Në vend të arbitrazhit ende parapëlqehet mënyra gjyqësore për zgjidhjen e kontesteve ekonomike

Redaksia Flaka
By Redaksia Flaka May 10, 2019 09:37

Në vend të arbitrazhit ende parapëlqehet mënyra gjyqësore për zgjidhjen e kontesteve ekonomike

 Përkundër faktit që arbitrazhi është njëra prej mënyrave më të shpejta për zgjidhjen e kontesteve ekonomike në shtetin tonë, kompanitë ende nuk e shfrytëzojnë sa duhet këtë mundësi, meqë parapëlqejnë mënyrën gjyqësore për zgjidhje, shprehen nga Gjykata e Përhershme – Arbitrazhi e Odës Ekonomike të Maqedonisë.

Prej atje bëjnë të ditur se kjo praktikë ngadalë po ndryshon në drejtimin pozitiv, e këtë e tregon edhe numri i lëndëve të regjistruara para Arbitrazhit, që shënon trend të rritjes në vitet e fundit. Shtojnë se ky institucion ka kapacitet të kuadrove dhe pajisje teknike për të shërbyer edhe deri 10 për qind të numrit të përgjithshëm të kontesteve tregtare.

Të dhënat statistikore nga puna e Arbitrazhit tregojnë se në vend thuajse në mënyrë të barabartë iniciohen procedura arbitrazhi me dhe pa element ndërkombëtar. Në dy vitet e fundit 54 për qind e procedurave të ngritura para Gjykatës së zgjedhur të Përhershme – Arbitrazhit kanë qenë konteste me element ndërkombëtar, derisa, nga ana tjetër, 46 për qind kanë qenë konteste të brendshme.

Njëra prej vlerave kryesore të procedurës së arbitrazhit është efikasiteti, meqë mesatarisht zgjatë prej gjashtë deri nëntë muaj.

– Viteve të fundit ka tendencë për shkurtimin e kohëzgjatjes së procedurave të arbitrazhit të vërtetuara para Gjykatës së zgjedhur të përhershme – Arbitrazh të Odës Ekonomike të Maqedonisë, me ç’rast nëse në vitin 2017 kohëzgjatja mesatare e procedurave të arbitrazhit ka arritur 208 ditë, në vitin 2018 kohëzgjatja mesatare e procedurave ka qenë 186 ditë ose përafërsisht gjashtë muaj, bëjnë të ditur prej atje.

Një kompani vendore arriti të arkëtojë kërkesë me vlerë prej thuajse tetë milionë euro nga një kompani austriake

Një ndërmarrje vendore para disa viteve ka arritur të arkëtojë kërkesë me vlerë prej thuajse tetë milionë euro nga një kompani austriake, pas procedurës së arbitrazhit që është zhvilluar para Gjykatës së Përhershme – Arbitrazhit të Odës Ekonomike të Maqedonisë dhe ka përfunduar për më pak se nëntë muaj.

Veçoria specifike e këtij rasti, siç shprehen nga Gjykata e arbitrazhit, qëndron në atë se drejtpërdrejt pasi që kompania e ka realizuar kërkesën e saj, mbi kompaninë austriake është hapur procedurë e falimentimit, me ç’rast pjesa më e madhe e kompanive tjera vendore që kanë bashkëpunuar me kompaninë austriake dhe që kanë drejtuar procedura gjyqësore për  realizimin e kërkesave të tyre (për shkak se nuk kanë parashikuar arbitrazhin si mënyrë për zgjidhjen e kontesteve të tyre), për shkak të hapjes së procedurës së falimentimit, në pjesën më të madhe kërkesat kanë mbetur të parealizuara.

– Ky shembull vetëm e tregon rëndësinë e rregullimit përkatës të mënyrës së zgjidhjes së kontesteve edhe si arbitrazh me efikasitetin e tij mund të kontribuojë në avancimin e rrethimit afarist, theksojnë nga Gjykata e Arbitrazhit.

Vendimi i arbitrazhit sipas veprimit të tij juridik është i barabartë me vendimin e plotfuqishëm dhe ekzekutiv gjyqësor

– Kontestet e regjistruara para Arbitrazhit përfundojnë me vendim, i cili është obligues për palët dhe në mungesë të përmbushjes vullnetare të obligimeve mund të zbatohet përmes rrugës së dhunshme, gjegjësisht vendimi që merret në procedurën e arbitrazhit barazohet me vendimin e plotfuqishëm gjyqësor dhe paraqet bazë për zbatim të dhunshëm. Në procedurën e arbitrazhit nuk ka mundësi për parashtrimin e ankesave si ilaç juridik, shprehen nga Gjykata e Arbitrazhit.

Regjimi i këtillë i thjeshtë i arbitrazhit, siç bëjnë të ditur, arsyetohet me faktin se Gjykata e Arbitrazhit konstruktohet si rezultat i vullnetit të palëve që në mënyrë të pavarur t’i emërojnë arbitrat në kontestin, për shkak të cilës arsye arbitrazhi gëzon besim.

