MPPS: Amvisëritë pa të ardhura të parashtrojnë kërkesë për ndihmë të garantuar minimale në qendrat për punë sociale

Redaksia Flaka
By Redaksia Flaka April 8, 2020 19:58

MPPS: Amvisëritë pa të ardhura të parashtrojnë kërkesë për ndihmë të garantuar minimale në qendrat për punë sociale

Ministria e Punës dhe Politikës Sociale i informoi amvisëritë të cilat kanë mbetur pa të ardhura apo kanë qenë pjesë e ekonomisë joformale për të drejtën e ndihmës së garantuar minimale (NGM). Me qëllim të lehtësimit të pasojave nga kriza shëndetësore-ekonomike, me Dekret me fuqi ligjore për zbatim të Ligjit për mbrojtje sociale gjatë gjendjes së jashtëzakonshme, është mundësuar qasje e shpejtë në sistemin e mbrojtjes sociale.

“Për marrje të ndihmës së garantuar minimale, pasiguria materiale do të konstatohet në bazë të vlerës së përgjithshme mesatare të të gjitha të ardhurave të të gjithë anëtarëve të amvisërisë në të gjitha bazat, llogaritur nga muaji i fundit, në vend të tre muajve të deritanishëm. Shuma e së drejtës varet nga numri dhe struktura e amvisërisë dhe sillet prej 4.000 denarë për një amvisëri njëanëtarëshe deri 10.000 denarë për amvisëri të përbërë prej pesë anëtarëve të rritur”, kumtoi Ministria e Punës dhe Politikës Sociale.

Amvisëritë të cilët shfrytëzojnë ndihmë të garantuar minimale do të realizojnë edhe shtesë në të holla prej 1.000 denarëve për shkak të mbulimit të një pjese të shpenzimeve për konsum të energjensëve në amvisëri edhe për muajt prill dhe maj të vitit 2020.

Kërkesa për marrje të ndihmës së garantuar minimale parashtrohet në qendrën kompetente për punë sociale.

Redaksia Flaka
By Redaksia Flaka April 8, 2020 19:58