Nga e mërkura në dispozicion do të jetë pakoja e dytë e kredive pa interes

Desk
By Desk April 25, 2020 13:16

Pakoja e dytë e kredive pa interes përmes Bankës së Zhvillimit e quajtur “Kovid 2” tashmë nga e mërkura do të jetë në dispozicion të kompanive mikro, të vogla dhe të mesme të prekura nga kriza e koronavirusit.

Kjo paketë është më e vëllimshme dhe nuk ka kufizim të veprimtarive që mund të aplikojnë. Një nga kushtet është që kompanitë të kenë rënie prej 30 për qind të të ardhurave. Shuma minimale për të cilën kompanitë mund të aplikojnë është 3,000 euro, dhe shuma maksimale është 90,000 euro. Kreditë janë pa interes, periudha e shlyerjes është deri në tre vjet me grejs periudhë prej 12 muajsh. Shpenzimet për Bankën e Zhvillimit gjithashtu janë në zero.

Mjetet në lartësi prej tetë milionë euro janë siguruar përmes fondit kompensues të Japonisë.

Sipas ministres së Financave Nina Angelovska, ky është një injeksion i konsiderueshëm financiar për ndërmarrjet mikro, të vogla dhe të mesme me qëllim të ruajtjes së likuiditetit të kompanive dhe mbrojtjes së vendeve të punës.

“Linja ‘Kovid 2’ ofron shumë më të madhe për kredi pa interes sesa linja Kovid 1, por gjithashtu edhe shumë më e madhe e kredive individuale dhe ajo që është e rëndësishme është që mbulon të gjitha veprimtaritë e prekura nga kriza. Ka kushte më të lehta dhe mënyrë më e lehtë për tu aplikuar”, tha Angelovska

Aplikimi do të jetë elektronik, dhe dokumentacioni për “Kovid 2” është pothuajse i njëjtë si për paketën e parë “Kovid 1”. Në bashkëpunim me Regjistrin Qendror, është rënë dakord që dokumentet e nevojshme nga ky institucion do të lëshohen falas.

Ambasadorja japoneze në vend Keiko Haneda në një video fjalim shprehi mbështetje për masat e ndërmarra nga Qeveria dhe shpresën se ato do të ndihmojnë kompanitë të vazhdojnë me punën dhe të ruhen vendet e punës.

“Të gjitha vendet janë duke luftuar kundër koronavirusit dhe në këto periudha të vështira duhet të punojmë së bashku dhe të mbështesim njëri-tjetrin. Më vjen mirë që edhe një herë mund të riafirmojmë miqësinë e fortë midis Maqedonisë së Veriut dhe Japonisë”, tha Haneda.

Për shpalljen e parë publike “Kovis 1” deri tani janë miratuar mjete për 254 kompani me rreth tre mijë të punësuar me vlerë të përgjithshme prej 2,2 milionë eurosh.

Vlera e përgjithshme e mjeteve që u jepen në dispozicion kompanive me të dy thirrjet arrin 13,7 milionë euro. Krahas kësaj, kompanitë kanë në dispozicion dhe rreth 50 milionë euro përmes bankave komerciale.

Ndërkohë, Ministria e Financave pret rënie të ekonomisë prej rreth 3,7 për qind, në krahasim me parashikimet e FMN-së që parashikojnë rënie prej katër për qind.

Sipas Angellovskës, parashikimet përpunohen çdo ditë, monitorohen edhe ato të vendeve të tjera, veçanërisht të vendeve me të cilat kemi tregti, siç është Gjermania dhe në përputhje me rrethanat është e mundur që të ketë disa korrigjime të caktuara në parashikime.

Ajo nuk saktësoi kur saktësisht objektet e hotelerisë do të fillojnë të funksionojnë, por iu referua deklaratës së Ministrit të Shëndetësisë, sipas së cilës lirimi pritet në maj.

“Po punohet në përgatitjen e një plani për rihapjen e ekonomisë, hap pas hapi, gradualisht, në varësi për cilin sektor bëhet fjalë. Është formuar një ekip i cili punon me Odat ekonomike, departamentet ekonomike, Ministrinë e Shëndetësisë dhe epidemiologët për të hartuar një plan për hapjen graduale dhe cilët do të jenë sektorët të cilët me kohë mund të presin të hapen dhe të përgatiten për protokolle të caktuara në kohën e duhur të cilat duhet t’i respektojnë. Të gjithëve na mungon jeta normale dhe duam që ajo të kthehet shpejt, por shëndeti vjen në radhë të parë dhe duhet të jemi shumë të kujdesshëm në këtë situatë. Ministri i Shëndetësisë tha se pritjet janë për muajin maj, por qoftë javën e tretë, gjysma e dytë është shumë herët për t’u thënë, sepse kjo varet nga kurba e lëvizjes së rasteve të reja”, tha Angellovska.

Në pyetjen e gazetarëve se a është e saktë se në mars të këtij viti vendime për largim nga puna kanë marrë 20.000 qytetarë, përkundër 1.900 personave siç tregojnë të dhënat e Agjencisë së Punësimit, tha se situata aktuale seriozisht, por edhe realisht është duke u shqyrtuar. Mbyllja e vendeve të caktuara të punës është e pritur, por edhe gjithçka po bëhet për ta minimizuar atë efekt.

Sipas saj, është shumë më e vështirë për një kompani me 20 ose 50 punonjës, e lëre më me mbi 100 të punësuar e cila ka investuar në njerëz, t’i largojë ato nga puna dhe pastaj të kërkojë përsëri staf.

“Kjo është arsyeja pse të gjitha masat që ne marrim janë të rëndësishme dhe janë në drejtim të mbrojtjes së vendit të punës, por edhe që jemi realistë, se e dimë që do të ketë nga ata që do ta humbasin punën e tyre. Por, edhe për ata ka zgjidhje – së pari të kujdesemi për ata, t’u sigurohet kompensimi për papunësi, ndërsa më pas edhe shpejt të kthehen në vendin e punës kur fillon faza e rikuperimit”, tha Angellovska.

Për transparencën e kësaj qeverie, plotësoi, flasin të gjitha aktivitetet që janë ndërmarrë deri më tani. “Vetëm pasi erdha unë u lansuan tre mjete për transparencë”, nënvizon ministrja.

Ajo paraprakisht në një konferencë për shtyp në Qeveri, informoi për linjën e re të kredisë për kredi pa interes përmes Bankës për Zhvillim. Kumtoi se nga e mërkura, 29 prill, kompanitë mikro, të vogla dhe të mesme nga të gjitha industritë, të prekura nga kriza do të jenë në gjendje të aplikojnë për linjën e dytë të kredive pa interes “KOVID-2”, me vlerë tetë milion euro.

Fondet janë siguruar përmes fondeve japoneze kompensuese, ndërsa do të realizohen përmes Bankës për Zhvillim. Kjo është pjesë e grupit të dytë të masave anti-krizë për t’i mbështetur kompanitë dhe qytetarët.

Linja e parë e kredive pa interes, “KOVID-1”, arriti në 5.7 milion euro dhe ishte e destinuar për tre sektorët më të prekur: turizmin, transportin dhe hotelerinë. Deri më tani, aplikimet për këtë linjë janë miratuar nga 254 kompani në vlerë prej 2.2 milion euro e në të cilat punojnë rreth 3,000 njerëz. “Por interesi për kreditë pa interes është shumë më i lartë, masa vjen në kohën e duhur”, theksoi Ministrja, Angellovska. mb/

Desk
By Desk April 25, 2020 13:16