Njëherësh e drejta e arbitrazhit parashikon një regjim më të thjeshtë për njohjen dhe realizimin edhe të vendimeve të huaja të arbitrazhit jashtë vendit. Me këtë rast, kjo ka të bëjë me shtetet kontraktuese të Konventës për njohjen dhe realizimin e vendimeve të huaja të arbitrazhit (Konventa e Nju-Jorkut), me ç’rast bëhet fjalë për një numër të madh (rreth 150) shtete kontraktuese.

Procedura e arbitrazhit është dukshëm më ekonomike sesa ajo gjyqësore

Shpenzimet në procedurën e arbitrazhit përcaktohen në përputhje me Rregullat për shpenzimet në procedurën para Gjykatës së zgjedhur të Përhershme – Arbitrazhi të Odës Ekonomike të Maqedonisë në varësi nga vlera e lëndës së kontestit, përbërja e gjykatës së arbitrazhit, numri i palëve në procedurë, si dhe nëse bëhet fjalë për kontest me ose pa element ndërkombëtar.

Arbitrazhi dallon nga procedura e rregullt gjyqësore në bazë të asaj se shpenzimet paguhen me paradhënie nga paditësi, me ç’rast lartësinë e paradhënies së shpenzimeve të procedurës, në bazë të Rregullave për shpenzimet në procedurë, e përcakton kryetari i Arbitrazhit.

Në barë të kujt do të jenë shpenzimet e arbitrazhit, vendoset në vendimin përfundimtar, me ç’rast nëse palët nuk janë marrë vesh ndryshe, shpenzimet e procedurës do të jetë e obliguar t’i paguajë pala e cila e ka humbur kontestin, e në rast se kërkesa paditëse të jetë pjesërisht e aprovuar, shpenzimet i paguajnë të dyja palët, në përpjesëtim të njëjtë me pjesën e aprovuar, gjegjësisht refuzuar të padisë.

Nëse merren parasysh njëtrajtshmëria dhe përqendrimi i procedurës së arbitrazhit, ajo mund të tregohet si dukshëm më ekonomike sesa procedura gjyqësore.

Në botë arbitrazhi ende ka vend të pacenueshëm te bashkësia e biznesit si metoda më e preferuar për zgjidhjen e kontesteve afariste

Trendët botëror tregojnë se Londra, Parisi, Gjeneva, Singapori dhe Hong-Kongu janë në majën e listës së qendrave të arbitrazhit, dhe se në vitet e ardhshme pritet rritje e konsiderueshme e shfrytëzimit të arbitrazhit si metodë për zgjidhjen e kontesteve edhe jashtë kontesteve tradicionale tregtare, në fusha si energjetika, ndërtimtaria, teknologjitë informatike, veprimtaria bankare dhe financat. Në mënyrë plotësuese, trendët tregojnë se teknologjitë digjitale do të marrin rëndësi gjithnjë e më të madhe në procedurat për zgjidhjen e kontesteve.

Ngjarjet rajonale – konferencat ndërkombëtare, takimet e Grupit të institucioneve të arbitrazhit nga Evropa Qendrore dhe Lindore, në organizim të ICC-së dhe ngjarjeve tjera nga fusha e së drejtës së arbitrazhit tregojnë se rajoni përballet me situata të ngjashme dhe praktika arbitrazhi, me ç’rast në vendet vazhdimisht bëhen përpjekje për zhvillimin dhe arritjen e trendëve botërore nga fusha e arbitrazhit ku ai ka vend të pacenueshëm te bashkësia e biznesit si metoda më e preferuar për zgjidhjen e kontesteve afariste.

Këtë e konfirmojnë edhe të dhënat nga hulumtimi i arbitrazhit i zbatuar nga Universiteti “Kuin Meri” Londër dhe Shoqata e avokatëve “Vajt end Kejs” vitin e kaluar në mes përfaqësuesve të shërbimeve juridike të kompanive, arbitrave dhe avokatëve.

Të dhënat nga hulumtimi tregojnë padyshim se në raport me kontestet me element ndërkombëtar arbitrazhi është metodë e preferuar për zgjidhjen e tyre për thuajse 97 për qind të subjekteve. Ajo që është edhe më e rëndësishme, 99 për qind e subjekteve që ndonjëherë kanë përdorur arbitrazhin për zgjidhjen e kontesteve të tyre ose kanë qenë të përfshirë në njëfarë mënyre në procedurë të arbitrazhit, sërish do të zgjidhnin arbitrazhin për zgjidhjen e kontesteve të tyre dhe do ta rekomandonin si mënyrë më efikase për zgjidhjen e kontesteve me element ndërkombëtar.

Redaksia Flaka
By Redaksia Flaka May 10, 2019 09:37