NATO në betejë me kohën për ta shpëtuar veten nga turpi i madh

Redaksia
Publikuar nga Redaksia 6 Qershor, 2023 19:56

NATO në betejë me kohën për ta shpëtuar veten nga turpi i madh

Zyrtarët e NATO-s janë në betejë me kohën për të shmangur turpin duke dështuar të pranojë Suedinë deri më 11 korrik. Suedia dhe fqinja e saj Finlanda kanë shprehur qëllimet e tyre për t’u anëtarësuar në NATO gjatë majit të vitit të kaluar, vetëm pak javë pasi Rusia nisi pushtimin e paprovokuar të Ukrainë. Finlanda është pranuar në muajin prill të këtij viti, duke zgjeruar kufirin e aleancës me Rusinë, mirëpo pranimi i Suedisë ka ngecur

Nga CNN

Në përgjithësi, të gjithë e dinë se forcat e armatosura të Suedisë janë në përputhje me NATO-n. Suedia ka delegacion permanent në NATO dhe konsiderohet si partnere e afërt e aleancës që do të thotë se anëtarësimi është proces shumë i lehtë.

PËRSE NUK MUND TË ANËTARËSOHET SUEDIA?

Problemi është Turqia – anëtare me rëndësi strategjike e NATO-s kryesisht për shkak të pozitës gjeografike në Lindjen e Mesme dhe Evropë. Turqia ka ushtrinë e dytë më të madhe të NATO-s, por ka bllokuar pranimin e Suedisë për disa arsye. Arsyeja më e rëndësishme është se Turqia pohon se Suedia lejon operimin e anëtarëve të grupeve terroriste kurdë, më e famshmja është Partia e Punëtorëve të Kurdistanit (PKK). Suedia ka ndryshuar ligjet e terrorizmit në fillim të vitit, duke e bërë krim pjesëmarrjen në këto grupe, mirëpo mbetet e paqartë nëse kjo është e mjaftueshme për Ankaranë. Turqia gjithashtu pohon se qeveria suedeze ka pasur rol në protestat e krahut të djathtë në të cilat protestuesit dogjën kopjet e Kuranit para ambasadës turke në Stokholm.

Së fundmi, Turqia dëshiron që Suedia të marrë masa ndaj deputetëve suedezë që shpalosën flamurin e PKK-së në ndërtesën e parlamentit në shenjë proteste kundër fitores së presidentit Recep Tayyip Erdogan në zgjedhjet presidenciale. Zyrtarët e NATO-s dhe njerëzit e qeverisë suedeze janë të shqetësuar se shkelja e afatit për pranim që është më 11 korrik – data e samitit në Lituani – do të dërgonte mesazh të rrezikshëm te kundërshtarët e aleancës. Këtu përfshihet edhe Rusia, dhe shtet në Atlantikun e Veriut, Koreja e Veriut dhe Kina. “Nëse nuk arrihet ajo datë, u tregon njerëzve si Putini se ka një pikë të dobët në aleancën perëndimore. I jep kohë dhe hapësirë për të shkaktuar probleme”, ka thënë një zyrtar i NATO-s për CNN-in. “Kjo do të kishte të bënte me sulme kibernetike dhe nxitje për djegie të Kuranit, të cilat do të shkaktonin përçarje në Suedi”.

Një diplomat i Evropës Lindore ka thënë se “trimërimi i armiqve” të NATO-së, dhe vonesa e anëtarësimit “do të jepte ndjesinë e pushtetit të Erdoganit mbi aleancën”. Diplomati ka shtuar se “Erdogani do të përdorë këtë moment për të shfrytëzuar situatën dhe t’ia hedh topin Suedisë – duke e bërë peng të ligjeve të veta antiterroriste”. Zyrtarët nga shumica e shteteve të NATO-s janë optimistë se mund të arrihet marrëveshja para korrikut, por e dinë se ka një çmim për të paguar.

