Në pritje të anëtarësimit në BE, derdhen investimet kineze

Redaksia Flaka
By Redaksia Flaka May 8, 2019 19:41

Në pritje të anëtarësimit në BE, derdhen investimet kineze

Samiti i para tre javëve në Dubrovnik konfirmoi vazhdimin e investimeve kineze në rajonin e Ballkanit Perëndimor dhe Evropën Lindore. Për Kinën, vendet evropianolindore e juglindore janë të rëndësishme për shkak të projektit gjigand infrastrukturor “Rruga e Re e Mëndafshit”. Në kuadër të këtij projekti, Pekini kërkon të investojë në projekte miliardëshe si rrugë, binarë hekurudhorë, rrjete telekomi, aeroporte… Kështu do të krijohen korridore të reja ekonomike dhe tregtie drejt Evropës, Afrikës, deri në Amerikën Latine.

Vitet e fundit, Kina ka investuar miliarda dollarë në Evropën Lindore, në formë kredish dhe në formë të projekteve ndërtimore që ka marrë përsipër. Shumica e investimeve kanë shkuar deri më tani drejt Serbisë, më shumë se 10 miliardë dollarë. Pekini ka investuar aty sidomos në industrinë e çelikut, infrastrukturë, energji… Pas kësaj vjen në radhë Hungaria me rreth 4 miliardë dollarë, e Polonia me 3 miliardë dollarë.

AUTOSTRADAT ME KREDI KINEZE

Në Maqedoninë e Veriut, aktualisht me kredi kineze të vlefshme mbi 600 milionë euro është ndërtuar autostrada nga Shkupi deri në Shtip, ndërsa në rrjedhë e sipër është ndërtimi i autostradës nga Kërçova deri në Ohër. Para dy javësh, në qendrën kryesore turistike kroate u nënshkrua marrëveshje dypalëshe midis dy shteteve në fushën e bujqësisë për periudhën 2020-2022.

“Ky plan aksional parashikon përforcimin e bashkëpunimit bilateral në fushën e bujqësisë midis Republikës Popullore të Kinës dhe Maqedonisë së veriut , tregtinë me prodhime bujqësore, bashkëpunim ekonomik dhe zhvillim rural , bashkëpunim në shkencat e bujqësisë dhe teknologjisë informatike, si dhe bashkëpunim në fushën e sigurisë të ushqimit. Pres që në bashkëpunimi i përforcuar me Kinën të kontribuojë për rritjen e prodhimtarisë tonë bujqësore, rritjen e standardeve dhe gjasa më të mëdha për eksport dhe plasma të prodhimeve vendore bujqësore në Kinë”, thotë kryeministri Zoran Zaev.

Në ndërkohë, investimet kineze në Ballkan , janë nga më të ndryshmet duke filluar nga centralet me qymyr e deri tek aeroportet, urat dhe teknologjia Informatike, ku Kina po kërkon me ngulm investime në Ballkanin Perëndimor, duke hapur rrugën për një betejë të re për ndikim në portat e Bashkimit Evropian. Edhe pse perëndimi prej kohësh ka parë Rusinë si rivalen e saj në këtë qoshe të trazuar të Evropës Juglindore. Por, tani ka një tjetër lojtar të madh në fushë, me kompanitë kineze që po mbushin hendeqet e zhvillimit në këto vende me financa jo të forta, ku ëndrrat për të hyrë në BE vazhdojnë të zvarriten në horizont.

Mediat perëndimore vlerësojnë se përderisa prêt anëtarësimin në BE, shtetet e rajonit e ndihmojnë zhvillimin e tyre me kredi kineze. “Më mirë një harabel kinez sesa një pëllumb evropian”, thotë gazeta gjermane Franfurter Allemajne Cajtung , duke theksuar se shtetet e Ballkanit Perëndimor dëshirojnë anëtarësimin në Bashkimin Evropian, por përderisa kjo nuk ndodh , ato me kënaqësi pranojnë të hollat nga Pekini. Sipas agjencisë franceze të lajmeve AFP, BE-ja është përgjegjëse për 60 për qind të investimeve direkte totale në rajon, një zonë që përfshin Serbinë, Bosnjën, Malin e Zi, Maqedoninë e Veriut, Shqipërinë dhe Kosovën, ndërsa Kina pak më shumë se 2 për qind . Por, Kina në 6 vitet e fundit ka avancuar në shpenzimet e lidhura me infrastrukturën, duke rivalizuar shumat e shpenzuara nga BE-ja dhe po lë gjurmë të dukshme. Si një portë drejt Evropës Jugore, Ballkani është një pjesë kyçe e pazëllit të Pekinit “Një brez, një rrugë”, një projekt ky që vlerësohet se vlen më shumë se 1 trilion dollarë e që synon të hapë rrugën për eksportet kineze në Evropë dhe përtej saj. Në Perëndim, ky grupim është parë me dyshim, si një përpjekje kineze për të ndarë bllokun. E kjo ka bërë që Brukseli të nisë të marrë masa për të penguar ofensivën e gjigandit aziatik. Sidoqoftë, Ballkani Perëndimor mbetet një fushë e hapur jashtë BE dhe gjithnjë e më shumë po tërheq Kinën. Në muajin shkurt, politikanët evropian kanë votuar një sistem të ri të monitorimit ndaj investimeve të huaja, që pritet të përkufizojë mundësitë e Kinës të blejë kompani që punojnë në fushat strategjike të teknologjisë dhe infrastrukturës.

TENDERËT QË PO FITOJNË KOMPANITË KINEZE

Ndryshe, ndër investimet e fundit kineze janë edhe ato në Kroaci dhe Bosnje e Hercegovinë.​ Ura e Peljeshac që lidh dy pjesët e bregdetit kroat duke anashkaluar një rripë të ngushtë tokës që i takon Bosnje e Hercegovinës, e gjatë 2.4 kilometra e gjatë dhe 55 metra e lartë, do të ndërtohet nga ana e kompanive kineze. Sipas përllogaritjeve, projekti ambicioz do të kushtojë 420 milionë euro, 85 për qind e të cilave janë fonde të BE-së. Tenderin për këtë projekt nuk e ka fituar një kandidat nga BE-ja, por sipërmarrja shtetërore kineze “China Road and Bridge Corporation”. Përveç çmimit të lirë, CRBC është zotuar se do ta mbarojë këtë ndërtim gjashtë muaj para afatit të parashikuar në tender. Para dy muajsh, Anëtarët e Parlamentit në Bosnje dhe Hercegovinë kanë miratuar garancinë për kredi me vlerë prej 614 milionë euro nga Kina për ndërtimin e termocentralit të ri në Tuzlla, përkundër kritikave nga Sekretariati i Traktatit të Energjisë nga Bashkimi Evropian se i njëjti përfaqëson “ndihmë shtetërore”.Parlamenti miratoi garancinë të enjten e kaluar pasi që u sigurua se projekti nuk dëmton buxhetin e vendit dhe nuk paraqet “ndihmë shtetërore”. Përmes termocentralit të ri, Bosnja dhe Hercegovina synon të zëvendësojë tri njësi të vjetra të këtij termocentrali. Projekti përfaqëson investimin më të madh në sektorin e energjisë në Bosnje dhe Hercegovinë, që nga përfundimi i luftës. Gjithashtu, kompania kineze Hisens bleu edhe fabrikën sllovene “Gorenje”, për afër 300 milionë euro. (koha.mk)

Redaksia Flaka
By Redaksia Flaka May 8, 2019 19:41