Ndodhitë në BFI, reagime të shumta, kërkohet respektimi i autonomisë së institucionit
Zëvendëskryeministri Osmani e quan skandaloz dhe të turpshëm vendimin e gjykatës për të emëruar dikë për kryetar të një bashkësie fetare. Sipas tij, kjo është në kundërshtim me Kushtetutën. Osmani gjithsesi nuk deshi të komentojë deklaratën e reisit Sulejman Rexhepi se do të zhvillojë fushatë anti-zgjedhore.
“Pavarësia dhe autonomia e bashkësive fetare është e garantuar me Kushtetutë dhe shteti dhe institucionet janë të obliguar të garantojnë këtë autonomi dhe pavarësi dhe prandaj dënuam ashpër të gjitha këto tentime për ndërhyrje ilegale që dëmtojnë imazhin e shtetit por edhe BFI-së”,- tha zëvendëskryeministri për eurointegrime, Bujar Osmani.
Nga Komisioni për Marrëdhënie mes Bashkësive mohojnë çdo përfshirje të tyre në BFI, duke demantuar kështu pohimet e kreut të saj. Edhe qeveria thotë se nuk përzihet në punët e bashkësive fetare, por dënojnë atë që e kanë cilësuar si gjuhë të urrejtjes të përdorur nga Rexhepi.
“Maqedonia e Veriut është shtet sekular. Qeveria e Republikës së Maqedonisë së Veriut nuk ndërhyn në punët e bashkësive fetare. Lidhur me një pjesë të fjalëve të thëna, dënojmë gjuhën e urrejtjes. Institucionet të cilat janë të kyçura, të cilat punojnë në problematika të caktuara, të cilat ndodhin në BFI, do ta japin fjalën e tyre”,- tha zëdhënësi i qeverisë, Mile Boshnjakovski.
VMRO-DPMNE ndodhitë në BFI i cilësojnë si të papranueshme dhe si të orkestruara nga pushteti.
“Ajo që e pamë është ndërhyrje e drejtpërdrejtë e shtetit te bashkësitë fetare që për Republikën e Maqedonisë si shtet sekular kjo është e papranueshme. Të rikujtojmë se në të kaluarën nënkryetari i LSDM-së jepte kualifikime për kreun e BFI-së ku e emëronte rezil, ari i mbrojtur, e kështu me radhë”,- theksoi Igor Janushev nga VMRO-DPMNE.
Edhe BDI dënon ashpër këtë vendim, duke thënë se sistemi gjyqësor ka nevojë për reforma të menjëhershme.
“Është absolutisht e papranueshme për ne si deputet të BDI-së, për komunitetin të cilin e përfaqëson BFI dhe kjo ngrit alarmin absolut të situatës në gjyqësorin në Maqedoninë e Veriut dhe kërkon reforma të thella në gjithë sistemin gjyqësor,- u shpreh deputeti i BDI-së, Artan Grubi.
Përmes kumtesave kanë reaguar ashpër edhe partitë e tjera shqiptare, që përkujtojnë se askush nuk guxon të shkelë pavarësinë e BFI-së. Nga Gjykata Themelore Shkupi 2 thonë se vendimin që Skender Buzaku të shpallet kryetar i ri i BFI-së nuk e kanë sjell vetvetiu, por kanë vepruar në bazë të një kërkese që e kanë pranuar nga BFI, sipas së cilës Rijaseti në një seancë të jashtëzakonshme të mbajtur më 30 mars ka pranuar dorëheqjen e Rexhepit dhe në të njëjtën seancë për Reis Ul Ulema është zgjedhur Skender Buzaku. Gjykata sqaron se nëse dorëheqja është dokument i falsifikuar, mund të vendoset në një procedurë tjetër të veçantë.