Ngec digjitalizimi: Akoma radhë për një “letër”

Redaksia
Publikuar nga Redaksia 5 Gusht, 2022 19:55

Ngec digjitalizimi: Akoma radhë për një “letër”

Nxjerrja e dokumenteve të ndryshme me vetëm një të shtypur të butonit akoma do të presë në Maqedoni. Përkundër reformave të ndryshme dhe rezultateve të caktuara të arritura në periudhën e fundit, megjithatë tollovitë në sportele, dhe nervozizmi akoma janë prezente kur një qytetar dëshiron të kryejë punë në ndonjë institucion.

Nxjerrja e dokumenteve të ndryshme me vetë m një të shtypur të butonit akoma do të presë në Maqedoni. Përkundër reformave të ndryshme dhe rezultateve të caktuara të arritura në periudhë n e fundit, megjithatë tollovitë në sportele, dhe nervozizmi akoma janë prezente, kur një qytetar dëshiron të kryejë punë në ndonjë institucion. Ekspertët thonë se digjitalizimi i shërbimeve që në vend ka filluar si proces dhe përdoret me sukses në më shumë fusha, mirëpo akoma nuk po dominon në shërbimet publike, nënkupton jo vetëm procedura më të thjeshta administrative dhe uljes e kohës së pritjes nëpër sportele, por edhe mundësi më të madhe për llogaridhënie të administratës në nivel komunal dhe më lartë. Nga Bashkësia e Njësive të Vetëqeverisjes Lokale thonë se një bashkëpunim më i madh midis pushtetit lokal dhe atij qendror si dhe rregullativa më e mirë ligjore, do të rriste digjitalizimin në komuna. Eksperti Bojan Kordalov, vlerëson se transformimi digjital paraqet avantazh për qytetarët, bizneset, që kursen kohë, para, etj.

“Në vend që të bisedohet se cila parti do të ketë shumicën në komunë apo në qeveri, në radhë të parë nevojitet të bisedohet se cilat janë prioritetet për qytetarët në komuna. Ato prioritete janë të mos pritet në sportele, të jenë më të thjeshta shërbimet apo më të disponueshme për çdo qytetar”, thekon Kordallov.

Në ndërkohë Ministria e Pushtetit Lokal dhe Ministria e Shoqërisë Informatike, po punojnë në unifikimin e shërbimeve elektronike apo digjitalizimit nëpër komuna, me qëllim që të përcaktohet se deri ku është arritur me digjitalizimin nëpër komuna, cilat janë pengesat dhe problemet në komunat e ndryshme veç e veç e kështu me radhë. Ivajlo Conev nga Fondacioni “Fridrih Nojman“, thotë se ekziston potencial për realizimin e digjitalizimit, së bashku me angazhimin e ekspertëve dhe me zgjidhjet e avancuara teknologjike, mirëpo mungon vullneti politik. “Për realizimin e digjitalizimit janë kryesore një vullnet i madh shoqëror në të gjitha nivelet e pushtetit, së bashku me përkrahjen e ekspertëve, angazhimin dhe motivimin e funksionarëve publik dhe politikanëve që përmes transformimit digjital, do ta bëjnë shtetin më efikas dhe më transparent. Tani po shohim se ekziston një vullnet i tillë dhe me një tempo të shpejtë mund të zhvillohet procesi i transformimit digjital, të avancohet i njëjti dhe të kompensohet koha e humbur”, shton Conev.

Nga ana tjetër, edhe analizat e ndryshme tregojnë se Maqedonia e Veriut ka akoma shumë punë për të bërë për të përshpejtuar procesin e digjitalizimit. Raporti i Bankës Evropiane për Zhvillim dhe Rindërtim, thekson se investimi në arsim dhe shkathtësitë digjitale është kryesor për digjitalizimin e Maqedonisë. Vlerësohet se vendi përskaj përmirësimeve të caktuara në më shumë fusha, mbetet me nivel të ulët të shkathtësive digjitale që paraqet kufizim për digjitalizimin e mëtejshëm, ngjashëm me shtetet e rajonit. Investimi në arsim dhe në shkathtësitë e digjitalizimit, do të bëhen edhe më rëndësishme me kalimin e kohës, për shkak se sektorët e digjitalizimit po rriten shpejt në vitet e fundit.

