Ndikimi i koalicioneve parazgjedhore, mund të ndodhë rigrupim edhe në nivel lokal

Desk
By Desk March 4, 2020 19:17

Ndikimi i koalicioneve parazgjedhore, mund të ndodhë rigrupim edhe në nivel lokal

Ndryshimi eventual i shumicës në Qytetin e Shkupit, me automatizëm nënkupton edhe ndryshimin në udhëheqjen e drejtorive dhe institucioneve kulturore të cilët i drejtojnë shqiptarët.

Koalicioni parazgjedhor për zgjedhjet e parakohshme parlamentare të caktuara për 12 prilli mes LSDM-së dhe Lëvizjes Besa, lë hapësirë për ndryshime edhe në shumicën e pushtetit lokal, ku për momentin LSDM, kryesisht koalicion me BDI-në. Një situatë e tillë ekziston edhe në Këshillin e Qytetit të Shkupit, ku shumicën e përbëjnë këshilltarët e LSDM-ja (21), dhe tre këshilltarët nga radhët e BDI-së.

Nga ana tjetër Lëvizja Besa, Aleanca për Shqiptarët dhe Alternativa e kanë nga një këshilltar. Ndërkohë, VMRO-DPMNE, në Këshillin e Qytetit të Shkupit, disponon me 17 këshilltar, respektivisht një këshilltar në këtë Këshill është nga radhët e “Të majtëve”.

Këshilltari i vetëm i Lëvizjes Besa, në Qytetin e Shkupit, Sedat Ramadani, për gazetën KOHA, thekson se koalicioni mes tyre dhe LSDM-së, për zgjedhjet e 12 prillit, le të kuptohet se do të ketë ndryshime edhe në pushtetin lokal nëse pas kësaj date BDI, nuk do të jetë pjesë e Qeverisë së ardhshme. “Për momentin jemi të angazhuar me zgjedhjet parlamentare. E rëndësishme është fitorja sa me e madhe e koalicionit të ardhshëm qeverisës BESA-LSDM dhe gjithë çështjet e tjera përfshirë edhe këtë që ju e parashtroni do rrumbullakohen pas 12 Prillit”, thotë Ramadani.

Ndryshimi eventual i shumicës në Qytetin e Shkupit, me automatizëm nënkupton edhe ndryshimin në udhëheqjen e drejtorive dhe institucioneve kulturore të cilët i drejtojnë shqiptarët. Prej gjithsej shtatë ndërmarrjeve publike sa funksionojnë në kuadër të Qytetit të Shkupit, dy prej tyre udhëhiqen nga shqiptarët (NP “Parqe dhe Gjelbërime” dhe NP “Higjiena Komunale”). Tutje, shqiptarët i kanë përfaqësuesit e tyre edhe në Ndërmarrjen Publike “Ujësjellësi dhe Kanalizimi” si dhe në NP “Transporti Publik Shkup”. Po ashtu edhe një prej tetë institucioneve kulturore në Qytetin e Shkupit, respektivisht Qendra Informative Kulturore, drejtohet nga kuadër shqiptar.

Lidhur me këtë çështje nga Qyteti i Shkupit, nuk dhanë përgjigje se a mund të ketë zgjerim të koalicionit në Këshill. Ndryshe, ky institucion lokal ka rëndësi të madhe në krijimin e politikave dhe realizimin e projekteve për banorët e Shkupit. Buxheti vjetor i cili zakonisht lëviz nga 70 deri në 75 milionë euro miratohet dhe aprovohet me pëlqimin e vetë këshilltarëve. Deri më sot propozimet e opozitës shqiptarë në Këshillin e Qytetit të Shkupit, fare pak, për të mos thënë rrallë herë janë futur në buxhetet vjetor. Refuzimi i kërkesave të opozitës ka qenë praktikë si në kohën e VMRO-DPMNE-së, ashtu edhe sot kur shumicën e ka LSDM-ja. (koha.mk)

Desk
By Desk March 4, 2020 19:17