Nisi procesi gjyqësor për lehonën që lindi në spitalin e Strugës

Redaksia
Publikuar nga Redaksia 24 Janar, 2023 19:23

Nisi procesi gjyqësor për lehonën që lindi në spitalin e Strugës

Pas shtatë muajsh vonesë, në gjykatën e Strugës filloi gjykimi i gruas nga Dibra, e cila pas lindjes mbeti pa tre organe, veshkë, mitër dhe vezore gjatë një operacioni cezarian në spitalin e Strugës. Tre mjekë gjinekologë të spitalit të Strugës akuzohen për krime të rënda kundër shëndetit të njerëzve. Të akuzuarit thonë se nuk ndihen fajtorë. Infermierja Jëlldëz Veaposka ka rrëfyer mes lotësh gjithë momentet e rënda që ka kaluar në spitalin e Strugës, komën 14 ditore, dhimbjet e padurueshme dhe shumicën e operacioneve. Ajo thotë se ishte në prag të vdekjes dhe lutej për ndihmë, ndërsa dhe sot jeton me trauma, pa veshkë, mitër dhe vezore.

“Un kur u zgjova, më pyetën doktorët se si e di që më mungojnë organet, u thash që i dëgjova dhe ende i dëgjoj disa zëra, më kthehet kujtesa se si dëgjoj që Muhamed Asani fol me ato që të m’i heqin organet, veshkën dhe më pas rashë në pavetëdije, kohë pas kohe zgjohesha. Dhe sot e kësaj dite s’mund ta dëgjoj zërin e ambulancës, kam frikë, jam shumë keq. Të mbetesh pa organe është shumë rëndë, është shumë e vështirë të debatosh pas këtyre dyerve të gjykatës me mjekë që nuk e pranojnë fajin.”, – deklaroi (paditësi) lehona nga Dibra, Jëlldëz Veaposka.

Në seancën gjyqësore mjekët Muhamed Asani, djali i tij Blerton Asani dhe Liliana Jovanoska thanë se nuk ndjejnë faj. Ish-drejtori i spitalit të Strugës nuk pranoi që të fliste para kamerës. Sipas aktakuzës, mjekët Veaposkës ia kanë dëmtuar arterien renale të majtë gjatë operacionit cezarian, por nuk kanë marrë asnjë masë, vetëm i kanë dhënë terapi gjatë së cilës ajo ka rënë në gjendje shoku dhe e kanë operuar sërish, ku i kanë hequr mitrën, vezoren dhe veshkën. Në fund ajo është transferuar në klinikën për anestezi dhe reanimacion në Shkup në gjendje të rëndë. Ndërsa seanca e radhës gjyqësore për këtë rast është caktuar për më 10 mars.

Redaksia
Publikuar nga Redaksia 24 Janar, 2023 19:23