Nis Samiti i Brdo-Brijunit në Tiranë, merr pjesë edhe presidenti Ivanov

Redaksia Flaka
By Redaksia Flaka May 9, 2019 10:27

Nis Samiti i Brdo-Brijunit në Tiranë, merr pjesë edhe presidenti Ivanov

Ka nisur në Tiranë Samiti i Brdo Brijunit, me pjesëmarrës të liderëve të Ballkanit. Në Samit po merr pjesë edhe presidenti në largim i Maqedonisë së Veriut , Gjorge Ivanov.

Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta, i cili është edhe organizatori i këtij Samiti ka pritur edhe liderët tjerë  të Ballkanit Perëndimor, presidentin e Serbisë Aleksandër Vuçiç, tre Anëtarët e Kryesisë së Presidencës së Bosnje-Hercegovinës, Milorad Dodik, Šefik Džaferović dhe Željko Komšić, Presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi, Presidentin e Malit të Zi, Milo Đukanović.

Të ftuar nderi janë Presidenti i Polonisë, Andrzej Duda, dhe Përfaqësuesja e Lartë e Bashkimit Evropian për Punët e Jashtme dhe Politikën e Sigurisë dhe Zëvendës Presidente e Komisionit Evropian, Federica Mogherini.

Samiti i Liderëve në Tiranë, që përkon dhe me “Ditën e Evropës”, synon të përçojë një mesazh të rëndësishëm politik lidhur me aspiratën e përbashkët të vendeve të rajonit për t’u integruar në Bashkimin Europian.

Kjo nismë ka shërbyer si forum i rëndësishëm i nivelit më të lartë politik për nxitjen e dialogut, bashkëpunimit, forcimit të sigurisë dhe stabilitetit, dhe mbështetjen e proceseve europiane dhe euroatlantike të të gjitha vendeve të rajonit. Një tregues domethënës e jetik për vende tona ka qenë mbështetja e vazhdueshme që drejtues të lartë evropianë dhe amerikanë i kanë dhënë këtij Procesi.

Në mbyllje të Samitit, Liderët e procesit do të miratojnë një dokument me konkluzionet e takimit.

Redaksia Flaka
By Redaksia Flaka May 9, 2019 10:27