ARRITJA E MARRËVESHJES

Çfarë do të duhej t’i jepnin aleatët e NATO-s Erdoganit me qëllim që ai të ndërronte mendjen për Suedinë? Për ata që nuk kanë haber për këto punë, Turqia dëshiron që Kongresi amerikan të miratojë blerjen e aeroplanëve amerikanë F-16. Teksa zyrtarët amerikanë nuk janë aq të bindur për ta barazuar çështjen e Suedisë me aeroplanët, zyrtarët prapa skenës thonë se duhet arritur një marrëveshje. Diplomatët gjithashtu e dinë se ekonomia e Turqisë është duke u rrënuar, me ngritjen e inflacionit dhe rënien e Lirës turke. SHBA-ja dhe BE-ja kanë vendosur sanksione ndaj Turqisë. Ani pse ka hapësirë për arritje të marrëveshjes – dhe aleatët që janë në favor të anëtarësimit të Suedisë e kanë në dorë çështjen – ka disa çështje të cilat mund të vijnë e shkojnë pa arritur atë që do NATO-ja.

Së pari është paparashikueshmëria e Erdoganit. Zgjedhjet e së dielës ishin më të ngushtat në 20 vjetët e pushtetit të tij dhe aleatët frikësohen se mund të dyfishojë presionin ndaj Suedisë kur është puna te ligjet kundër terrorizmit. Suedia nuk ka gjasa të prezantojë diçka që duket aq autoritare sa Erdogani do të dëshironte të shihte në shtetin skandinav, sidomos kur bëhet fjalë për kurdët; në këtë pikë e vetmja zgjidhje mund të jetë që Erdogani të pretendojë si fitore të tij të gjitha ndryshimet që Suedia ka bërë tashmë në ligjet e saj për terrorizmin dhe të vazhdojë me pranimin e saj.

E dyta është se Turqia nuk është problemi i vetëm: Hungaria gjithashtu kundërshton anëtarësimin e Suedisë në NATO. Këto dy çështje në njëfarë niveli ndërveprojnë me njëra-tjetrën: nëse Erdogani do të pranonte si të mjaftueshme ligjet kundër terrorizmit të Suedisë – vetëm që Hungaria të bllokojë të gjithë këtë gjë, rrezikon ta bëjë atë të duket i dobët në krahasim, frikësohen zyrtarët evropianë. Nga ana e tyre, aleatët pro Suedisë – përfshirë Shtetet e Bashkuara dhe Mbretërinë e Bashkuar, ndoshta dy anëtarët më me ndikim të NATO-s – po dyfishohen më 11 korrik dhe privatisht i ofrojnë Suedisë garanci se është prioriteti i tyre, pavarësisht se çfarë bën Turqia. Anëtarësimi i Suedisë në NATO do të ishte i fundit në listën e gjatë të lajmeve të mira për aleancën që kur Rusia pushtoi Ukrainën. Zyrtarët kanë qenë të befasuar me nivelin e unitetit në aleancë që nga fillimi i luftës dhe janë kënaqur me premtimet e vazhdueshme për shpenzimet e mbrojtjes dhe forcimin e aleancës.

Rusia nisi luftën e saj në radhë të parë pjesërisht për shkak të zgjerimit të NATO-s, lëvizje që nuk tregon asnjë shenjë ngadalësimi, me Ukrainën që tani gjithashtu dëshiron t’i bashkohet aleancës. Edhe japonezët po zhvendosen drejt NATO-s, me ministrin e Jashtëm të vendit që ka thënë për CNN-in në fillim të këtij muaji se është në bisedime për të hapur zyrën e parë ndërlidhëse të NATO-s në Azi.

Me gjithë bisedat për NATO-n me të cilën përballet ajo që presidenti francez Emmanuel Macron e quajti “vdekje truri” jo shumë kohë më parë, është e pamohueshme që aleanca ka sens të ripërtërirë qëllimi dhe ka besim për të ardhmen e saj. Kjo është pikërisht arsyeja pse zyrtarët janë kaq të shqetësuar për faktin se Turqia vë veton ndaj pranimit të Suedisë në orarin e vetë NATO-s. Ashtu si zinxhiri që është po aq i fortë sa hallka e tij më e dobët, aleanca është po aq e bashkuar sa akti i saj i fundit i unitetit. Në botën moderne të diplomacisë, sinjalet dhe mesazhet kanë rëndësi të madhe. Dhe teksa mund të duket e parëndësishme saktësisht kur Suedia hyn ose nuk i bashkohet NATO-s, Turqia duke u dhënë armiqve të aleancës nuhatjen më të dobët që anëtarët mund të hiqen, besojnë zyrtarët, do të përmbyste muaj të tërë pune të mirë që e kanë sjellë aleancën më afër se çdoherë tjetër.

Redaksia
Publikuar nga Redaksia 6 Qershor, 2023 19:56

Marketing Politik - Çmimore

Presidenciale | Parlamentare