Në luftën me informacione, kundërshtarët nuk zgjedhin metoda, alarmoi Xhensen

Redaksia
Publikuar nga Redaksia 13 Shtator, 2022 14:02

Në luftën me informacione, kundërshtarët nuk zgjedhin metoda, alarmoi Xhensen

Rusia dhe Kina janë ndër aktorët kryesorë, por ka qeveri të tjera rajonale që po përpiqen të krijojnë më shumë pushtet dhe ndikim në Ballkan, thotë Xhej Xhensen, drejtor për komunikime i Komandës Aleate për Operacione të NATO-s, në intervistën e të dielës për Radion Evropa e Lirë. Ai thekson se e vetmja mënyrë për t’iu përgjigjur lajmeve të rreme është ndërtimi i rezistencës ndaj dezinformimit dhe forcimi i besimit në qeveritë kombëtare, përcjell Portalb.mk.

Zotëri Xhensen a po përballet bota, pas pandemisë, dhe tani lufta në Ukrainë, me një luftë të re “informative” dhe cilat janë metodat më të fundit të aktiviteteve të tilla?

Mendoj se po përballemi me sfida në shumë fusha, ekonomike, ushtarake, informative, e kur flasim për luftën “informative” është vetëm një komponent i një spektri konfliktesh dhe kontestesh në të cilat në të vërtetë gjendemi. NATO si aleancë nuk është në luftë, nuk kemi konflikt me askënd për momentin, por sigurisht që ka garë. Gara mes fuqive të tjera, si Rusia, kurse jemi të shqetësuar edhe për grupet terroriste, prandaj duhet të jemi të përgatitur për këto sfida. Një nga rregullat e mia është të mendoj për informacionin dhe dimensionin kognitiv, për mënyrën se si njerëzit e perceptojnë Aleancën, çfarë mund të bëjnë kundërshtarët në mendjet e qytetarëve, si mund ta përdorin informacionin për të përçarë shoqërinë, për të krijuar mungesë kohezioni në Aleancë, këto janë disa nga gjërat në të cilat jemi fokusuar. Në nivelin politik ne i kushtojmë shumë rëndësi idesë së qëndrueshmërisë për t’u siguruar që qytetarët tanë të jenë në gjendje të njohin këto informacione, që nuk janë të sakta, të njohin përpjekjet armiqësore për të krijuar përçarje dhe probleme. Në nivelin ushtarak, ne sigurohemi që trupat tona të mbeten të mbrojtura nga këto gjëra, kujdesemi që qytetarët tanë të kuptojnë se jemi aleancë mbrojtëse, që jemi profesionistë dhe që sillemi në mënyrë përkatëse për t’iu përgjigjur atyre kërcënimeve.

Lufta hibride është sfidë me të cilën përballen të gjithë anëtarët e NATO-s. Kujt i përshtatet ajo luftë hibride dhe nga cilat qendra të pushtetit zhvillohet?

Mendoj se lufta dhe taktikat hibride na prekin të gjithëve. Kemi një botë që është e ndërlidhur. Vendet janë të ndërlidhura, ekonomitë janë të ndërlidhura dhe sigurisht jemi të ndërlidhur edhe në shoqërinë e informacionit. Shumica prej nesh janë në platformat e mediave sociale, ku ndajmë video, informacione, konsumojmë informacione më shumë se kurrë më parë. Ka gjithashtu shumë mënyra për të përdorur inteligjencën artificiale, lajme të automatizuara, po dëgjojmë për botet dhe personalitete të rreme në internet, kështu që pjesë e sfidës është ndërlidhja e botës, aftësia për të automatizuar informacionin dhe rrjedhën e tij: ne të gjithë marrim pjesë në këtë mjedis, por disa aktorë përdorin teknika të veçanta, bëjnë ferma botesh me mijëra profile jo autentike dhe i përdorin për të shumëfishuar lajmet e rreme që iu ndihmojnë për të arritur qëllimet e tyre. Rusia me siguri e bën këtë, por ata nuk janë aktori i vetëm në atë hapësirë, kurse për ne në NATO sfida është të kuptojmë se çfarë po ndodh, si t’i zbulojmë ato përpjekje kundërshtare, si të mbrojmë shoqëritë dhe trupat tona dhe si të përdorim mjete përkatëse për të përcjellë narrativin tonë, ne nuk mund të përdorim të njëjtat taktika dhe teknika si kundërshtarët tanë, sepse jemi aleancë që bazohet në vlera, megjithatë në fund duhet të jemi efektivë në komunikimin dhe trajtimin e informacioneve të dëmshme.

Në luftën, në të cilën përdoren dezinformata, lajmet e rreme dhe propagandën si mjete për ndikim dhe fuqi më të madhe, cilat janë disa nga mënyrat për të mbrojtur veten nga ndikimi i tyre i dëmshëm?

