mesazhet e tilla janë në kundërshtim me vlerat demokratike evropiane, por edhe në kundërshtim me Marrëveshjen e Miqësisë, Fqinjësisë së Mirë dhe Bashkëpunimit dhe nuk kontribuojnë në ruajtjen e parimeve dhe frymës së Marrëveshjes. Republika e Maqedonisë së Veriut, pret që zyrtarët bullgarë ta dënojnë qartë gjuhën e urrejtjes dhe pretendimet territoriale ndaj Maqedonisë së Veriut, si një akt jashtëzakonisht jo shembullor ndaj një vendi mik fqinj”.

Mbishkrimet “Maqedonia është Bullgari”, mbaheshin kryesisht nga deputetët e partisë pro-ruse Rilindja. Ata u paralajmëruan se do të largoheshin nga seanca, pas së cilës i tërhoqën mbishkrimet. Por, kreu i partisë Rilindja tha nga foltorja parlamentare pse Bullgaria nuk duhet të heqë veton ndaj Maqedonisë.

“E ardhmja e Bullgarisë dhe Maqedonisë është pa diskutim një. Por, është një shtet i përbashkët, z. Ivanov. Prandaj duhet të luftojmë të gjithë ne, prandaj jua dhashë shembullin e 25 majit 1941. Një shtet i përbashkët, Bullgaria e bashkuar me Maqedoninë, e jo anëtarësim në BE. Kjo nuk do ta zgjidhë problemin tonë. Sepse, nëse Maqedonia hyn në atë botë, atëherë gjuha maqedonase do të bëhet zyrtare në BE. Dhe kur njëri prej nesh të fillojë të flasë në dialekt, do të duhet të shpjegojmë se ajo nuk është gjuhë bullgare, por maqedonase”, u shpreh Kostadin Kostadinov, Kryetar i Partisë Rilindja (BG).

Këtë deklaratë e dënoi Ministria e Jashtme. Këto ngjarje kanë ndodhur dje në Kuvendin e Bullgarisë para votimit të propozimit francez për zhbllokim të mundshëm të integrimeve evropiane të Maqedonisë. Propozimi u votua, por vetëm pasi u shtuan katër amendamente. Njëra prej tyre është përfshirja e protokollit dypalësh për zbatimin e Marrëveshjes për fqinjësi të mirë në kornizën negociuese me Unionin, të cilin Shkupi e refuzoi, sepse mendon se në këtë mënyrë Bullgaria do të vazhdojë të vërë veto. Një tjetër amendament ka të bëjë me gjuhën maqedonase, gjegjësisht se Sofja nuk do ta pranojë ekzistencën e saj në asnjë moment gjatë negociatave.

Redaksia
Publikuar nga Redaksia 25 Qershor, 2022 19:35

Marketing Politik - Çmimore

Presidenciale | Parlamentare