Ndryshimet kushtetuese, ASh: Do t’i votojmë edhe tani

Redaksia
Publikuar nga Redaksia 25 Janar, 2023 19:25

Ndryshimet kushtetuese, ASh: Do t’i votojmë edhe tani

Përfshirja e mundshme e ASh-së në Qeveri nuk siguron miratimin e ndryshimeve kushtetuese, por përforcon shumicën parlamentare dhe i jep kohë qeverisë që të vazhdojë përpjekjet që, deri në nëntor, të sigurojë konsensus politik dhe të miratojë ndryshimet në aktin më të lartë juridik. ASh-ja, edhe si opozitë, ka përkrahur të gjitha ndryshimet që kanë qenë në favor të këtij procesi, thotë për TVM2 zëdhënësi i kësaj partie, Arben Zeqiri.

“Dështimi më i butë, që përsëri quhet dështim për ne, do të ishte largimi i Maqedonisë së Veriut nga agjenda e BE-së. ASh ka mbështet ndryshimet kushtetuese në 2018-tën, shpëtoi miratimin e propozimit francez në kuvend, do t’i votojmë edhe tani ndryshimet kushtetuese. Ajo që duket nga ata që e bëjnë ofertën për hyrje të ASh-së në qeveri është stabilizimi i kësaj shumice dhe demotivimi i të gjitha forcave destruktive që duan të pengojnë ndryshimet kushtetuese.”, – deklaroi zëdhënësi i ASH-së, Arben Zeqiri.

Ndryshimet kushtetuese, VMRO-DPMNE: Të testohen në zgjedhje

VMRO-DPMNE mbetet e ngujuar në qëndrimin e saj kundër ndryshimeve kushtetuese pa u verifikuar në zgjedhje.

“Nëse dikush mendon se mund të bëj diçka pa marrë mandat, atëherë ajo është veti e tij, por për VMRO DPMNE-në prioritet është që çështjet për të cilat partitë angazhohen thelbësisht të testohen në zgjedhje dhe të marrin mandate nga qytetarët.”, – theksoi zëdhënësi i VMRO-DPMNE-së, Naum Stoilkovski.

Kovaçevski: Kush frenon integrimin, frenon qytetarët

Kryeministri, Dimitar Kovaçevski paralajmëron kundërshtarët politik se me frenimin e ndryshimeve kushtetuese, të domosdoshme për vazhdimin e procesit integrues, po frenojnë rritjen e standardit jetësor në vend dhe motivojnë ikjen e të rinjve.

“Vendi ynë duhet t’i bashkëngjitet Unionit Evropian dhe atë me vendimet që kjo qeveri dhe kjo shumicë parlamentare i miratojnë në Kuvend. Çdokush që e pengon këtë e frenon të ardhmen evropiane dhe më prosperuese të gjeneratës së tashme dhe gjeneratave që vijnë.”, – u shpreh kryeministri, Dimitar Kovaçevski.

Ndryshimeve kushtetuese, historikisht u ka paraprirë debat i ashpër politik dhe kundërshtime këmbëngulëse të opozitës maqedonase. Situatë të ngjashme patëm pak vite më parë, për ndryshimin e emrit kushtetues të Republikës, kur VMRO-DPMNE ishte kundër, por tetë deputetë të saj votuan Pro.

Redaksia
Publikuar nga Redaksia 25 Janar, 2023 19:25