Ngec zbatimi i ligjit! Biznesi rritet, ankesat përsëriten

Redaksia
Publikuar nga Redaksia 29 Qershor, 2022 20:15

Ngec zbatimi i ligjit! Biznesi rritet, ankesat përsëriten

Një pjesë e madhe e kompanive të anketuara besojnë se duhet të ketë përmirësim të sigurisë juridike, stabilitetit politik, infrastrukturës, si dhe transparencë më të madhe në prokurimin publik.

Siguria juridike është vlerësuar me notat më të dobëta në anketën për klimën e afariste në Maqedoninë e Veriut të bizneseve gjermane që punojnë në vend. Në të njëjtën kohë, drejtori i Delegacionit të ekonomisë gjermane, Patrik Martens, thotë se në vitet e fundit jemi përballur me disa kërkesa nga kompanitë anëtare që kanë pasur probleme me zbatimin e ligjit, kërkimin e ryshfetit, shtyrjen e proceseve gjyqësore. “Kemi kënaqësinë të dëgjojmë nga Qeveria se menjëherë pas publikimit të këtyre rezultateve, arritëm në një qëndrim të përbashkët që sa më parë të organizohet një tryezë , e cila do t’u japë mundësinë përfaqësuesve të ekonomisë të informojnë për sfidat me të cilat ata përballen në praktikë”, thekson Martens.

Zëvendës Ambasadori i Republikës Federale të Gjermanisë, Otto Graf, dhe Martens, Drejtor i Delegacionit të Ekonomisë Gjermane në fjalët e tyre përshëndetëse theksuan se Maqedonia ka ligje shumë të mira të harmonizuara me legjislacionin e BE-së, ka shumë juristë, ekspertë dhe ekspertë të mirë administrative në fushat e tyre, por duhet punuar për zbatimin e mirë të ligjeve dhe procedurat e qarta për zbatimin e duhur dhe efikas të tyre. Njëherësh ato theksuan edhe nevojën e kombinimi të vullnetit politik dhe të strukturës së përgjithshme, ku të gjithë aktorët do të përfshihen në mënyrë aktive në tejkalimin e mangësive ligjore dhe krijimin e një sigurie më të madhe juridike, jo vetëm për kompanitë dhe investitorët e huaj por edhe për kompanitë dhe investitorët vendor.

REFORMA NË GJYQËSOR

Ministri i Drejtësisë Nikolla Tupançevski në tribunën e organizuar nga biznesi gjerman që punon në Maqedoninë e Veriut, theksoi se një nga instrumentet për forcimin e besimit të qytetarëve në gjyqësor dhe sigurinë juridike të kompanive është rritja e transparencës në punën e gjykatave. Tupançevski theksoi se Ministria e Drejtësisë në ndryshimet e fundit të Ligjit për Gjykatat dhe Ligjit për Këshillin Gjyqësor, ndër të tjera është udhëhequr nga këto postulate, me qëllim të garantimit të sundimit të ligjit dhe forcimit të sigurisë juridike të qytetarëve dhe kompanive në sistemin gjyqësor. Përmirësimi i klimës së biznesit do të mundësohet edhe nga procesi i digjitalizimit të gjyqësorit. Ai do të përshpejtojë procedurat në të gjitha nivelet, do të zvogëlojë korrupsionin, do të lehtësojë paraqitjen e provave dhe dokumenteve dhe do të përmirësojë komunikimin midis palëve të prekura dhe institucioneve, thotë Tupançeski. Nga ana tjetër, përskaj problemeve me zbatimin në praktikë të ligjit, kompanitë gjermane nuk janë të kënaqura edhe korrupsionin në Maqedoninë e Veriut, tregon më tej anketa për klimën e afariste në vend që për çdo vjet e realizon Delegacioni i bizneseve gjermane. Më tej nga atje shtojnë se përkundër pandemisë këmbimi tregtar midis dy vendeve po arrin shifra rekorde përkundër pandemisë, ndërsa afaristët gjerman kërkojnë përmirësime të mëtejshme të ambientit të biznesit në vend.

