Ndërmarrjet publike nga jugperëndimi me më shumë borxhe

Redaksia
Publikuar nga Redaksia 14 Mars, 2023 21:25

Ndërmarrjet publike nga jugperëndimi me më shumë borxhe

Ndërmarrjet publike komunale nga rajoni jugperëndimor janë ndër më me borxhe në vend. Spitalet, shkollat ​​dhe institucionet kulturore janë poashtu ndër debitorët më të mëdhenj, përcjell FLAKA.

Konkretisht për Strugën, në fund të dhjetorit të vitit të kaluar, NP Ujësjellës dhe Kanalizimet kanë raportuar një borxh prej 3.4 milionë euro, që e rendit këtë ndërmarrje publike në vendin e lartë të 25-të në listën e re të borxheve. Në territorin e komunës së Strugës me borxh prej 1.4 milionë euro është Spitali i Përgjithshëm i Strugës, Instituti i Nefrologjisë-Strugë me afër 1 milion euro, si dhe Ndërmarrja Publike Struga me borxh prej 736.600 euro. Obligime të papaguara raportuan edhe shkollat ​​fillore të Strugës, gjykata fillore si dhe Manifestimi “Mbrëmjet strugane të poezisë”.

Në territorin e komunës së Kërçovës gjendet njëra nga institucionet shëndetësore me borxhin më të madh – Spitali i Përgjithshëm, i cili është në vendin e 6-të në listën e borxhlinjëve me obligime të papaguara prej 11.3 milionë euro. NP Komunalec ka fatura të papaguara në vlerë prej 1.2 milionë euro, ndërsa borxhe kanë edhe Shtëpia e Shëndetit në Kërçovë, shkollat ​​fillore dhe të mesme si dhe Fakulteti Juridik.

Në Ohër, NP “Ujësjellësi” është borxhli me borxh mbi 300 milionë denarë, ndërsa borxhe milionëshe kanë edhe NP “Biljanini Izvori”, “Komunaleci i Ohrit”, “Niskograbanda”, “Tregu i qytetit” dhe “Varrezat e qytetit”.

Ministri i Vetëqeverisjes Lokale, Penov, është i pakënaqur me menaxhimin e kryetarëve dhe këshillave komunale në vend, por thotë se nuk ka mundësi të kontrollojë punën jashtë vendit të disa komunave për shkak të decentralizimit.

“Ne nuk jemi kompetentë për kontroll, as juridikisht nuk mbështetet që qeveria të kontrollojë komunat, sepse kemi decentralizim thelbësor dhe të plotë. Në komunat ku borxhet shfaqen për një kohë të gjatë, problemi është se kryetarët e komunave dhe këshillat komunalë i mbrojnë qytetarët që të mos paguajnë ose të paguajnë tarifa të vogla që janë të pamjaftueshme për të mbuluar nevojat për mirëmbajtjen e shërbimeve komunale”, thotë Risto Penov, Ministër i Pushtetit Lokal.

Përveç borxheve dhe interesave, kryesisht për faturat e papaguara të rrymës, problemet financiare të komunave shkaktohen edhe nga mbipunësimi, listat e gjata të të punësuarve me kontrata pune, honoraret e larta, telefonat e shtrenjta, automjetet e reja, dreka të shtrenjta dhe luks tjetër. FLAKA

Redaksia
Publikuar nga Redaksia 14 Mars, 2023 21:25