Nëna heroike, nëna Hume!

Redaksia
Publikuar nga Redaksia 29 Tetor, 2022 08:56 Updated

Nëna heroike, nëna Hume!

HUMA VELIU-AHMETI (1926-2016)

/Material i shkëputur nga; Mr. Sc. Ismet Jonuzi-Krosi “QËNDRESA SHQIPTARE NË JUGOSLLAVINË TITISTE” (1944-1990 ) Shtypshronja “Lumagrafik” – TETOVË, 2018 fq.703, 704, 705 dhe 706/

Huma lindi më 1929 në fshatin Kollar të Kërçovës, ndonëse është evindentuar e lindur më 1926 pasi ka pasur një motër më të madhe Arzijen, e cila ka ndërruar jetë shumë e re. Mbetet shumë e re pa prind, ngase ia vrasin babain Fazli Llani Veli Ramçen në vitin 1941, gjithashtu në vitin 1943 është vrarë vëllai i prindit Azem Veli Ramçja (gjyshi i viprimtarit të kauzës sonë kombëtare Fazli Veliut, të cilit ia ka vënë emrin e prindit të vet Huma në shenjë kujtimi), pra është bashkëluftëtarë i shokëve të idealit për mbrojtjen dhe bashkimin e trojeve të robëruara shqiptare me shtetin amë siç dihen si; Ali Mangupi, Hatem Asati, Begzat Vuli, Mefailit të Madhe e Mefailit të Vogël nga Zajazi etj. Ndonëse, Nënëmadhja Hume ishte fëmijë e moshës 12 vjeçare, por sipas dëshmive që i ka lënë të inçizuara nga djali i saj Fekri Ahmeti, se ajo ka qenë dëshmitare e vrasjes së Emin (Mit Pançes) në vitin 1941, që sipas përshkrimeve të saj, plumbi e kishte marrë Mit Pançen në sy dhe se tërë natën e kishin ruajtur kufomën e tij që ia kishin mbuluar fytyrën me struken ë xhamadanit dhe të nesërmen Mulla Ali Dila nuk e kishte larë fare kufomën e dëshmorit që sipas fesë ai nuk duhet të lahet. Pra, ky rast i kishte mbetur në kujtesë Nënë Humes që e rrëfente duke qarë.


Sunduesit hegjemonistë serbë e kishin halë në sy familjen e prindërve të Humes nga fshati Kollare që dëshmojnë vrasjet dhe torturat, që sipas dëshmive të inçizuar nga rrëfimet e Hume Ahmetit të vitit 2016, pra disa muaj para vdekjes së saj, ajo ka lënë dëshmi rrënqethëse për krimet makabre të sunduesve serbë, e cila me lot e shumë dhembje rrëfente për vrasjet si të prindit të saj Veliun, mixhën e saj Fazliun (për këtë të fundit pasi janë zhvilluar luftime të ashpra me pushtuesit partizanë në vendin e quajtur ish Kazerma e Kërçovës ku ka shumë eshtra shqiptarësh të vrarë në betejën e vitit 1943). Familjes Veliu nga fshati Kollare, sundusit hegjemonistë në vitin 1945 ia vrasin edhe Mehmet Veliun, i cili ka qenë bari së bashku me dy të tjerë nga fshati Zajas tek Shaban Debreshi nga Gostivari, të cilët sipas dëshmive të Hume Ahmetit, kanë qenë rrogëtarë në Debresh, pasi partizanët i pushtojnë, pa asnjë arsye i vrasin këta të tre, të cilët i lidhin me brezat dhe i pushkatojnë në sinorin e fshatit Vapçisht (dëshmitë flasin se Mehmet Veliu, ka qenë një burrë i pashëm, i zhvilluar dhe shumë punëtor i zellshëm, për këtë e vrasin së bashku me dy të tjerët që ishin nga fshati Zajaz, që ende për fat të keq llogariten varrhumbur ngase eshtrat e tyre nuk janë nxjerrë ende nga varreza masive). Për miqësinë me Qehanë Shaban Debreshin ende ruajnë kujtime pasi djali i këtij qehasë Selman Debreshin e kanë pasur mik në familje.