KËRKOHET PËRMIRËSIM I BIZNES AMBIENTIT

Me fjalë të tjera sondazhi që po realizohet për të 17-në herë, tregon se kompanitë gjermane që punojnë dhe veprojnë në Maqedoninë e Veriut, më së shumti kanë vërejtje për luftën kundër korrupsionit dhe krimit, për derisa janë më të kënaqura me punonjësit e tyre. Njëherësh me notat më të larta vlerësohet produktiviteti i stafit profesional si dhe motivimi i punonjësve. Përveç kësaj, një pjesë e madhe e kompanive të anketuara besojnë se duhet të ketë përmirësim të sigurisë juridike, stabilitetit politik, infrastrukturës, si dhe transparencë më të madhe në prokurimin publik apo përgjatë realizimit të tenderëve nga ana e shtetit. Gjithashtu sistemi tatimor, barra tatimore dhe pagesa e detyrimeve vlerësohen shumë më mirë në raport me vitet e mëparshme.

Sondazhi tregoi gjithashtu se 70 për qind e investitorëve gjerman do të investonin sërish në vend, që është një për qind më mirë se vitin e kaluar, por duke pasur parasysh trendin e viteve të fundit, nuk ka vend për shumë optimizëm, sepse ky është rezultati i dytë më i keq që nga viti 2012. Njëherësh rreth 30 për qind e kompanive të anketuara janë përgjigjur negativisht në pyetjen për investimin e serishëm, që është edhe rezultati i dytë më i keq, pas rezultatit prej 31 për qind të vitit të kaluar. Pyetjeve lidhur me vlerësimin e kushteve lokale, të anketuarit janë përgjigjur se janë të kënaqur me koston e kontributeve, produktivitetin dhe gatishmërinë e stafit për punë, ndërsa ekzistojnë edhe problem me mungesën e fuqisë punëtore të kualifikuar.

RRITET TREGTIA ME GJERMANINË

Në ndërkohë, problemi më i madh për kompanitë është lufta në Ukrainë, ku 96.4 për qind e kompanive përballen me kosto të shtuara për energjinë dhe materialet riprodhuese, 64.3 për qind presin një ndërprerje në zinxhirin global të furnizimit, dhe 46.4 për qind tashmë përballen me mungesën e materialeve të nevojshme për prodhim. Më shumë se gjysma e biznesmenëve të anketuar presin që situata të normalizohet deri në vitin 2023. Nga ana tjetër, në vitin 2021 nga Maqedonia e Veriut në Gjermani janë eksportuar mallra në vlerë prej 3,5 miliardë euro, ndërsa nga Gjermania janë importuar mallra me vlerë prej 1,2 miliardë euro. Këmbimi i përgjithshëm tregtar midis dy shteteve në vitin e kaluar arriti në 4,7 miliardë euro dhe është rritur në krahasim me vitin 2020 për 907 milionë euro.

VIT I VËSHTIRË

Ndryshe, mbi gjysma e kompanive në vend të orientuara në eksportin ndaj Gjermanisë dhe BE-së, përveçse presin që ky vit të jetë i vështirë në raport me vitin e kaluar, kanë përsëritur ankesat e vjetra të viteve të kaluara. Sipas sondazhit të kryer nga Pro Kredit Bank përkundër kostos së lartës së energjisë që presin të rritet prej 50 deri 100 për qind, dhe materialeve, ku vendi, objektivisht, edhe mund të bëjë pak, megjithatë faktorët që varen nga shteti për një ambient më të mirë të biznesit po përmirësohen më ngadalë seç premtohet. Anketa ka treguar se pjesa më e madhe kompanive si rreziqe kryesore të funksionimit të tyre i konsiderojnë politikat ekonomike të shtetit (46 për qind), mungesën e fuqisë adekuate punëtore adekuate (46 për qind), sigurinë juridike, barrierat tregtare dhe kërkesa (me nga 26 për qind secila), infrastruktura dhe logjistika (20 për qind). (koha.mk)

Redaksia
Publikuar nga Redaksia 29 Qershor, 2022 20:15

Marketing Politik - Çmimore

Presidenciale | Parlamentare