Ndryshimi i modelit zgjedhor pa konsensus, Mehmeti: S’është i shëndetshëm politikisht

Ndryshimi i modelit zgjedhor pa konsensus, Mehmeti: S’është i shëndetshëm politikisht

Deklarata e kreut të LSDM-së, Zoran Zaev, për të ndryshuar modelin zgjedhor edhe pa konsensus të plotë nëse sigurohen votat e nevojshme edhe për votim të dyfishtë, vlerësohet si deklaratë politike në frymën e fushatës parazgjedhore.

Analisti politik, Ibrahim Mehmeti, konsideron se LSDM nuk do ta anashkalojë partnerin e koalicionit qeverisës, BDI-në, edhe pse juridikisht mund ta miratojë nëse i siguron votat e domosdoshme.

“Kjo tani më është atmosferë e fushatës parazgjedhore dhe të gjitha partitë në një mënyrë distancohen nga partneritetet që i kanë pasur ose që i kanë. Mirëpo, realisht nuk mendoj që LSDM do të hyjë në një kombinim të atillë që t’ia imponojë partnerit të saj aktual një zgjidhje me të cilën ajo nuk pajtohet”,- tha analisti, Ibrahim Mehmeti.

Fakti që të gjitha palët kanë qëndrime të ndryshme rreth modelit zgjedhor, nga propozimi për një njësi zgjedhore e deri te modeli me 120 njësi zgjedhore, tregon se konsensus për këtë çështje vështirë se mund të arrihet në periudhë zgjedhore.

“Kam përshtypjen se nuk ka vullnet ose konsensus për këto ndryshime. Të gjitha partitë flasin për diçka tjetër, diçka të ndryshme. Një parti thotë: ne dëshirojmë një njësi zgjedhore, tjetra thotë: ne dëshirojmë 120; e treta thotë: ne dëshirojmë gjashtë; disa thonë: ne dëshirojmë tetë; disa thonë ne dëshirojmë tri. Kështu që nuk shoh se ka ndonjë afrim të qëndrimeve”,- u shpreh analisti, Ibrahim Mehmeti.

Sipas Mehmetit, imponimi i shumicës nuk është i shëndetshëm politikisht dhe se kryeministri nuk ka atë synim, por se e ka paraqitur si hipotezë të mundshme.

Në këtë kontekst, një ditë më parë, kryeministri, Zoran Zaev, tha se ndryshimi i modelit zgjedhor në njësi zgjedhore është premtim parazgjedhor i LSDM-së dhe se do të votojë pro ndryshimeve kur të vijë në Kuvend.

Madje, tha se ka shumicën e Badenterit edhe pa 10 deputetët e BDI-së, në koalicion, e cila refuzon ndryshimin e modelit zgjedhor.

Redaksia Flaka
nga Redaksia Flaka Nëntor 8, 2019 19:27

HAPËSIRË E SPONSORIZUAR

Loading...

© FLAKA.COM.MK - Derisa keni vendosur të merrni përmbajtje nga kjo faqe, në tërësi pajtoheni me kushtet e përdorimit.

REKLAMA