Në front bashkë, në TV vetëm. Kovid 19 dhe partitë shqiptare

Desk
By Desk May 1, 2020 19:30

Në front bashkë, në TV vetëm. Kovid 19 dhe partitë shqiptare

Edhe pse në betejën me Kovid-19 “ushtarë” të barabartë në “front” janë edhe politikanët shqiptarë, në opinion më së shumti shfaqen eksponentë të LSDM-së. E gjithë kjo sipas njohësve të rrethanave politike duket kështu për shkak të zgjedhjeve të parakohshme parlamentare që pritet të mbahen së shpejti.

Në gjithë betejën me pandeminë e virusit korona, po krijohet perceptimi se më aktivë janë parti maqedonase nga ato shqiptare. Edhe pse këto të fundit janë “luftëtar” të përbashkët në frontin kundër këtij armiku të padukshëm. Gjatë gjithë kohës sa po zgjat gjendja e jashtëzakonshme në Maqedoni partitë politike shqiptare kanë dhënë propozimet e tyre, kanë shprehur shqetësimet e tyre për gjendjen, madje në disa raste kur edhe masat kanë qenë të gabuara kanë qenë pikërisht ato që kanë kundërshtuar ashpër. Rasti i propozimit të LSDM-së për uljen e pagës së gjithë administratorëve, përfshirë këtu edhe arsimtarët dhe punëtorët e kulturës në pagë minimale prej 14.500 denarë u kundërshtua ashpër nga funksionarët shqiptarë dhe Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI). Si rrjedhojë ky vendim nuk u vë në praktik. Në anën tjetër edhe në terren funksionarët shqiptarë kanë qenë aktiv për gjatë gjithë kohës, ndërsa partitë opozitare shqiptare kanë dhënë mbështetje maksimale në betejën pe koronavirusin si dhe sugjeruar masa.

Analisti Daut Dauti vlerëson se pandemia e gjeti Maqedoninë në periudhën më “specifike”, duke mos pasur një qeveri parazgjedhore, ku qëllimet dhe interesat të tjera duhej ta determinonin punën e saj. “Por ja që kjo qeveri pozitë-opozitë deshën s’deshën partitë, duhet të demonstrojnë unitet para një rreziku të përbashkët dhe ato deri tash mundohen të sillen në kuadër të këtij imperativi. Sikundër që kohë pas kohe nga taborët partiakë vijnë qëndrime të ndryshme, ashtu dhe ministrat shfaqin ndonjë qëndrim partiak, por fundi është në masat që ato i sjellin pas konsultimeve me punëtorët shëndetësorë. Në këtë luftë me virusin e padukshëm, nuk do të ishin shembullore përpjekje për të marrë merita të veçanta ose pikë politikë për zgjedhjet e ardhshme, sepse çdo subjekt pjesëmarrës në Qeveri, imponon potencialin e vet kadrovik për ta menaxhuar situatën. Çdo subjekt duhet të sillet në bazë të rrethanave që janë krijuar me pandeminë”, shprehet Dauti.

Në anën tjetër, Seladin Xhezairi nga TV Klan Macedonia thotë se meqë përhapja ishte e papritur, e beftë, si duket i gjeti të papërgatitura, ndaj, për pak kohë, partitë shqiptare nuk bënë zë. “Me përshkallëzimin e epidemisë – në pandemi, duke marrë për ‘yrnek’ veprimet në fqinjësi (me përjashtim të Malit të ZI), edhe këtu, partitë tona po e humbasin durimin! Sado që duhet pasur parasysh se zgjedhjet i patëm të caktuara për më 12 prill, kujtoj se do të ishte mire të ndiqej shembulli malazez ku, të thuash, në kushtet e pandemisë, është vendosur një moratorium për rivalitetin politik. Disa veprime partiake, jo vetëm shqiptare, por edhe maqedonase, qoftë të pozitë-opozitës shqiptare, por edhe maqedonase, shpërfaqin mungesën e përgjegjësisë. Kjo për shkak se ‘hesapet’ e tyre janë mese të tejdukshme dhe, kryekëput për efekt elektoral. Sikur harrojmë se kësaj murtaje, të gjithë duhet t’ia mmbyllim e jo t’ia çelim – derën”, deklaroi për KOHA, Xhezairi.

Ndërkaq, Arsim Sinani nga Qendra për Studime Ndërkombëtare dhe Hulumtime Ballkanike vlerëson se partitë shqiptare ne pushtet BDI, PDSH dhe Alternativa nuk u dëgjuan gjatë kësaj kohe, ishin në një gjumë te thellë. “Lidershipi u izolua dhe nuk bënë asnjë veprim, e pakuptueshme se si ky lidership u zhduk, u izolua. Ajo që na dhanë të kuptojmë është se përveç që na e dëmtuan jetën në vazhdimësi ata na lanë pa sistem shëndetësor. Pas Korona virusit do bie ky mentalitet pasi votuesi do ti ndëshkojë. Mendoj se pandemia do i jep shans, një brezi tjetër nga ky që kemi. Çka ti thuash veprimit lideri mbyllet në fshat dhe e ke popullin në vetmi dhe të braktisin, kjo flet për higjienën mentale”, deklaroi për KOHA, Sinani.

Profesori universitar Mitasin Beqiri thotë se politikanët shqiptarë në gjithë këtë betejë me virusin Korona duken të lodhur dhe se janë në gjumë. “Duket të jenë të lodhura, janë ne gjumë, ju interesojnë vetëm mandatet, apo e shihni çfarë letargjie, ndërsa pala tjetër me prezencën e saj tregon se janë më të interesuara për qytetarët dhe shtetin. Për shembull, PDSH në çdo të dytën ditë ka pas konferenca për shtyp në lidhje me situatën e pandemisë dhe kontaktet me qytetaret, bile propozimi i orës së lëvizjes së qytetareve që u miratua nga Qeveria ishte nga PDSH-ja”, thotë prof. Beqiri. Ndryshe, së fundmi Universiteti i Teknologjisë dhe Dizajnit në Singapor ka parashikuar se epidemia e koronavirusit në Maqedoni do të përfundojë në 16 qershor të këtij viti. (koha.mk)

Desk
By Desk May 1, 2020 19:30