Në listën e zezë amerikane do të ketë emra të rinj

Redaksia
Publikuar nga Redaksia 6 Dhjetor, 2023 22:01

Në listën e zezë amerikane do të ketë emra të rinj

Politikanë, bashkëshorte biznesmenësh, nëna në listën e zezë të SHBA-së me njoftimin e ambasadores Ageler se ajo do të zgjerohet. I fundit është rasti i ish-zëvendëskryeministrit dhe biznesmenit Koço Angjushev për shkak të përfshirjes së tij në korrupsion të madh. Departamenti i Shtetit ka njoftuar se ka caktuar Angjushev si përgjithësisht të papërshtatshëm për hyrje në Shtetet e Bashkuara. Ambasadorja amerikane Angela Ageler njoftoi se Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të vazhdojnë të sanksionojnë aktorët e korruptuar në vend dhe në rajon, pavarësisht nga pozicioni i tyre, përkatësia politike apo koha e abuzimeve, përcjell FLAKA.

“Më shumë emërime do të pasojnë, por fakti është se përpjekjet dhe sanksionet tona nuk mund ta rregullojnë epideminë e korrupsionit në Maqedoninë e Veriut. Në fund të fundit, u takon zyrtarëve dhe qytetarëve të këtij vendi të kërkojnë llogari dhe ndryshim”, tha ambasadorja.

Angjushev në një deklaratë për media ka mohuar të gjitha dyshimet e shprehura nga Departamenti i Shtetit dhe ka paralajmëruar se do ta apelojë vendimin. Ai gjithashtu tregon se ka kompani edhe në SHBA dhe siç thotë ai është një taksapagues amerikan. Zëvendëskryeministrja përgjegjëse për qeverisje të mirë, Sllavica Gërkovska, thotë se janë propozuar ndryshime në ligjin për masat kufizuese të miratuara nga qeveria dhe se përveç sanksioneve të BE-së dhe OKB-së, duhet të shtohen edhe sanksionet e SHBA-së. ….

Ish-zëvendëskryeministri Angjushev është zyrtari i fundit i lartë që figuron në “listën e zezë” të SHBA-ve, përveç tij në këtë listë për shkak të korrupsionit, ish-kryeministri Nikolla Gruevski, ish-kryetari i DSK-së Sasho Mijallkov, kryetar aktual i Strugës Ramiz Merko, si dhe biznesmenët Orce Kamçev dhe nëna e tij Ratka Kamçeva dhe Sergej Samsonenko me gruan e tij. Përveç Kamçevit dhe çiftit Samsonenko, në “listën e zezë” përfunduan edhe pesë kompani nga Maqedonia që janë të lidhura me ta. Mes tyre “Orca Holding” dhe “Sistina Life Care Center”. Para Kamçevit, në qershor të këtij viti, SHBA-ja e kishte futur në listë kryetarin e Strugës Ramiz Merko së bashku me bashkëshorten Shpresa dhe tre fëmijët e tyre. Atyre iu ndalua hyrja në Amerikë sepse Departamenti i Shtetit deklaroi se kishte prova të forta se Merko ishte i përfshirë në korrupsion të madh, shpërdorim parash dhe ndërhyrje në procese gjyqësore dhe të tjera publike, duke dëmtuar proceset demokratike të vendit. Merko, i cili është ende në mandatin e tretë, është kryetar aktual i Komunës së Strugës dhe përkundër akuzave të shumta për korrupsion ndaj tij, për asnjërin prej tyre nuk ka marrë vendim gjyqësor. Nga prilli i vitit 2022, në listë janë edhe ish-kryeministri Nikolla Gruevski dhe kushëriri i tij i parë dhe ish shefi i Autoritetit të Sigurisë dhe Kundërzbulimit Sasho Mijallkov. Ato janë të padëshirueshme për autoritetet amerikane për shkak të korrupsionit dhe minimit të shtetit ligjor dhe institucioneve demokratike. Ata u bashkangjitën ish-ministri i Punëve të Brendshme Lube Boshkovski dhe kreu i PDSH-së, Menduh Thaçi. FLAKA

Redaksia
Publikuar nga Redaksia 6 Dhjetor, 2023 22:01

Marketing Politik - Çmimore

Presidenciale | Parlamentare