Në kërkim të zanatlinjve

Desk
By Desk November 17, 2020 20:06

Në kërkim të zanatlinjve

Raporti i fundit i EUROSTAT-it tregon se Maqedonia e Veriut gjendet në krye të listës ku të rinjtë (mosha 20-34-vjeçare) nuk janë të punësuar, nuk janë duke kryer studime apo nuk janë të kyçur në ndonjë praktikë për punësim. Kjo kategori përfshin 36.3 për qind të popullsisë në Maqedoninë e Veriut. Ndërkaq mesatarja e të rinjve që janë të papunë, po sipas të dhënave të EUROSTAT-it, në vendet evropiane është 16.5 për qind. Mbishkrime që kërkohen infermierë, furrtarë, kamerierë, hidro-teknik, muratorë… shihen në shumë lokale të Shkupit.

Mungesa dhe largimi i fuqisë punëtore nga Maqedonia e Veriut ka filluar të ndjehet veçanërisht në profile të specializuara. Odat Ekonomike dhe ajo e Zejtarëve kanë theksuar se tanimë ka filluar të ndjehet mungesa e zejtarëve të ndryshëm dhe mjeshtërve në profile të caktuara si rrjedhojë e një numri të madh të tyre të cilët janë larguar me punë të përkohshme në vendet evropiane e ku pagat janë më të larta dhe kushtet për punë janë shumë më të mira. Të dyja organizatat, duke bërë ndërlidhjen e punëdhënësve me ata që kërkojnë punë në sektorë të ndryshëm, thonë se Maqedonia e Veriut po bën pak në ofrimin e kushteve më të mira për punë si në sektorin privat, ashtu edhe në atë shtetëror. Për fat të keq, thuhet në analizën e Odës Ekonomike të Maqedonisë, vetëm rreth 13 për qind e atyre që futen në procesin arsimor – orientohen kah arsimi profesional, prej këtu del qartë se pse kemi kaq dallim të madh mes asaj se çka kërkohet në tregun e punës dhe çka paraqitet si ofertë.

“Shteti me urgjencë duhet të krijojë një Strategji gjithëpërfshirëse duke pasur në fokus investimet në profilet deficitare. Na duhet një përgatitje e sistemit të edukimit, më frytdhënëse, në kuptimin e asaj që investimet më të mëdha në sferën e buxhetit që i dedikohet arsimimit të orientohen në shkollat profesionale, respektivisht tek shkollat e zanatit që do të avancojnë mësimin e zanateve të ndryshme dhe kuadri që do të del nga ato shkolla, nga qeveria të subvencionohet me paga të arsyeshme në mënyrë që të sigurohet për këto profile një jetë solide”, thuhet në analizë. Mungesa e kuadrove të profesionalizuara (fuqisë punëtore të profesionalizuar) është më e theksuar në sektorin e turizmit, industrinë e metalit, atë të elektronikës, makinerisë, por evidente është mungesa e kuadrit të specializuar edhe në ndërtimtari. Mbishkrime që kërkohen infermierë, furrtarë, kamerierë, hidro-teknik… shihen në shumë lokale të Shkupit.

Raporti i fundit i EUROSTAT-it tregon se Maqedonia e Veriut gjendet në krye të listës ku të rinjtë (mosha 20-34-vjeçare) nuk janë të punësuar, nuk janë duke kryer studime apo nuk janë të kyçur në ndonjë praktikë për punësim. Kjo kategori përfshin 36.3 për qind të popullsisë në Maqedoninë e Veriut. Ndërkaq mesatarja e të rinjve që janë të papunë, po sipas të dhënave të EUROSTAT-it, në vendet evropiane është 16.5 për qind. Mile Boshkov nga Konfederata e Punëdhënësve në Maqedoninë e Veriut thekson se të rinjtë në Maqedoninë e Veriut – edhe atëherë kur kanë mundësi për t’u kyçur në tregun e punës, refuzojnë të punojnë për shkak të kushteve të këqija në vendin e punës dhe pagave të ulëta.

“Të rinjtë janë mirë të informuar se moshatarët e tyre (në vendet e BE-së) për punën e njëjtë marrin paga shumëfish më të larta se këtu dhe kjo është deinkurajuese, ndërkohë që shpenzimet për jetesë edhe këtu në Maqedoninë e Veriut janë të larta. Njëherësh, kushtet e punës janë shumë më të këqija se në vendet evropiane. Këto janë dy faktorët kryesorë që ata të ardhmen e shohin jashtë vendit dhe nuk dëshirojnë të kyçen në tregun e punës edhe atëherë kur kanë mundësi të gjejnë një vend pune”, thotë Boshkov.

Mungesa më e theksuar tek profesionet profesionale ndjehet tek shqiptarët. Kjo, sepse të rinjtë shqiptarë jo mjaftueshëm janë të informuar për drejtimet profesionale dhe ka më shumë mungesa të drejtimeve profesionale me mësim në gjuhën shqipe. “Shteti, përkatësisht Ministria e Arsimit nuk ka një Strategji të qartë funksionale mbi lidhjen e nevojave të tregut dhe zhvillimin e mësimit profesional”, konstatohet në analizë. Nga dikasteri i arsimit në Maqedoni theksojnë se vazhdimisht punohet në drejtim të reformimit të arsimit profesional, duke bërë të ditur se tanimë është inkorporuar dhe “arsimimi dual” në shkollat e mesme që nënkupton përfshirjen e punës praktike që nga bankat e shkollës. Afaristët në vijëmësi janë ankuar se shumë vende pune mbeten pa plotësuar, sepse për të njëjtat kërkohen shkathtësi të caktuara për ushtrimin e veprimtarive të caktuara, përderisa të rinjtë nuk janë mjaftueshëm të kualifikuar pasi përfundojnë shkollimin.

EUROSTAT-i ME RAPORT ALARMANT

Por, ndryshe nga EUROSTAT-it, shkalla e papunësisë sipas të dhënave të Entit Shtetëror të Statistikave, shënon nivelin më të ulët edhe atë prej 17.5 për qind. Por, ekspertët thonë se shkalla e papunësisë është ulur në masë të theksuar jo për shkak të vendeve të reja të punës, por si rrjedhojë e largimit të një numri të caktuar të krahut të punës në vendet evropiane. Arsyet e largimit nga Maqedonia e Veriut në vendet e Bashkimit Evropian për dallim nga më parë që në krye ishte mungesa e një vendi të punës dhe pagat e ulëta, tani vendin e zënë kushtet e këqija në punë, influenca e politikës në zhvillimin e biznesit, ndërhyrja e politikës në ngritjen në karrierë në sektorin shtetëror, standardi i ulët jetësor, shërbimet e këqija në shëndetësi deri tek problemet me ajrin e ndotur, theksojnë kompanitë që mundësojnë ndërlidhjen e qytetarëve të Maqedonisë së Veriut me kompanitë e vendeve të Evropës që kërkojnë punëtorë. Pas infermierëve, mjekëve, kujdestarët për të moshuarit, të cilët janë në krye të listës së atyre që largohen nga Maqedonia e Veriut, vijnë punëtorët e ndërtimit dhe inxhinierët elektrikë, elektricistët, mjeshtrit hidro-teknikë, muratorët si dhe punonjësit në sektorin e turizmit, duke përfshirë kamerierë të kualifikuar dhe kuzhinierët. (koha.mk)

Desk
By Desk November 17, 2020 20:06