Nëpërmjet manipulimit të datave pretendohet rrejshëm se Ukraina është fajtore për varrezat masive në Izium

Redaksia
Publikuar nga Redaksia 22 Shtator, 2022 22:25

Nëpërmjet manipulimit të datave pretendohet rrejshëm se Ukraina është fajtore për varrezat masive në Izium

Në rrjetet sociale po shpërndahet një foto me të cilën manipulohet qëllimisht dhe krijohet opinion i gabuar publik për pushtimin rus të Ukrainës dhe kush është përgjegjës për vdekjen e të vrarëve dhe të varrosurve në varreza masive. Pretendimi se ukrainasit janë përgjegjës për këto varre masive nuk ka të bëjë fare me situatën reale në terren. Forcat ushtarake ruse janë përgjegjëse për vdekjen e shumë njerëzve që ndodhën edhe para se qyteti të ishte nën pushtimin e plotë rus. Të dhënat zyrtare thonë se Izium u pushtua nga forcat ushtarake ruse më 1 prill, por se shumë më herët – nga 28 shkurti, filluan ndërhyrjet ushtarake në atë qytet, gjatë të cilave disa nga banorët e tij u evakuuan, disa u plagosën dhe disa prej tyre vdiqën.

Në një postim në Facebook shpërndahet fotografi nga një varr masiv i gjetur në Ukrainë, për të cilin pretendohet se data e vdekjes në varre tregon se vrasjet nuk janë kryer nga Rusia, por nga vetë Ukraina. Ky është manipulim dhe informacion i pasaktë.

Ukraina i njoftoi të gjithë botës se në afërsi të Izum është gjetur një varr masiv i njerëzve që dyshohet se ishin “torturuar dhe ekzekutuar nga rusët”. Shefi i kabinetit të presidentit, Jermak, përmend dy fotografi si provë.
Është vetëm fat i keq: data e vdekjes në varre: 9 mars. Më lejoni t’ju kujtoj se trupat ruse morën kontrollin e Izium më 1 prill. Domethënë, ukrainasit u varrosën këtu edhe para ardhjes së ushtarëve rusë? Kush më pas torturoi dhe ekzekutoi? A nuk janë të njëjtët ukrainas?
Po, është e pakëndshme…, thuhet në postim.

Një varr masiv me emrat dhe mbiemrat e të vdekurit së bashku me datëlindjen dhe datën e vdekjes u gjet pak ditë më parë në qytetin e Izium në Ukrainë.

Ajo me të cilën manipulohet është pretendimi se vrasjet nuk i ka bërë Rusia, por fajin për to e ka Ukraina. Kjo bazohet në datën e vdekjes së treguar në varre, e cila është 9 marsi. Përfundimi i postimit është se forcat ushtarake ruse nuk i kanë kryer vrasjet sepse morën nën kontroll qytetin më 1 prill dhe se ukrainasit u varrosën para mbërritjes së ushtarëve rusë. Por ky është manipulim.

Çfarë në të vërtetë ka ndodhur dhe të kujt janë ato varre?

Qyteti i Izium është pjesë e territorit të Ukrainës Lindore që u pushtua gjatë pushtimit rus të Ukrainës në vitin 2022. Beteja filloi në mars 2022 për kontrollin e qytetit të Izium për shkak të rëndësisë së qytetit si qendër transporti. Ushtria ruse donte të kapte Izium në mënyrë që forcat e saj në rajonin e Kharkivit të mund të lidheshin me trupat e tyre në rajonin e Donbasit.

Më 10 shtator 2022, forcat ukrainase rimorën qytetin gjatë kundërofensivës ukrainase në Kharkiv. Më pas u gjetën varreza masive lokale me 440 kufoma, që përfaqësojnë 2 për qind të popullsisë së Izium, pas 6 muajsh pushtim nga Rusia.

Serhi Bolvinov, hetuesi kryesor i policisë për rajonin e Kharkiv, tha për Sky News se hetimet mjeko-ligjore do të kryhen për secilin trup dhe se disa nga të vdekurit u vranë nga zjarr artilerie dhe disa u vranë nga sulmet ajrore.