Jonuz Ahmeti ka qenë antikomunist i përbetuar dhe tërë jetën e tij kurrë nuk është pajtuar me sundimin jugosllav, vdes në moshën 78 vjeçare, pra ndërroi jetë në vitin 1989. Pra, mixha i Ali Ahmetit, ka qenë në aradhat vullnetare të Ballit Kombëtar.
Metë Xhaka, të cilin e kanë likuiduar me atentat të montuar nga pushtuesit osman, sipas rëfimeve të përcjellura nga të parët, këtë e dëshmoi në takim edhe stërnipi i tij Fekri Isam Ahmeti se, kah fundi i shekullit të XVIII një tagrambledhës i pushtetit osman me emrin Ibrahim Tavmuni duke i vjelur taksat nga banorët e Zajazit është sjellur shumë i vrazhdët dhe arrogant ndaj popullatës së varfur që nuk kanë pasur mundësi të shlyejnë tatimet ndaj pushtetit që thuajse të gjithë edhe i vë në pranga në burg. Ndonëse Metë Xhaka, kishte dhen dhe mulli, u detyrua që me ar t’ua pagojë banorëve të Zajazit tatimin, duke thënë se do të m’i kthejnë nëse ndonjëherë ua jepë Zoti, nëse nuk do të kenë mundësi, ai ua kishte falur me të vetmin qëllim që të jenë të lirë. Kjo sjellje humane e iritoi tejmase tagrambledhësin, i cili edhe ia kishte kurdisur vrasjen tinëzare tek Mulliri i Xhaferit që ishte pronë e tij, pra Metë Xhakën e vranë në pabesi në moshën 72 vjeçare.


