Ndotja e ajrit, debat i ashpër mes opozitës dhe mazhorancës

Desk
By Desk December 23, 2019 19:15

Ndotja e ajrit, debat i ashpër mes opozitës dhe mazhorancës

U zhvillua debat i ashpër në Kuvend për ndotjen e ajrit, që është problem konstant vitet e fundit.

Koordinatori i grupit parlamentar të VMRO-DPMNE–së edhe një herë pyeti partinë në pushtet se cilat masa i kanë ndërmarrë për t’u përballur me këtë problem dhe pse nuk vihet në rend dite problemi me ndotjen e ajrit.

“Kam pritur që kjo pikë të jetë e vendosur në rendin e ditës për të mirën e qytetarëve, për shkak të ndotjes enorme të ajrit, të jetë prioritet për ju dhe jo zëvendësministri i ambientit jetësor të bërtasë që këtë vit kemi më pak ditë me ndotje enorme të ajrit dhe masat do të fillojmë t’i realizojmë. 180 milion euro mjete grumbullohen për ruajtjen e ambientit, 18 milion euro planifikoni t’i harxhoni?! Të mos flitet në rend dite kjo temë, është turp për shumicën parlamentare! Çfarë do t’ju themi qytetarëve, fatmirësisht dje dhe sot ka rënë shi, prej nesër çfarë do t’ju themi, çfarë keni bërë për ajrin, atë që keni premtuar në 2017.”,- deklaroi Nikolla Micevski nga VMRO-DPMNE.

Nga LSDM-ja u përgjigjën se janë të gatshëm të nënshkruajnë çdo lloj propozimi që vjen në lidhje me reduktimin e ndotjes së ajrit.

“Prej te i pari dhe deri te deputeti i fundit duam të flasim për ndotjen e ajrit, për atë se çfarë ka ndodhur në të shkuarën dhe çfarë ndodh tani? Sugjerimi im për të dalë nga kjo situatë është: Ma jepni propozimin ta nënshkruaj dhe të kërkoj seancë urgjente, i pari do të nënshkruaj dhe jam i bindur që kam mbështetjen e të gjithë deputetëve, të caktoj seancë urgjente dhe të mos flasim shumë fjalë boshe por të ndërmarrim masa.”,- tha deputeti i LSDM-së, Jovan Mitrevski.

Ndryshe, vendi ynë shpeshherë është radhitur ndër vendet e para në listat e botës dhe Evropës për ajër të ndotur, edhe pse janë bërë protesta dhe janë premtuar shumë zgjidhje, por ende qytetarët e Maqedonisë së Veriut vazhdojnë të thithin ajër të ndotur dhe ky problem akoma mbetet pezull. (Tvm2)

Desk
By Desk December 23, 2019 19:15