Mund të flas për disa hapa konkretë që mund të ndërmerren. Së pari të krijohet rezistencë shoqërore që është një përpjekje afatgjatë, ashtu që sa më shumë njerëzit janë të vetëdijshëm se ato aktivitete po ndodhin, se kundërshtarët po përpiqen të komunikojnë me ta, se ata e fshehin se kush janë dhe i fshehin qëllimet e tyre, ndërgjegjësimi i tillë ndihmon në mbrojtjen e shoqërisë.

Gjithashtu i rëndësishëm është edukimi, aftësia dhe dëshira për të kërkuar mendime të tjera, për të ditur se cilave burime mund t’u besohet dhe cilat nuk janë të besueshme ose janë të dyshimta, ato lloj shprehish për atë se si njerëzit i pranojnë informacionet janë të rëndësishme për shoqëritë. Dhe gjëja e fundit që do të përmend si shumë efektive, e që ne në NATO po e marrim në konsideratë, është se si të rrisim dhe ruajmë besimin e qytetarëve tanë. Pra, kur ata janë të hutuar ose përballen me lajme të rreme ose me ndonjë mënyrë jo autentike të komunikimi me ta, a e dinë se mund t’i drejtohen NATO-s, qeverive të tyre dhe të thonë -u besoj atyre dhe e di që do të më japin informacion të saktë dhe të besueshëm dhe ajo do të më ndihmojë për të sqaruar ndonjë çështje që kontestohet nga kundërshtari.

Cilat grupe njerëzish apo organizatash janë objektivat kryesore të qendrave që përhapin propagandë dhe dezinformata?

Mund t’ju jap disa shembuj të asaj që po bën Rusia. Rusia dhe Kremlini janë mjaft oportunistë në përpjekjet e tyre informuese dhe prioriteti i tyre kryesor pas invazionit të paligjshëm të Ukrainës është popullsia e tyre. Ne pamë në ditët pas invazionit të 24 shkurtit që qytetarët rusë po protestonin dhe po flisnin hapur, nuk e kuptonin këtë operacion special, ata e shqyrtonin nevojën për të dërguar ushtarë rusë në Ukrainë, shumë prej atyre njerëzve kishin lidhje me ata në Ukrainë dhe ata po e vinin në dyshim vendimin e qeverisë. Dhe Kremlini e ndezi me të shpejtë makinën e tyre të manipulimit drejtpërdrejt mbi popullatën e tyre. I mbyllën mediat e mbetura të opozitës, organizatat politike dhe joqeveritare dhe morën hapa të mëtejshëm. Dhe pastaj filluan me prodhimin masiv të tregimeve të rreme ndaj popullatës së tyre. Ja një shembull. Katër ditë para invazionit pamë një zyrtar të lartë rus duke thënë se ata nuk e kanë ndërmend të kryejnë invazion, se është krejtësisht i gabuar dhe se çdo sugjerim që ata do të bëjnë diçka ushtarakisht në Ukrainë është krejtësisht i gabuar. Katër ditë më vonë pamë se çfarë ndodhi. Atëherë e ndryshuan narrativin duke sugjeruar se duhet t’i heqin qafe të ashtuquajturit nazistë në Ukrainë, ndonëse presidenti i Ukrainës është një disident hebre, ata e prodhuan këtë narrativ dhe e përdorën për një kohë të gjatë ashtu që kjo u poq në kokat e njerëzve. Mundësia tjetër që ata po e kërkojnë është në fakt në popullatën tonë dhe sinqerisht ne jemi mjaft të fortë, kemi një nivel të mirë elasticiteti ndaj mesazheve ruse. Megjithatë, ka kategori qytetarësh që janë më të cenueshëm, mund të jenë njerëzit më pak të arsimuar, të ndarë politikisht, mund të bëhet fjalë për keqkuptime emocionale dhe Rusia po i synon ato segmente të popullsisë dhe po gjen mënyra për t’i shfrytëzuar. Edhe ata e dinë se nuk mund të minojnë demokracitë brenda natës, por ajo që ata po përpiqen të bëjnë është kërkimi afatgjatë i mundësive dhe dobësive të tilla. Dhe ne po e shohim efektin, por duhet të vazhdojmë të punojmë në forcimin e rezistencës.

Cilat janë vlerësimet e NATO-s për ndikimin rus në Ballkan, sa është përmasa e tij dhe sa është rezultat i kësaj, siç thoni ju, luftës hibride të Moskës?