Fotografia nga postimi në Facebook, ku shihen varret me emra, mbiemra dhe data të lindjes dhe vdekjes, në fakt janë të një familje prej gjashtë anëtarësh që vdiqën më 9 mars si pasojë e bombardimeve të forcave ushtarake ruse. Bëhet fjalë për dy vajza gjashtë dhe tetë vjeç, prindërit dhe gjyshërit e tyre.

Në fund të fundit, këto varre janë nga të paktat me emra dhe mbiemra që gjenden në këtë qytet. Mbi 400 varre të mbetura janë pa shenja, kanë vetëm kryqe, siç shihet në këtë video të realizuar nga gazetarët e Radios Evropa e Lirë.

Pretendimi se qyteti u pushtua nga forcat ruse në prill është i vërtetë, por sulmet ajrore në vend filluan shumë më herët, kështu që pretendimi se për shkak se qyteti u pushtua në prill do të thotë se ushtria ruse nuk është fajtore për vdekjen e këtij familja, është i pasaktë.

Disa sulme ruse në Izium filluan të ndodhin nga 28 shkurt 2022, me sulme të vazhdueshme me raketa nga ushtria ruse duke filluar më 3 mars. Tetë civilë u vranë më 3 mars. Të nesërmen, forcat ruse përparuan drejt Izium dhe arritën në periferitë veriore të tij.

Midis 9 dhe 12 marsit, Amnesty International intervistoi 26 banorë të Izium, menjëherë pas evakuimit të tyre në Sviatohirsk, një qytet në rajonin e Donetsk.

Dëshmitë që kemi mbledhur nga Izium zbulojnë terrorin e përjetuar nga popullata civile e qytetit, e bllokuar në bodrumet e tyre pa ushqim dhe ujë dhe nën sulm të vazhdueshëmtha AI në raportin e tyre të botuar më 16 mars.

Deri më 6 mars, ushtria ruse kishte nën kontroll dy lagje të Izium dhe stacionin e saj të trenit.

Në mbrëmjen e 7 marsit, mediat ruse në internet raportuan se Izium ishte marrë nën kontroll nga forcat ruse, një pretendim që nuk është konfirmuar zyrtarisht. Midis 9 dhe 10 mars, 2,250 civilë u evakuuan nga Izium ndërsa forcat ruse vazhduan të përparonin ngadalë drejt qytetit.

Më 1 prill, ushtria ukrainase konfirmoi se Izium ishte nën kontrollin rus.

Të gjitha këto të dhëna zyrtare thonë se Izium u pushtua nga forcat ushtarake ruse më 1 prill, por se ndërhyrjet ushtarake të atij qyteti filluan shumë më herët, gjatë të cilave disa nga banorët e tij u evakuuan, disa u plagosën, disa prej tyre vdiqën.

Pretendimi se ukrainasit janë përgjegjës për këto varre masive nuk ka të bëjë fare me situatën aktuale në terren. Forcat ushtarake ruse janë përgjegjëse për vdekjen e shumë njerëzve që ndodhën edhe para se qyteti të ishte zyrtarisht nën pushtimin rus.

Nëpërmjet një fotografie me të cilën manipulohet me vetëdije në rrjetet sociale, krijohet opinion i gabuar publik dhe përhapet propaganda për pushtimin rus të Ukrainës dhe kush është përgjegjës për vdekjen e atyre që vdiqën dhe u varrosën në varreza masive.

Të gjitha komentet dhe vërejtjet në lidhje me këtë dhe artikujt e tjerë të Vërtetmatës-it, kërkesat për korrigjime dhe sqarime, si dhe sugjerimet për verifikimin e deklaratave të politikanëve dhe premtimeve të partive politike, mund t’i dorëzoni përmes këtij formulari

Redaksia
Publikuar nga Redaksia 22 Shtator, 2022 22:25