Në përputhje me treguesin e digjitalizimit të BERZH, në një shkallë prej 100, vendi ynë është në nivelin prej 59 për qind në lidhje me kushtet e nevojshme për digjitalizim dhe 48 për qind në lidhje me përdorimin e teknologjisë digjitale nga qytetarët dhe kompanitë, që është afër mesatares së rajonit, por larg rezultatit të dëshiruar. Derisa tek rregullorja dhe shërbimet elektronike qeveritare është bërë përparim i rëndësishëm, infrastruktura dhe aftësitë digjitale nuk janë ndryshuar shumë pesë vitet e fundit. Bile vlerësohet se digjitalizimi sjell edhe rritje më të madhe ekonomike dhe mirëqenie për qytetarët. Në fakt qëllimi i digjitalizimit të sektorit publik është të kursejë para nga tatimet e paguara nga qytetarët, të ofrojë shërbimet publike me cilësi më të lartë, të rrisë transparencën dhe të lehtësojë aksesin derti tek të dhënat. Sipas situatës aktuale, shteti mbetet prapa shteteve evropiane në procesin e digjitalizimit. Këtë e dëshmojnë edhe të dhënat sipas të cilave, vetëm 32 për qind e qytetarëve në Maqedoninë e Veriut zotërojnë të paktën një nivel bazë të aftësive digjitale, që është shumë nën mesataren e BE-së prej 56 për qind.

Indeksi i ri i Digjitalizimit të Ekonomisë dhe Shoqërisë 2022 tregon se shumica e vendeve anëtare të BE-së kanë bërë përparim në transformimin digjital, por adoptimi i teknologjive kryesore digjitale, si inteligjenca artificiale dhe “big data”, apo të dhëna që përmbajnë larmi më të madhe, duke arritur në vëllime në rritje dhe me më shumë shpejtësi nga ana e bizneseve është akoma e dobët. Aftësitë digjitale janë një tjetër fushë e rëndësishme në të cilën nevojiten më shumë përparim, si dhe duhet të përforcohen përpjekjet edhe tek infrastruktura e lidhjes (veçanërisht ndaj teknologjisë 5G), tregon raporti i publikuar dy javë më parë në Bruksel.

Në Bashkimin Evropian, Finlanda, Danimarka, Holanda dhe Suedia kryesojnë digjitalizimin, mirëpo edhe ato po përballen gjithashtu me përdorimin e pamjaftueshëm të teknologjive të avancuara digjitale dhe mungesën e gjerë të aftësive. Komisioni Evropian thekson edhe tendencën pozitive të rritjes së nivelit të digjitalizimit në shtetet anëtare, si dhe faktin se vendet që kanë nisur nga një nivel i ulët po “kapin hapin” dhe po shënojnë rritje më të shpejtë. Në veçanti, Italia, Polonia dhe Greqia kanë përparuar në pesë vitet e fundit. Megjithatë, nevojiten përmirësime edhe në aftësitë digjitale të qytetarëve, sepse mjetet digjitale janë pjesë integrale e jetesës së përditshme dhe pjesëmarrjes në shoqëri. Siç theksohet në raport , vetëm 56 për qind e evropianëve midis moshës 16 dhe 74 vjeç kanë të paktën aftësi bazë digjitale, dhe qëllimi i Dekadës Digjitale të BE-së është t’i bëjë ato të paktën 80 për qind deri në vitin 2030. Njëherësh edhe në Evropë mungojnë specialist të teknologjisë informatike në bizneset e ndryshme, ku bile 55 për qind e kompanive në vitin 2020 janë ballafaquar me vështirësi për të plotësuar vendet e punës ku punojnë ekspertët e teknologjisë informatike. (koha.mk)

Redaksia
Publikuar nga Redaksia 5 Gusht, 2022 19:55