Ndryshime tek pushimi i lindjes, babai përfiton mungesë prindërore katër muaj
Pushimi i lindjes tani e tutje do të pësojë ndryshime. Në pjesën e lehonisë parashikohen pesë muaj pushim për gruan dhe e drejta e shfrytëzimit edhe katër muaj të tjerë, pra nëntë si më parë. Për të atin shtohen 15 ditë nga lindja e fëmijës, por edhe mungesë prindërore prej katër muajsh. Nëna dhe babai mund ta marrin pushimin njëkohësisht, të kombinuar ose pas një kohe sipas nevojave. Sipas psikologëve, një risi e tillë është e arsyeshme dhe e rëndësishme për zhvillimin e fëmijëve, sidomos në vitin e parë.
“Pjesa psikologjike është me rëndësi, sepse ka lidhje më të shëndoshë familjare mes gruas, burrit dhe foshnjës, do të krijohet familje që parashikojmë se do të funksionon shumë mirë kur dominon lidhja emocionale . Meqenëse ky është ligj për marrëdhënie të punës aty ekziston edhe pjesa ekonomike dhe do të duhet të shqyrtohet se a është kjo në favor të ekonomisë, por sigurisht babai mund të jetë prind shumë i mirë edhe kur të kthehet nga puna.”, – deklaroi psikologia, Mirjana Stojanovska.
Ministrja Trençevska siguron se Fondi i Shëndetësisë është stabil dhe ka mjete të mjaftueshme për të paguar kompensimin. Po bëhen parashikime se sa muajt shtesë do të rëndojnë Fondin e Shëndetësisë.
“Buxheti i fondit është stabil, duke marrë parasysh mjete që fondi i alokon në pajtueshmëri me ligjin për sigurim shëndetësor për prindërit që janë në pushim të lindjes. Këto mjete janë paraparë me buxhetin e Ministrisë për punë dhe politikë sociale, ne i alokojmë deri te fondi i cili i dorëzon deri te të siguruarit. Projektet po i bëjmë përderisa po zgjat debati publik, do ta kemi edhe vendimin.”, – theksoi ministrja e punës dhe politikës sociale, Jovanaka Trençevska.
Ky ligj pritet që procedurës kuvendare t’i nënshtrohet në mes të këtij viti.