Negociatat MASh – SAShK, Ademi: Takimet vazhdojnë dhe zhvillohen në kahje të mirë

Redaksia Flaka
By Redaksia Flaka November 5, 2019 19:19

Negociatat MASh – SAShK, Ademi: Takimet vazhdojnë dhe zhvillohen në kahje të mirë

Qeveria nuk kishte në rend dite kërkesat e SAShK-ut për pagat në sektorin e arsimit, por ministri i arsimit, Arbër Ademi, thotë se takimet vazhdojnë dhe po zhvillohen në kahje të mirë, deri në arritjen e një marrëveshjeje për të cilën do dakordohen të dyja palët.

“Sot kemi seancë të zakonshme të Qeverisë dhe nuk është paralajmëruar se do të ketë diçka jashtë pikave të cilat janë publikuar dhe për të cilat organet e Qeverisë janë njoftuar. Takimet vazhdojnë, bisedimet vazhdojnë, uroj që sa më shpejtë të arrijmë marrëveshje konkrete”,- deklaroi ministri i arsimit, Arbër Ademi.

SAShK: Të enjten vendosim për hapat e mëtejshëm

Ndërkohë, SAShK-u pret që qeveria në seancën e së mërkurës të tregojë qëndrimin final lidhur me kërkesat e SASHK-ut. Kreu i Sindikatës, Jakim Nedellkov, i cili për TVM 2 thotë se numri më i madh i anëtarësisë së SAShK-ut vlerëson se rritja e pagave duhet të fillojë nga muaji janar. Por, deri të mërkurën pritet raporti nga Qeveria dhe në varësi të tij, të enjten Këshilli i SAShK-ut do të dalë me qëndrim se a do të aktivizohet bojkoti apo ky vendim do të tërhiqet.

“Patjetër duhet të vendosin dhe të na tregojnë qëndrimin, sepse ne kemi vendim aktiv për grevë që ende vlen dhe nëse nuk na e tregojnë vendimin nesër. Ne të enjten kemi seancë të Këshillit të SAShK-ut, ku ose e vërtetojmë vendimin për grevë ose e tërheqim të njëjtin në varësi të ofertës konkrete”,- u shpreh kryetari i SAShK-ut, Jakim Nedellkov.

SAShK kërkon rritje të pagave prej më shumë se 10 për qind duke filluar nga muaji janar. SAShK-u është në pritje të propozimit final të Qeverisë dhe nëse nuk pajtohen me të njëjtin, kanë paralajmëruar grevë gjenerale në arsim, e cila do të mbahej më 11 nëntor.(Tvm2)

Redaksia Flaka
By Redaksia Flaka November 5, 2019 19:19