Në Dibër, mund të realizohet mësim me prezencë fizike

Redaksia Flaka
By Redaksia Flaka September 11, 2020 15:57

Në Dibër, mund të realizohet mësim me prezencë fizike

Kryetari i Dibrës, Hekuran Duka, ka takuar dje drejtorët e shkollave nëntëvjeçare dhe të mesme në Dibër. Temë kryesore në takim ishte fillimi i vitit të ri shkollor më 1 tetor dhe mënyrën e realizimit të procesit mësimor. Me këtë rast, Duka deklaroi se në takim një theks të veçantë ju kushtua kushteve që kanë institucionet arsimore për fillim të vitit të ri shkollor, në përputhje me protokollet shëndetësore për mbrojtjen e shëndetit të nxënësve.

Në takimin në fjalë, në të cilën morën pjesë drejtori i gjimnazit “28 Nëntori”, Ramdan Imeri, si dhe drejtorët e shkollave nëntëvjeçare “Penestia”, Ajet Mullarexha, ai i “Said Najdenit” – Burim Kaziu dhe drejtori i shkollës së Kosovrastit të Poshtëm “Riste Ristevski”, Shania Ajrovski, janë analizuar të gjitha mundësitë për ti respektuar protokollet për mbrojtje nga koronavirusi. Duka theksoi se sipas analizave të drejtorive, në gjimnazin dhe në shkollat nëntëvjeçare në Dibër mundet që tërësisht të respektohen protokollet edhe për mësim me prezencë fizike, pos në shkollën nëntëvjeçare “Said Najdeni” ku mësimi mund të realizohet i kombinuar – edhe onlajn edhe me prezencë fizike. Por, sërish siç deklaroi kryetari Duka, vendimin do ta sjellin organet kompetente qendrore.

Në ndërkohë, të gjithë katër institucionet arsimore si gjimnazi ashtu edhe nëntëvjeçaret, janë të gatshme për fillim të vitit shkollor dhe tashmë kanë dezinfektuar mirë objektet. Përndryshe takime me njerëzit e parë të shkollave kanë mbajtur edhe kryetarët e Komunave Qendër Zhupë dhe Mavrovë Rostushë. Në takimet është theksuar se pjesa më e madhe e shkollave kanë mundësi të realizojnë mësimin me prezencë fizike, gjithmonë duke respektuar protokollet shëndetësore. Drejtorët e shkollave kanë potencuar se paraprakisht kanë bërë edhe anketat e nevojshme me nxënësit dhe prindërit. (koha.mk/V.S)

Redaksia Flaka
By Redaksia Flaka September 11, 2020 15:57