Ngec padia ndaj qytetit të Shkupit për ajrin e ndotur

Desk
By Desk November 16, 2020 19:25

Ngec padia ndaj qytetit të Shkupit për ajrin e ndotur

Padia e parë kundër shtetit për mos ndërmarrjen e masave kundër ajrit të ndotur po vendnumëron. Gjykata Civile e Shkupit është mbushur me ankimime nga Avokatura e Shtetit dhe Qyteti i Shkupit, pasi Shoqata “Juristët e Rinj” ngriti padi kundër Qeverisë, Ministrisë së Ekologjisë dhe Qytetit të Shkupit verën e kaluar. Avokatura e Shtetit kundërshton dëshmitë e shoqatës dhe Qyteti i Shkupit konsideron se ato nuk janë adresa për t’u paditur. Qyteti i Shkupit gjithashtu paraqiti ankesë duke e kontestuar kompetencën e Gjykatës Civile.

Gjykata Civile – Shkup

“Vendimi me shkrim mbi ankesat e ngritura është duke u përgatitur, por për shkak të kompleksitetit dhe vëllimit të lëndës, ai nuk është përgatitur ende. Njëkohësisht, Gjykata ju informon se së shpejti, vendimi i përgatitur me shkrim do t’u dorëzohet palëve në këtë procedurë.”

Nga shoqata “Juristët e Rinj”, nuk tërhiqen. Ata presin që gjykata të përcaktojë përgjegjësinë e institucioneve.

“Qëllimi është të përcaktohet se autoritetet kompetente nuk kanë ndërmarrë masa në periudhën 2007 deri 2018, dhe deri më sot, për t’u siguruar qytetarëve të vendit një mjedis të shëndetshëm, të drejtën për shëndetin dhe të drejta të tjera të caktuara në lidhje me një mjedis të shëndetshëm- deklaroi Jasna Orovçanec Arangeloviq, avokate në shoqatën “Juristët e Rinj”.

Vitin e kaluar, Shoqata e Juristëve të Rinj, ngriti padi penale në prokurori kundër zyrtarëve që udhëhoqën Ministrinë e Ekologjisë mes viteve 2014 dhe 2019. Por, deri më tani, prokuroria nuk i është përgjigjur këtij kallëzimi penal. Në shtator, u ngrit një padi e re kundër Komunës së Manastirit për ajrin e ndotur dhe gjykata e Manastirit nuk ka caktuar seancë përgatitore. Ndotja e ajrit në vend edhe këtë sezon tejkalon kufijtë normale të ndotjes të grimcave PM 10 dhe PM 2.5 në ajër./Alsat

Desk
By Desk November 16, 2020 19:25