Një jetë kushtuar Arsimit, Kombit e Fesë

Një jetë kushtuar Arsimit, Kombit e Fesë

Gostivari dje u trondit nga lajmi për vdekjen e veteranit të arsimit Musli Selmani, një ndër profesorët e parë dhe shumëvjeçar i biologjisë në Gostivar dhe më gjerë. 

Në karrierën e tij gati 45 vjeçare Profesori Selmani përcolli dijet e tija në shumë gjenerata nxënësish.

“U nda nga jeta ish kolegu ynë dhe bashkëveprimtari ynë profesori Musa Selmani. Tani kur te rahurat e zemrës tënde u ndalën, neve miqëve, familjarëve dhe ish nxënësve të tu që shume i deshe dhe te donin, na ngelin kujtimet për një njeri me zemër të madhe, shpirt të mirë dhe fisnik, shok dhe mik, një patriot dhe arsimtar i devotshëm. Fjalët, modestia, zemërbardhësia, humanizmi, respekti dhe dashuria e madhe e jotja ndaj çdokujt gjithmonë do të ngelin në mendjet dhe zemrat tona”, thuhet në telegramin nga Gjimnazi i Gostivarit, nga ku dhe profesor Selmani u pensionua.
 
“Të gjithë ne, me pikëllim të madh e përjetojmë këtë lajm dhe u bashkohemi dhimbjes dhe pikëllimit të familjes Selmani. Të afërmit e tu krenohen që patën një bashkëshort, baba, gjysh dhe familjar si Ti kurse ne të tjerët mburemi se patëm një arsimtar të mrekullueshëm si Ju. Pikëllimi ynë nuk ka fund, por ligjet e jetës nuk ndryshojnë. Ti fizikisht nuk do të jesh në mesin tonë por gjithmonë do të mbetesh në mendjet dhe zemrat tona”, përfundon telegrami.
 
Profesor Selmani mbahet mend nga shumë gjenerata. Ndarja nga jeta ka prekur kolegët dhe nxënësit e tij ndër vite.
 
“Njerëz të mëdhej janë ata qe edukojnë breza, shperndajnë dije, maturi, pozitivitet. I tillë ishe Ti pofesori Musa”, kujton ish nxënësja e tij, Valmira Ibishi.
 
“Çka të them tani që e kuptova lajmin e hidhur për ndarjen nga jeta të ish kolegut të nderuar, Musli Selmani ? Nuk gjej fjalë të përshkruaj personalitetin  e tij. Ishte një profesor i mrekullueshëm, një mik i dashur, një njeri i devotshëm në aspektin Fetar e Kombëtar. Do na mumgosh shumë Profesor. I përjetshëm kujtimi për Ty”, shprehet ish kolegu i punës, Nevzat Bejta.
 
“Patëm nderin të edukohemi nga profesori Musë,një personalitet i jashtëzakonshëm me të gjitha virtytet e larta njerèzore dhe shumë i dashur . Qoftë i përjetshëm kujtimi pèr ty profesor ! Ngushëllime familjarëve”, shkruan nxënësja e tij e mëhershme, Blerta M.Mazllami
 
“Edhe nje diët zie për arsimin ne Gostivar! Nga sot u nda nga ne nje punetor i madh i qetë, i urtë, edukues, vizionar, besimtar i madh e patriot i vërtetë. Në këtë kohë të mungesës së vlerave ai gjatë kohë  do mbetet në kujtimet e brezave qe ai gatoi me aq zell”, shprehet ish nxënësi i tij, Zani Memedi.
 
Mesazhe të tilla lavdi nga kolegët dhe nxënësit e tij, vërshuan rrjetet sociale. Profesor Musli Selmani, krahas përkushtimit në profesionin e tij të mësimdhënësit do të mbetet një figurë e çmuar edhe për atdhedashurinë dhe religjionin që i takonte. Gostivari Sot
 
Redaksia Flaka
nga Redaksia Flaka 29 Qershor, 2020 09:15

© FLAKA.COM.MK - Derisa keni vendosur të merrni përmbajtje nga kjo faqe, në tërësi pajtoheni me kushtet e përdorimit.