Nëna e Madhe Hume Ahmeti, që në fëmijëri mbeeti pa prindër, por fati deshti që ta martohej tek Isam Ahmeti në fshatin Zajaz, e cila njihet si familje bujare dhe me traditë aristokrate ngase ishte në zë si familje e Myderriz Ali Dilës (1885-1958), një intelektual që kishte krzer teologjinë në Stamboll në vitet 1905-1910, pra kishte qenë student i Rexhep Vokës, mbështetës i denjë i kauzës sonë kombëtare që nga kongreset e gjuhës shqipe të Manastirit e deri në vdekjen e tij, ndonëse pushteti jugosllav e burgosi me dy vjet e gjysëm në Manastir me pretekstin e njohur ngase ka kundërshtuar dhe ka përhapur idetë se nuk duhet lëshuar vendlindja e të emigrohet në Anadolli siç kërkonte pushteti komunist për të shprazur trojet shqiptare. U burgos në vitin 1948 në Manastir ku edhe e vuajti burgun deri në vitin 1951. Myderiz Ali Dila, pos që ishte intelektual i kohës, ai gjithashtu ka luajtur rol edhe në familjen e tij që i ka edukuar dhe frymëzuar, këtë e dëshmojnë një mori të dhënash që me ligjëratat e tij përmbajtësore për ngritjen e moralit kombëtar dhe kurrë nuk është gjunjëzuar para pushtuesve hegjemonistë serbë. Duhet veçuar se ai fare mirë e ka ditur se në vitin 1913, në pusin tek obrri i shtëpisë së tyre, pushtuesitë serbë kanë varë e masakruar me dhjetra shqiptarë dhe i kanë hedhur në pus, atë vend gjithmonë u ka thënë se duhet kujdesur se aty prehen eshtrat dhe nuk duhet pasur frikë se nuri i tyre gjithmonë ka ndriçuar natën, për të cilën gjë edhe e ka rrethuar vendin dhe pusin që të mos dëmtohet deri sa në vitin 2017 vetë pasardhësi i tij Ali Ahmeti së bashku me institucionet relevante e shpalosi këtë varrëzë masive dhe që sot gjendet edhe kopleksi i Nënës kërçovare në fshatin Zajaz.
Hume Ahmeti, kishte gjashtë fëmijë. Katër djem e dy vajza. Ishte e frymëzuar dhe e mishëruar më idealin e lirisë që kurrë nuk u pajtua e as që lëshoi ndonjëherë pe duke i rritur fëmijët me krenarinë e një nëne, e cila ishte e kalitur nga të dy familjet, nga ana e prindërve të saj nga fshati Kollare dhe këndej nga vjehrri i saj Myderrizi Ali Dila dhe paraardhësit e tij që kurrë nuk u pajtuan me sunduesit e këtyre trojeve. Pra, ngjarjet dhe vrasjet që i kishin ndodhur në familjen e prindit të saj, rezultoi edhe tek fëmijët e saj e me theks të veçantë tek Ali Ahmeti, i cili ishte student në fakultetin filozofik në drejtimin e pedagogjisë që edhe kishte mbaruar, por demonstratat e vitit 1981, këtë e gjejnë përkrahë demnstratave të studentëve në Prishtinë, për të cilën edhe e dënojnë si pjesëmarrës i demonstratave të vitit 1981. Po ashtu, Ali Ahmeti, me rastin e shënimit të tre vjetorit të demonstratave të Pranverës së Studentëve, pushteti jugosllav u përpoq që sërish ta burgose, por u arratis në Zvicër ku u kyç në lëvizjet e ilegalitetit për çështjen kombëtare deri në vitin 2001 kur edhe doli publikisht përfaqësues politik i Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare në Maqedoni, ndërsa sot (2018) është kryetar i BDI-së.
Shtëpinë e të Madhes Nënës Hume tri herë e kanë bastisur forcat policore. Bashkëbiseduesi im, Fekri Ahmeti (i lindur më 1964) rrëfen se pasi filloi shkatërrimi i Republikës Federative të Jugosllavisë Socialiste, ky edhe pse ishte mërgimtar në Zvicër, por nevoja dhe angazhimet që i merrte nga vëllai i tij Ali Ahmeti dhe shokët e ilegales e angazhojnë që të jetë pjesë e furnizimeve me armë për në Kosovë.
Pas mbledhjes konstituive historike të LPK-së në fshatin Kollare, ku Ali Ahmeti qëndroi në familje duke i konsiliduar radhët dhe duke i falënderuar të gjithë ata që mundësuan të mbahej mbledhja konstituive e LPK-së me sukses që më pas i dhanë frutet e lirisë deri më 2001.
Sipas dëshmive të ofruar, lidhjet e furnizimeve me armë janë bërë nga shokët e Ali Ahmeti, që e përmendën me shumë mburrje heroin kombëtar Fehmi Lladrovcin, i cili prej Kroacie ka dërguar armë për në Itali, ndërsa vëllai i tij Ali Ahmeti i ka koordinuar punët prej Italie në Shqipëri, kurse Fekriu me shokë të tjerë nga Shqipëria i kanë sjellur në Zajaz e më pas i kanë dërguar për në Kosovë, por pasi tri herë më parë kishin dërguar armë për në Kosovë, herën e tretë me të si përgjegjës kishin qenë të dy heronjtë ekombit Beqir Limani dhe Ruzhdi Veliu, në vitin 1994 në afërsi të fshatit Tearcë të rrëthinës së Tetovës, së bashku me vëllëzërit e heroninës së kombit Xhevë Krasniqin-Lladrovcin, pra dy vëllezërit e Xhevë Krasniqit Aliu dhe Atom Krasniqi ku me këta ishte edhe Ruzhdi Veliu, ranë në pusi të policisë së Maqedonisë me çka edhe u burgosë Fikret Ahmei dhe Ruzhdi Veli me nga tre vjet e gjysëm burg. Burgun e vuajtën në burgun e Idrizovës, pasi i kishin zënë duke transportuar armë për në Kosovë, që sipas Fekri Ahmetit, i cili e thotë me sinqeritet se u kishte thënë organeve të hetuesisë se ai i pranonte armët nga Shqipëria me urdhër të Ali Ahmetit dhe i dërgonte po me urdhërin e tij për në Kosovë. Pasi e kreu burgun, u kthye në vendlindje dhe sërish filloi me veprimtarinë kombëtare, por duhet veçuar se në vitin 1998 i vdesë prindi Isami, ndërsa lufta për çlirimin e Kosovës ishte shpallur nga bijtë dhe bijat e kombit me emblëmën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Fekri Ahmeti e kishte mbështetëse të denjë nënën Hume, e cila gjithmonë priste dhe përcillte ushtarë të lirisë që në të shumtën e rasteve për hirë të sigurisë deklaronte në oborrin e shtëpisë se kështu e ka miqësia herë vijnë këta të Aliut e hërë këta të Fekriut (duke aluduar se të dy janë dhëndurë nga Kosova, Fekri dhëndërr nga Suhareka dhe Ali Ahmeti dhëndërr nga Ferizaji, që të mos hetohej se organet e sigurimit dhe rrjetet tjera të shërbimeve mos u bijen në fije). Gjatë luftës së Kosovës, nëna Hume ka qenë mjaftë aktive në Zajaz, por duhet theksuar se i tërë fshati ka qenë në shërbim të kauzës sonë kombëtare ngase nuk ka pasur shtëpi që nuk ka qenë e angazhuar dhe që nuk kanë pranuar dhe dërguar armatime për në Kosovë. Pra, Nëna Hume, gjithmonë e buzëqeshur dhe duke u dhënë moral të dëburave nga Kosova u thoshte se liria e Kosovës është në prag dhe janë në pyetje ditët e çlirimit, ndërsa ushtarëve të lirisë gjithmonë me buzëqeshje ju thoshte bijtë e mi, Zoti ju ruajt, kujdes të mos bini në duart e armikut. I pranonte dhe i përcillte sikur të ishin djemtë e saj, gjithmonë duke i këshilluar dhe duke i bekuar për luftën e drejtë e çlirimtare. Ashtu siç deshti ajo dhe të gjithë shqiptarët dhe popujt liridashës që na mbështetën edhe u realizua, pra u çlirua Kosova dhe më 2008 u shpallë Republikë që e njeh e gjithë bota demokratike.


