Ndotja e ajrit, Shkupi në listën e qyteteve më të ndotura në botë

Redaksia Flaka
By Redaksia Flaka October 29, 2019 19:19

Ndotja e ajrit, Shkupi në listën e qyteteve më të ndotura në botë

Shkupi përsëri mbrëmë u gjend në listën e qyteteve me ajrin më të ndotur, duke u radhitur në vendin e pestë në botë, me 158 mikrogramë në kub të grimcave të vogla PM10.

Ndotje të ajrit mbi kufirin e lejuar prej 50 mikrogramë për metër kub është regjistruar në mëngjes në të gjithë zonat e qytetit. Autoritetet paralajmërojnë investime për aplikimin e ngrohjes ekologjike në institucionet publike, si dhe investime në transportin publik, pasi analizat tregojnë se ndotja është e shkaktuar 57% nga ngrohja dhe 28% nga veturat dhe industria.

Një prej masave është zëvendësimi i naftës së papërpunuar me energjencë tjera ekologjike, që duhen bërë në Spitalin e Kumanovës, burgun e Idrizovës dhe Spitalin Gjinekologjik në Çair.

“Procedura për gazifikim në spitalin e Çairit ka përfunduar, kontrata është nënshkruar, punimet e ndërtimit do të fillojnë së shpejti. Spitali i Kumanovës kishte një projekt të gatshëm, por për shkak të punës në Qendrën e urgjencës, u shty. Punët në Qendrën e urgjencës janë afër përfundimit dhe pastaj fillojmë procedurën e gazifikimit”,- tha ministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe.

Ekspertët e kësaj fushe kërkojnë që inspektorët të jenë më shumë në teren.

“Mendoj se është e rëndësishme që në lidhje me mbikëqyrjen e inspektimit, përveç rritjes së numrit të inspektorëve në terren dhe vendosjes së kujdestarive, për shkak se ne shumë shpesh jemi dëshmitarë se në kohë të fundjavës shohim tym të zi dhe për shkak se inspektorë ka vetëm një ndërrim, prandaj ata shpesh nuk mund të dalin në terren”,- theksoi një eksperte e kësaj fushe.

Shkupi, Tetova dhe disa qytete të Maqedonisë së Veriut vite me radhë përballen me ajër të ndotur. Edhe për këtë dimër, parashikimet e ekspertëve janë pesimiste.

Redaksia Flaka
By Redaksia Flaka October 29, 2019 19:19