Ndryshimet kushtetuese kanë përplasur pushtetin dhe opozitën. Nga LSDM thonë se vendi ynë, po përballet me një shans historik për përparim të shpejtë, me synimin për anëtarësim të plotë në BE dhe kanë ftuar Hristijan Mickoskin dhe deputetët e VMRO-DPMNE-së që të ndjekin interesin e qytetarëve dhe shtetit duke shfrytëzuar këtë shans dhe mbështetjen e fortë nga aleatët në BE dhe ShBA.
“Deputetët e VMRO-DPMNE-së, t’i thonë JO deklaratave notariale, listave të mundshme që krijohen sipas vullnetit të një personi. Të thonë PO, për bashkim drejt rrugës evropiane dhe realizimin e qëllimit strategjik në pajtueshmëri me vullnetin e qytetarëve. Është i patjetërsueshëm konsensus i gjerë ndërpartiak, jo vetëm për këtë vendim, por për të gjitha reformat në të ardhmen. Deputetët ua kanë borxh këtë qytetarëve.”, – deklaroi deputetja e LSDM-së, Daniela Koleva.
VMRO-DPMNE: Jo me diktat bullgar
Nga VMRO-DPMNE kërkojnë që Kovaçevski të zgjedhë, ndryshime kushtetuese dhe tradhti apo bashkim kombëtar dhe një shans të drejtë. Ata presin epilogun nga takimi i liderëve teksa mbeten në qëndrimin se ndryshime kushtetuese nuk do të ketë me diktat të jashtëm.
“Të presim fillimisht të mbahet takimi i liderëve, sepse është e sigurt se ndryshime kushtetuese nën diktat të jashtëm nuk do të ketë. Duhet t’i kushtohet rëndësi çështjes çfarë do të bëjë Maqedonia, çfarë do të bëjë shteti pas dështimit të ndryshimeve kushtetuese.”, – theksoi Mile Lefkov nga VMRO-DPMNE-ja.
Klubi i deputetëve të mërkurën do të jetë vend-takimi i kryeministrit Koçaveski dhe liderit të VMRO-DPMNE-së, Mickoski për të diskutuar rreth përfshirjes së bullgarëve në Kushtetutë. Deri në këto momente të dy liderët janë me qëndrime të kundërta, ngelet për t’u parë nëse ky takim do të mbarojë me epilog pozitiv apo do të thellojë krizën politike në vend.