Namazi i Kurban Bajramit nën masat e CoVid-19

Namazi i Kurban Bajramit nën masat e CoVid-19

Besimtarët mysliman sot festojnë Kurban Bajramin. Me faljen e namazit të Bajramit, i cili falet pas namazit të sabahut, myslimanët mes familjarëve, miqëve dhe dashamirëve nisin të urojnë këtë festë. Këtë vit si pasojë e koronavirusit, kjo festë manifestohet nën kufizime të shumta. Sipas vendimit të Bashkësisë Fetare Islame të Maqedonisë së Veriut është falur vetëm namazi i Bajramit, i cili është dashur të mos zgjas më shumë se 15 minuta.

Xhamia historike e Mustafa Pashës në kryqytetin Shkup ishte e mbushur me qytetarë, të cilët erdhën për të falur namazin e kësaj feste. Oborri i kësaj xhamie ishte i mbushur me qytetarë, por duke ndjekur rregullat kundër përhapjes së virusit.

Myftiu i Shkupit, Qenan Ismaili, hutben në këtë xhami e lexoi në tre gjuhë, në gjuhën shqipe, turke dhe maqedonase. Ai uroi besimtarët muslimanë, duke theksuar se këtë vit festa shënohet më ndryshe shkaku i pandemisë.
Pastaj kompetentët kanë apeluar që vizitat që bëhen për shkak të festës të jenë sa më të pakëta, në mënyrë që të mbrohet shëndeti i qytetarëve.
Besimtarët prej disa ditëve më parë nisin përgatitjet e kësaj feste. Veçantia e Bajramit është përgatitja e ëmbëlsirave të ndryshme, posaqërsiht e bakllavasë. Kjo lidhet me mesazhin që përçon kjo festë, për paqe, harmoni dhe gëzim, që duhet të mbizotëroj nëpër familjet e besimtarëve.

Për dallim nga Fitër Bajrami, në Kurban Bajram siç është edhe vetë emri therren kafshë, që simbolizon sakrificën e njeriut ndaj Allahut. Një e treta e mishit të kurbanit, duhet t’u shpërndahet njerëzve në nevojë. Si zakonisht, Kurban Bajrami kurorëzohet me vizitën në Mekë – pra kryerja e haxhit, si kushti i pestë i Islamit. Mirëpo, për shkak të pandemisë nga virusi Covid-19, që e ka kapluar gjithë botën, këtë vit është pamundësuar shkuarja e besimtarëve në haxh.

Emërtimi “Kurban Bajrami” në gjuhën shqipe është huazim nga turqishtja – Kurban Bayramë, që do të thotë “Festa e Flijimit”.

Në kalendarin e hixhrit islam, Kurban Bajrami bie në ditën e 10-të të muajit Dhulhixhxhe dhe zgjat për katër ditë. Në kalendarin gregorian, data ndryshon nga viti në vit duke shkuar përafërsisht 11 ditë më herët çdo vit.
Kjo ditës festohet që nga periudha e profetit Ibrahim, i cili për nder të Allahut ai kishte vendosur që ta ther kurban të birin e tij të vetëm, Ismailin. Në momentin kur profeti Ibrahim nisi ta sakrifikojë të birin, një engjëll ia solli atij një dash. Që nga ajo kohë myslimanët e botë therin kurban. TvShenja

Redaksia Flaka
nga Redaksia Flaka 31 Korrik, 2020 17:11

© FLAKA.COM.MK - Derisa keni vendosur të merrni përmbajtje nga kjo faqe, në tërësi pajtoheni me kushtet e përdorimit.