Muzeu i Alfabetit i mbyllur për 22 nëntor

Desk
By Desk November 7, 2020 20:00

Muzeu i Alfabetit i mbyllur për 22 nëntor

Dita e Alfabetit të gjuhës shqipe nuk do t’i këtë më aktivitetet kryesore në Manastir. As nga Ministria për Sistem Politik dhe as Ministria e Kulturës nuk ka pasur ndonjë angazhim për të organizuar diçka më konkrete këtë vit. Në Shkup planifikohen manifestime me këtë rast, ndërsa në Manastir mund të organizohet ndonjë vizitë, edhe pse kjo e fundit nuk mund të realizohet për shkak të kohës së shkurtër të ngelur në dispozicion për të bërë gati muzeun.

Shënimi i një prej datave më emblematike të shqiptarëve, 22 Nëntori – Dita e alfabetit të gjuhës shqipe, nuk do t’i këtë më aktivitetet kryesore në Manastir, duke e kthyer në një “traditë” anashkalimin e qytetit ku u zhvillua Kongresi i unifikimit të alfabetit të gjuhës shqipe nga data 14 deri më 22 nëntor të vitit 1908. Dhjetë ditë përpara fillimit të “Javës së Alfabetit”, që viteve të fundit shënohej me aktivitete të ndryshme artistike, si koncerte, koloni artistike, ekspozita e të tjera në kujdesin e Muzeut të Alfabetit, këtë vit nuk ka një agjendë të qartë. Shkak janë bërë punimet e papërfunduara brenda objektit që mbylli fazën e rikonstruktimit (financuar nga fondet IPA), por kaosi është shkaktuar edhe nga mungesa e një drejtori, shkruan gazeta KOHA.

Edita Bajramovska, ish e punësuar si edukatore në këtë institucion dhe për momentin ushtruese detyre drejtore, thotë se kushtet e krijuara nuk janë të volitshme për të siguruar agjendën e aktiviteteve. Por as nga Ministria për Sistem Politik dhe as nga Ministria e Kulturës nuk ka pasur ndonjë angazhim për të organizuar ndonjë diçka më konkrete këtë vit. Në Shkup planifikohen manifestime me këtë rast, ndërsa në Manastir mund të organizohet ndonjë vizitë, edhe pse kjo e fundit nuk mund të realizohet për shkak të kohës së shkurtër të ngelur në dispozicion për të bërë gati muzeun. Dhoma përkujtimore me figurat prej silikoni të firmëtarëve të Kongresit, dhoma me veshjet tradicionale, ekspozita me fotografi dhe dokumente duhet të sistemohen, po ashtu edhe kati i parë, hyrja në muze.

“Në datë 14 do të fillojmë me koncertin në Pallatin e Kulturës, por për aktivitete të tjera nuk kemi asgjë të sigurt. As për datën 22, ndërsa më 21 nëntor do të mbahet konferenca shkencore, si çdo vit tjetër. Kemi një gjysmë konfirmimi nga Shqipëria, nga Ministria e Kulturës megjithatë nuk na kanë informuar… Do të ishte mirë që muzeu të hapej këtë vit, por kushtet janë të tilla”, thotë për KOHA, Bajramovska, e cila pas konkursit për zgjedhjen e drejtorit të ri që u mbyll të enjten, do të rikthehet në pozicionin e edukatores. Ndërsa ish-drejtori Nuer Arsllani është kthyer në pozicion e tij si kustos. Muzeu nacional vazhdon të trashëgojë të njëjtat probleme të pazgjidhura ashtu si edhe 13 vjet më parë kur u hap. Si mungesën e kuadrit me staf të specializuar, ashtu edhe kontestin pronësor me ambientet e katit të parë që vazhdon t’i ketë me qera. I vetmi ndryshim pozitiv dhe investimi më serioz ishte rikonstruktimi i plotë i tij, i realizuar falë grantit prej rreth 300 mijë euro i akorduar disa vite më parë nga fondet IPA që shërbyen për të rikthyer në identitet ish shtëpinë historike ku u mbajt Kongresi i Alfabetit. (koha.mk)

Desk
By Desk November 7, 2020 20:00