MPJ do ta ndërpresë fushatën për OSBE, ishte joligjore. SHGM: Përpjekje për të korruptuar mediat!

Redaksia
Publikuar nga Redaksia 5 Janar, 2023 16:51

MPJ do ta ndërpresë fushatën për OSBE, ishte joligjore. SHGM: Përpjekje për të korruptuar mediat!

Ministria e Punëve të Jashtme njoftoi se pas sugjerimit të SHGM-së do ta ndërpresë fushatën e paraparë njëjavore përmes shfrytëzimit të ueb banerëve të cilët janë në funksion të promovimit të kryesimit me OSBE-në.

Në kumtesën e MPJ-së theksohet se kryesimi me OSBE-në paraqet projektin më të madh të politikës së jashtme me të cilin Republika e Maqedonisë së Veriut do të prezantohet në publikun ndërkombëtar, por edhe projekt i cili ka rëndësi dhe ndikim edhe për zhvillimin e përgjithshëm të brendshëm dhe politik të vendit. Siç tashmë informuam, angazhimi i Agjencisë gjatë Kryesimit me OSBE-në paraqet punë të rregullt për çdo Kryesues me organizatën dhe aktivitetet të cilat janë paraparë nuk janë për pi-ar, por për qasje të organizuar ndaj sfidave për komunikim strategjik të vendit si vend-kryesues me Organizatën më të madhe rajonale të sigurisë.

Krahas Komunikimit Strategjik, angazhimi i Agjencisë në pjesën më të madhe i referohet mbështetjes së Këshillit të Ministrave, një projekt kompleks i cili parasheh praninë dhe aktivitetet e organizuara të mbi 70 delegacioneve nga e gjithë bota, të cilat pritet të drejtohen në nivel më të lartë diplomatik, në nivel të Ministrave të Punëve të Jashtme.

“Që në ditët e para të marrjes së presidencës u vendosën përkohësisht web-banerat, të cilët kanë karakter informativ dhe edukativ dhe përmes tyre në asnjë mënyrë nuk promovohet ministria dhe as puna e saj. Kjo lëvizje nuk bie ndesh me praktikat aktive ligjore dhe nenin 102 të Ligjit të ASHAA për plasimin e mjeteve tek transmetuesit. Pavarësisht mundësive ligjore, pas sugjerimit të ardhur sot nga SHGM-ja, Ministria e Punëve të Jashtme do të ndërpresë fushatën e planifikuar njëjavore përmes përdorimit të ueb-banerave në internet. Në interes të punës transparente, aktivitetet e mundshme në të ardhmen nga aspekti i komunikimit do të bëhen në koordinim me shoqatat e gazetarëve dhe përfaqësues sektorit civil”, qëndron në kumtesën e MPJ-së.

Shoqata e Gazetarëve të Maqedonisë (SHGM) më parë reagoi për informacione se MPJ do të shpenzojë rreth 100.000 euro për aktivitete promovuese në lidhje me kryesimin me OSBE-në, për çka është lidhur marrëveshje me një kompani private për marketing. “Kjo praktikë e një mënyre të shtrenjtë dhe selektive e blerjes së hapësirës mediatike përmes fushatave qeveritare nuk mund të konsiderohet si mbështetje për mediat, por si një përpjekje për t’i korruptuar ato dhe në të njëjtën kohë për të promovuar propagandë politike në dëm të interesit publik”, thonë nga SHGM-ja.

Edhe nga Agjencia për Shërbime Mediatike Audio dhe Audiovizuele (ASHMAA) njoftuan se vendimi i Ministrisë së Punëve të Jashtme që të shpenzojë 100.000 euro për fushata me qëllim të promovimit të kryesimit me OSBE-në është në kundërshtim me Ligjin për Shërbime Mediatike Audio dhe Audiovizuele dhe është në kundërshtim me nenin 102 të Ligjit në të cilin theksohet se është e ndaluar shfrytëzimi i mjeteve të buxhetit për reklamime në media.

Redaksia
Publikuar nga Redaksia 5 Janar, 2023 16:51

Marketing Politik - Çmimore

Presidenciale | Parlamentare