Mungesa e rrjetit pamundëson gazifikimin e banesave

Desk
By Desk March 4, 2020 19:14

Mungesa e rrjetit pamundëson gazifikimin e banesave

Qytetarët e lagjes Fushë Tophanë, për më shumë se dhjetë vjet kanë rrjet gazsjellësi, që kalon vetëm dhjetë metra larg banesave të tyre. Janë lidhur objekte industriale, shkollat e mesme, por jo edhe amvisëritë. Mundësi ka, ndërtesat kanë infrastrukturë ekzistuese. Do të duhet të instalohen kaldaja të përshtatshme në ndërtesa, dhe vetë banorët do të duhet të organizohen për t’u lidhur. Kreu i KRRE-së Bislimovski thotë se për momentin lidhja do të ishte shumë e shtrenjtë.

Ekziston një rrjet i transmetimit të gazit natyror, nuk ka rrjet shpërndarës të gazit natyror. Dhe kostoja e lidhjes do të ishte shumë, shumë e lartë. Ne nuk kemi një rrjet shpërndarjeje, ku presioni do të ishte shumë më i ulët. Dhe tani konsumatori do të ekspozohet ndaj një shpenzimi, sepse presioni në rrjetin e transmisionit është shumë më i lartë, do të duhet ta ulë atë dhe e gjitha ajo do të kushtojnë”-tha Marko Bislimovski, kryetar i KRRE-së.

Nga Rregullatori i këshillojnë qytetarët e Fushë Tophanës, të kthehen në sistemin e ngrohjes qendrore. Ndryshe nga më parë, ka kushte shumë më të mira, si dhe do të kenë çmim më të ulët për ngrohjen e shtëpive, garanton Bislimovski. Por, qytetarët e kësaj lagje, as nuk mendojnë fare që të kthehen në ngrohjen qendrore.

“Ngrohja ishte e vakët, nuk na ngrohte, e ndaluan dhe ne u detyruam të çkyçemi. Përndryshe një vit ishte në rregull, pastaj e ngrohte me ujë të vakët, nuk ngrohte dhe faturat ishin të larta”

“Kishte ngrohje qendrore, pastaj e ndërprenë. Kjo u bë me kërkesë të qytetarëve, sepse u shtrenjtua shumë. Ata talleshin me ne, ngrohtë-ftohët. Ndërsa faturat ishin goxha të larta, në raport me atë sa ngrohesh dhe sa paguan. (Po tani të ketë një opsion të lidhesh) Jo”

Dy javë më parë, Qeveria shpalli një tender për një partneritet publik-privat, për ndërtimin e një sistemi të shpërndarjes së gazit në tërë shtetin. Ndërmarrja që do të bëhet partner i shtetit, do të ketë për obligim për katër vjet të ndërtojë 50 përqind të rrjetit të saj të shpërndarjes në qytete, dhe 20 përqind në zonat rurale. Qytetarët, përfshirë ata të Fushë Tophanës, do të duhet të presin edhe disa vjet për të përdorur gaz natyror në shtëpi, pasi punimet e ndërtimit planifikohen të fillojnë në fund të këtij viti. (Alsat)

Desk
By Desk March 4, 2020 19:14