Gjatë luftës së 2001 qëndroi pranë celulave të UÇK-së, por si çdo nënë shqiptare me shumë dhembje pranonte lajmet për ramjen e ushtarëve të lirisë, gjithmonë duke thënë se këta janë dëshmorët e kombit dhe atdheut. Rasti i zhdukjes së veprimtarit të çështjes kombëtare Ruzhdi Veliut, që Hume Ahmeti e kishte nip, e tronditi pa masë lajmi i kobshëm i zhdukjes misterioze që në formën më makabre e zhdukën që pas sa vitesh më 2016 u gjetën mbetjet mortore të Ruzhdi Veliut.
Për këtë nënëmadhe edhe atdhetari dhe veprimtari Daut Zeqiri nga fshati Shemshovë, i cili që nga vitet e 1980 e këndej ka vepruar dhe jetuar në Drenicë, ku edhe ka vënë kontakte me veprimtarët e ilegales që fill pas shkatërrimit të Jugosllavisë titiste, ai me shokët e idealit u vë në lëvizje dhe veprim të detyrave jetike që i kërkonin shokët e ilegales. Ishte i përndjekur në të ashtuquajtën afera e armëve në Maqedoni, për të edhe vuajti dënim me çka më 21 dhjetor 1998 edhe u rikthye lënda në rishqyrtim me çka u dënua me një vit burg.

