Në pritje të masave lehtësuese – Pandemia shton frustrimet nëpër burgje

Desk
By Desk May 4, 2020 20:16

Në pritje të masave lehtësuese – Pandemia shton frustrimet nëpër burgje

Janë të kuptueshme frustrimet e personave të dënuar, pasi që atyre u është rënduar komunikimi të cilin e kanë pasur më herët. Përgjegjësit e burgjeve presin që në kuadër të zbutjes së masave restriktive, të përfshihen edhe burgjet.

Zbutja e masave restriktive ndaj pandemisë nënkupton lehtësime edhe për personat e burgosur dhe ata të cilët qëndrojnë në paraburgim në institucionet ndëshkuese përmirësuese . Kreu i Drejtorisë për ekzekutimin e sanksioneve, Jovica Stojanoviq, për gazetën KOHA, shprehet se është për zbutjen e masave restriktive, të cilat do t’i përfshinë edhe burgjet në Maqedoninë e Veriut. Mirëpo, sipas tij, fjalën e fundit e ka Qeveria.

“Cilat masa do t’i propozon Qeveria, çfarë dekreti do të sjell, në kuadër të këtyre vendimeve do të veprojmë edhe ne. Nuk kemi për qëllim t’i mbajmë të mbyllur të burgosurit nëse nga mesi i këtij muaj ka zbutje të masave për KOVID-19. Edhe ata janë njerëz dhe duhet të shihen me familjet. Sidomos ata të cilët më herët kanë shfrytëzuar favore, ndërsa gjatë këtyre dy muajve nuk kanë pasur mundësinë t’i shfrytëzojnë këto lehtësime”, tha Stojanoviq.

Mes tjerash, ai theksoj se është i kënaqur se funksionon sistemi gjyqësor në këtë periudhë të pandemisë, duke shtuar se i kupton frustrimet e personave të dënuar, pasi atyre u është rënduar komunikimi të cilin e kanë pasur më herët.

Ndër kategoritë më të prekura nga masat e Qeverisë përballë pandemisë me KOVID-19 sa i përket lëvizjes dhe kontaktit me pa dyshim se janë personat që për arsye të ndryshme gjenden në burgjet e vendit. Prej vendimeve të para parandaluese për shpërndarjen e korona virusit ishte masa që mos të lejohet kontakti fizik i të burgosurve me botën e jashtme. Gjatë kësaj periudhe e cila sipas paralajmërimeve nuk do të zgjasë edhe shumë të burgosurit nga të afërmit e tyre kanë pranuar vetëm pakot me ushqim, të cilat para se të futën në burgjet e vendit i janë nënshtruar një dezinfektimi paraprak. Këtë situatë më vështirë e kanë përjetuar të burgosurit e huaj, respektivisht ata nga Kosova e Shqipëria. Mbyllja e kufijve për këta të burgosur ka nënkuptuar edhe pengesë për të pranuar ndihma të familjarët e tyre. Kësisoj ditëve të kaluar disa shoqata humanitare në vend e kanë marrë për sipër kujdesin ndaj këtyre të burgosurve, deri sa nuk miratohen masa të reja nga Qeveria.

Ndryshe, prej gjitha INP-ve në vend pandemia u shfaq vetëm në një rast në burgun e Shutkës. Vdekja e një banori të Resnjes, në burgun e Shutkës, me tetë prill, i cili më pas rezultoi të ketë qenë pozitiv në KOVID-19 shkaktoi panik në mesin e të burgosurve të cilët filluan një protestë brenda këtij burgu. Megjithatë, kjo situatë për shkurtë kohë u vendos nën kontroll, me testimin e dhjetëra të burgosurve, pas të cilës u konfirmuar se nuk ka raste tjera pozitive me KOVID-19. (koha.mk)

Desk
By Desk May 4, 2020 20:16