Mungesa e librave po humb vullnetin për mësim

Redaksia
Publikuar nga Redaksia 26 Shtator, 2022 19:48

Mungesa e librave po humb vullnetin për mësim

Premtime të vazhdueshme për kapërcimin e problemit me tekstet shkollore ka dhënë edhe Ministria e Arsimit. Nga Byroja për zhvillimin e arsimit, në fillim të shtatorit thanë se nuk ka vend për shqetësim për vonesën e botimit të teksteve të reja, pasi siç kanë thënë, nuk rrezikohet në asnjë mënyrë procesi arsimor, por ndërkohë nxënësit vazhdojnë të mësojnë pa libra

Mungesa e librave edhe gati një muaj që nga fillimi i vitit shkollor në Maqedoninë e Veriut, po shkakton probleme të shumta në mbarëvajtjen e procesit mësimor, në veçanti në drejtimet profesionale. Rinora, nxënëse e vitit të katërt në Shkollën e Mesme të Bujqësisë në Tetovë, drejtimi i Biokimisë, thotë se mungesa e shumë teksteve shkollore ka bërë që kohën më të madhe ta kalojë pranë kompjuterit në kërkim të materialit mësimor. “Kuptohet se mungesa e librave na e vështirëson mësimin, por bëjmë gjithçka që të gjendemi. Profesorët bëjnë maksimumin që të na furnizojnë me materiale, gjejnë nga internet, por edhe ne mundohemi që me kohë t’i gjejmë duke kërkuar materiale në internet”, thotë Rinora. Të njëjtin shqetësim ka edhe Agnesa, nxënëse në drejtimin Elektroteknikës në Shkollën e Mesme Profesionale në Shkup. Ajo thotë se me mungesë të teksteve përballet tash e dy vjet dhe kohën më të madhe e kalon duke kërkuar material në internet apo duke bërë fotokopjime të skripteve nga nxënës të tjerë.

“Është shumë e vështirë, sepse mungesa e librave e humb edhe vullnetin e nxënësve për mësim. Duhet të ketë libra, është më e lehtë të mësosh nga librat. Gjendemi përmes internetit, profesorët na tregojnë çfarë të hulumtojmë, por edhe nga shënimet”, tregon Agnesa.

Në arsimin e mesëm në Maqedoninë e Veriut procesin mësimor e ndjekin rreth 72 mijë nxënës në 80 shkolla, 23 prej të cilave janë në Shkup. Nga numri i përgjithshëm i nxënësve, rreth 40 mijë janë të regjistruar në shkollat profesionale. Teuta Saliu, mësimdhënëse e Biokimisë, thotë se barrën më të rëndë nga mungesa e librave e ka kuadri mësimor, pasi para nxënësve duhet të dalin të përgatitur. “Sa i përket pjesës praktike, se si zhvillohet lënda e Biokimisë, nuk kemi material dhe zakonisht atë e marrim nga interneti. Kjo na e vështirëson punën sepse duhet të hulumtosh të gjesh materialin, ta përkthesh dhe ta përshtatësh me kushtet që kërkon laboratori e kështu me radhë”, thotë Saliu. Ajo konsideron se Ministria e Arsimit duhet ta zgjidhë këtë problem, me të cilin po përballen për vite me radhë pasi ndodh që edhe një gjysmëvjetor apo edhe tërë vitin nxënësit të mos kenë tekste shkollore.

Visar Duraku, drejtor në Shkollën e Mesme Profesionale “Cvetan Dimov” në Shkup, thotë se mungesa e librave është një problem i përvitshëm, andaj edhe shpreson që të tejkalohet që të mund të ketë mbarëvajtje të mësimit.

“Pas çdo fillimviti, shkollat profesionale ballafaqohen me mungesë të librave. Çdo vit sfidat janë të mëdha, normalisht se tani kemi modele të reja në planprogramet mësimore, lëndë në të cilat është ndryshuar programi mësimor, prandaj ka nevojë të bëhet përditësimi i teksteve shkollore. Ne në bashkëpunim me kuadrin dhe Ministrinë e Arsimit jemi munduar që të gjitha problemet t’i sensibilizojmë dhe të gjejmë zgjidhje për problemet me mungesën e librave”, thotë Duraku. Tekstet shkollore në Maqedoninë e Veriut në arsimin fillor dhe të mesëm jepen falas për nxënësit, por të njëjtat përdoren të paktën në katër gjenerata, kështu që shumë prej tyre edhe dëmtohen. Hartimi i teksteve shkollore bëhet nga Qendra për arsim profesional dhe trajnime. Nga kjo qendër besojnë në kapërcimin e shpejtë të këtij problemi. Drejtori Sherif Miftari thotë se janë dhënë mendime pozitive për dhjetëra tekste që pritet të botohen dhe t’u shpërndahen nxënësve.

“Vetëm gjatë vitit 2021 nga Qendra për arsim profesional dhe trajnime janë dhënë 141 mendime nga të gjitha drejtimet si nga Ekonomi, Drejtësi, Elektroteknikë, Kimi domethënë në të gjitha degët profesionale. Ndërkohë, në procedurë janë edhe 60 apo 780 libra të tjerë që janë duke u punuar nga profesionistët e qendrës për arsim profesional dhe trajnime”, thotë Miftari. Premtime të vazhdueshme për kapërcimin e problemit me tekstet shkollore ka dhënë edhe Ministria e Arsimit. Nga Byroja për zhvillimin e arsimit, në fillim të shtatorit thanë se nuk ka vend për shqetësim për vonesën e botimit të teksteve të reja, pasi siç kanë thënë, nuk rrezikohet në asnjë mënyrë procesi arsimor, por ndërkohë nxënësit vazhdojnë të mësojnë pa libra. (REL)

Redaksia
Publikuar nga Redaksia 26 Shtator, 2022 19:48

01
Dhj
Sonte në “Rruga drejt”, në Alsat M, në studio me gazetarën Fatlume Dervishi, në pjesën...
01
Dhj
Të gjitha kontrollet kryhen pas raportimeve për bomba dhe përfundimisht konfirmohet konstatimi ynë fillestar –...
01
Dhj
Opozita nuk duhet të kushtëzoj ndryshimet kushtetuese në situate kur vendi ndodhet para sfidave të...