Epo, ne vërejmë ndikime të shumta në hapësirën informative të Ballkanit. Dhe siç e shohim edhe në pjesë të tjera të Evropës, Rusia është mjaft aktive këtu dhe përsëri do të them që nuk është e fokusuar kryesisht në Ballkan, është një fokus dytësor për ta, por ata e dinë që ka tensione midis grupeve të caktuara këtu dhe ata po përpiqen t’i përkeqësojnë ato tensione, t’i manipulojnë ato, të bëjnë gjëra që do të shkaktojnë zemërim tek njëri apo tjetri grup dhe shpresojnë se kjo do të çojë në përçarje, protesta, zënka. Ky është qëllimi i tyre, por nuk janë të vetmit aktorë këtu. Është e qartë se Kina është aktive këtu, në një mënyrë tjetër, në terma afatgjatë ata po përpiqen të vendosin fuqi ekonomike këtu, po përpiqen të arrijnë qëllimet e tyre në rajon përmes ryshfetit ose përfitimeve të tjera nga zyrtarët, dhe sigurisht që ka edhe disa qeveri nga rajoni që kërkojnë ndikim në rajon. Pra, ata të gjithë punojnë së bashku dhe krijojnë një mjedis kompleks që ne duhet ta kuptojmë dhe të jemi në gjendje të veprojmë në mënyrë aktive. Ajo që mund të them është se mënyra më efektive për NATO-n ose çdo qeveri kombëtare për t’u marrë me këtë situatë komplekse është të fitojë besim te njerëzit dhe të ketë një narrativ të fortë për atë që përfaqëson, sepse është me rëndësi, sepse njerëzit duhet t’u besojnë dhe t’u mbështesin.

Këto ditë në Shkup u mbajt një konferenca e NATO-s për komunikuesit. Deri në çfarë mase Maqedonia e Veriut, si anëtarja më e re e Aleancës, është e përgatitur për t’u përballur me sfidat e sigurisë në fushën e komunikimeve strategjike?

Maqedonia e Veriut po shfaq lidership të dukshëm në drejtim të ndërtimit të kapaciteteve ushtarake dhe në mjedisin informativ. Sinjal i dukshëm është mbajtja e kësaj konference të madhe, e cila është ngjarja e parë e madhe me NATO-n, të cilën Maqedonia e Veriut e udhëheq si anëtarja më e re. Vetë fakti që ka mbi 300 ekspertë dhe praktikantë nga të gjithë partnerët dhe nga Aleanca e drejton vëmendjen në këto çështje, e dinamizon debatin dhe ka ndikim tek ne si Aleancë por edhe në Maqedoninë e Veriut si vend nikoqir. Maqedonia e Veriut ka investuar në Qendrën për Marrëdhënie me Publikun për rajonin, që ndodhet jashtë Shkupit dhe përfshin trajnime dhe ngritje të kapaciteteve për mjedisin informativ për forcat ushtarake të Maqedonisë dhe është një lidhje e rëndësishme në komunikimin ndërmjet NATO-s dhe Maqedonisë së Veriut. Ne ndihmojmë njëri-tjetrin, punojmë së bashku dhe kjo konferencë është forcim i këtyre lidhjeve. ato përpjekje për të shkëmbyer përvoja, mësime, praktika më të mira, kështu që është një hap vërtet pozitiv përpara. Maqedonia e Veriut, si një shtet anëtar relativisht i vogël dhe më i ri, jep një shembull të mirë.

Cili është saktësisht roli i komunikuesve të NATO-s?

Në përgjithësi, roli i komunikuesve të NATO-s është t’ia tregojmë rrëfimin tonë popullatës sonë dhe të themi se kush jemi, çfarë përfaqësojmë dhe pse ka rëndësi. Marrëveshja e Uashingtonit që u nënshkrua kur NATO u formua 73 vjet më parë i përgjigjet shumë prej këtyre pyetjeve. Jemi një aleancë mbrojtëse, e bazuar në parimet e demokracisë, lirisë, respektimit të rregullave ndërkombëtare që na mbrojnë nga lufta dhe e ndërtojnë paqen. E dini, objektet ushtarake janë të destinuara për mbrojtjen e aleatëve, por me përdorimin e dhunës. Njerëzve nuk u pëlqen të flasin për raketa, aeroplanë, luftë, ato janë kapacitete për shkatërrim, por në fund të fundit shoqëria jonë duhet të kuptojë se mbrojtja e ekonomive, shoqërive dhe besimeve tona është shumë e rëndësishme dhe ne duhet të kujdesemi për to. Kemi 30 aleatë që kanë rënë dakord të punojnë së bashku, se do të mbrojnë njëri-tjetrin nga kërcënimet nga çdo anë. Dhe është përgjegjësia jonë ta ndërtojmë atë mbështetje, atë mirëkuptim dhe të sigurohemi që qytetarët tanë ta kuptojnë rëndësinë e mbrojtjes dhe sigurisë. Dhe funksioni i fundit që kemi…duhet të jemi gati për konflikt. Nëse ndodh më e keqja, ne duhet të sigurohemi që ushtritë, forcat ajrore dhe marina të jenë gati, por gjithashtu që komunikuesit të jenë gati të luftojnë lajmet e rreme dhe të dëmshme që na vijnë dhe t’u shpjegojmë audiencave të tjera pse po mbrohemi, për çfarë luftojmë sepse e dimë se kundërshtarët tanë do të tregojnë një histori tjetër që nuk do të jetë e vërtetë.

Redaksia
Publikuar nga Redaksia 13 Shtator, 2022 14:02

Marketing Politik - Çmimore

Presidenciale | Parlamentare