Por, Daut Zeqiri, u largua nga Maqedonia dhe u amnistua bashkë me ushtarët e UÇK-së në muajin prill të vitit 2002.
Sipas dëshmive të Daut Zeqirit, i cili pasi doli nga burgu më 21 dhjetor të 1998, pas 15 ditësh më 5 janar të 1999, u takua me shokun e idealit Azem Sylën dhe vazhdoi aty ku e kerkonte detyra jetike për çlirimin e Kosovës.
Ndonëse Daut Zeqiri është fjalëpak, por natyra e tij është shumë e kthjellët dhe e ka inat dikushi t’ia shtrembërojë histroinë e lavdishme të UÇK-së e me theks të veçantë për proceset ku edhe ai ka qenë aktiv dhe përgjegjës. Por, siç kuptova edhe nga Ali dhe Fekri Ahmeti se, Daut Zeqiri ka qenë në vitet 1990, 1991, 1992 deri në vitin 1993 personi që ka qenë i angazhuar nga vetë Azem Syla që e ka dërguar për herë të parë në Zajaz tek Nëna Hume dhe prej atëherë edhe ka filluar bartja dhe transporti i armëve për në Kosovë. Në formë të prerë Daut Zeqiri shprehet se; asgjë nuk është e rastit dhe, familja e Nënës Hume nuk është rastësi. Pra. duhet 100 vjet histori për ta ndriçuar këtë familje nga prindi i familjes së babës së Nënës Hume e deri më sot tek djali i saj Ali Ahmeti…!
Daut Shemshova, pasi kështu më palqen që ta thërras, pasi disa herë e kam pyetur për aktivitetet e ilagalitetit, pranoi të flasë dhe e kam inçizuar më 8 mars 2013, por atëherë rrëfeu vetëm për marshutën e Qeverisë së Përkohshme në krye me Hashim Thaçin dhe për delegacionin që u kthyen nga Rambujeja e Francës, ndërsa në takimin e fundit që realizuam më 13 korrik 2018 tek konaku i Fekri Ahmetit, disi u motivua dhe me shumë kujdes tregoi se. Ali Ahmetin e njeh që në vitet 1980 së bashku me shokët e tjerë studentë në Prishtinë si dr. Haqif Mehdiu dhe se. Aliun e kishte regjistruar në kujtesë pasi atëbotë i paska rënë çiftelisë… Sesi erdhi deri në Zajaz që të bartnin armët për t’i furnizuar celulat e para të UÇK-së, sikur të dy u pajtuan si Daut Zeqiri dhe Fekri Ahmeti për një pjesë e armatimit është marrë prej shtëpisë së tyre nga Zajazi dhe i është dërguar komandantit legjendar Adem Jasharit.
Për takimin e parë Daut Shemshova, (që Komandanti i Përgjithshëm i Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së Azem Sylën , që në Zajaz i njihnin me pseudonimin Besimi. Pra. Azem Syla, personalisht e thirrte Daut Zeqirin ,e emrin simbolik Lim Kepi që e krahasonte me përcjellësin e rrugëtimit të Ismail bej Vlorës), sipas tij i ka pritur nëna Hume dhe zonja Naile Muça Ahmeti bashkëshortja e Fekri Ahmetit, ku kishte disa armatime dhe, kishin marrë predha dhe armatim. Herën e dytë kishte qenë me djalin e vëllait Jahi Zeqirin dhe nuk e mbaroi mendimin deri në fund duke më thënë se vazhduam me angazhimet dhe detyrat tona që na besoheshin.
Nënëmadhja Hume ndërroi jetë më 28 korrik 2016. Vdekja e një nëne është e madhe, por vdekjet e Nënë Hume, janë të rralla, ngase janë vdekje të nënave të udheheqësve të popullit e atdheut, të komandantëve të pergjithshëm. U ndihmoi ilegalëve e ushtarëve të lirisë që të fshehnin armët çlirimtare, por edhe barti armë e barot për luftetarët e ndryshem! Nëna Hume, e cila mbetet Nëna më e dashur për qindra, mijëra dhe miliona shqiptarë. Nënat sikur e Madhja Nënëlokja Hume historia do t’i kujtojë për lavdinë. Nëna Hume që në moshen e saj një vjeçare mbeti jetime, se babai i saj nga torturat qe kishte përjetuar nga pushtuesit ndërroi jetë në moshë të re! Plot vuajte ishte jeta e saj, ashtu sikur edhe vetë jeta e rëndë dhe në mjerim e skamje e popullit shqiptar!
Nëna Hume renditet me nderim e mirënjohje të thellë në mesin e nënave të mëdha të kombit.

Redaksia
Publikuar nga Redaksia 29 Tetor, 2022 08:56 Updated