Një Reis si ky. Njeriu i duhur në vendin dhe kohën e duhur!

Driton Zenku
By Driton Zenku November 16, 2020 21:38

Një Reis si ky. Njeriu i duhur në vendin dhe kohën e duhur!

Editorial – Agjencia e lajmeve FLAKA

Më 27 maj Riaseti i Bashkësisë Fetare Islame – BFI, zhvilloi një seancë të jashtëzakonshme për të vendosur për shkarkimin e Rexhepit dhe caktoi myftiun e Gostivarit, Shaqir Fetahu, si ushtrues detyre deri sa të përgatiten kushtet e reja për zgjedhjen e kryetarit të ri. 

Siç është bërë publike prej katër ditësh, BFI ka shpallur zgjedhjet për Reisin e ri. Është caktuar Komisioni për Organizimin e Zgjedhjeve i cili do të vendos edhe për datën dhe kushtet e zgjedhjeve. Një nga kandidatët për Reis të BFI është edhe ushtruesi i detyrës, Shaqir Fetahu, një punonjës fetarë me përvojë, njohuri dhe kompetencë në menaxhimin e institucioneve fetare.  

Por kush është Shaqir Fetahu ?

Prof. Shaqir Fetahu u lind më 25 Prill të vitit 1959, në fsh. Çegran – Gostivar. 

Gjatë mbarimit të shkollës fillore, respektivisht në moshën 15 vjeçare arrin të kryejë edhe hifzin e Kur’anit Famëlartë, nën udhëheqjen e imamit të xhamisë “Loke” të fshatit Çegran, rahmetli H. Hafiz Kebir ef Mahmudi.

Me të kryer shkollën fillore regjistrohet në Shkollën e Mesme Islame Medreseja “Alaudin” në Prishtinë, të cilën me sukses e kryen në vitin 1980. Po në të njëjtin vit vazhdon studimet në Fakultetin e shkencave Islame në Sarajevë të Bosnjës dhe Hercegovinës të cilin poashtu me sukses e kryen në vitin 1984.

Pas kryerjes së Fakultetit të shkencave islame në Sarajevë punësohet në fsh. Çegran si imam dhe mualim, dhe në bazë të rezultateve të treguara gjatë kësaj kohe, emërtohet si ligjërues në SHMI “Medreseja Isa beu” – në Shkup, ku si ligjërues punon plotë 10 vjet, kryesisht si ligjërues i lëndës Apologjetika islame (Akaidii), lëndën e Imamatit (Lënda e mënyrës së kryerjes së detyrës së imamit), Lëndën e Vaz-daves (Retorika islame) dhe Tefsirin (Komentimi i Kuranit).

Në vitin 1994 emërtohet Drejtor i Sektorit për shkencë e kulturë islame pranë BFI në RM, pastaj plot katër vite kryen edhe detyrën e Sektorit fetar – arsimor, derisa në vitin 2001 zgjidhet mufti i Muftinisë së Gostivarit, të cilën detyrë me suksesin më të madh e kryen edhe sot.

Prej ditëve të para në Medresenë e “Alaudin” në Prishtinë fillon të merret me shkrime duke i botuar ato në Gazetën e Shoqatës së nxënësve të medresesë me emrin “Nur”. Ka botuar mbi 150 artikuj edhe në Gazetat si: “Dituria Islame”, “Hëna e re”, “Flaka”, “Fakti”, “Vepra”, “Drita islame”- Tiranë, “Lëvizja islame”- Gostivar, etj.

Prej ditëve studentore, përveç shkrimeve si autor, është marrë me përkthime edhe atë ka qenë anëtarë i grupit për përkthimin e veprës së Rozhe Garodit me titull :“Islami kultura dhe socializmi”, të botuar në Sarajevë, pastaj botoi veprën origjinale me titull “Feja fenomen i vërtetë”, botuar nga BFI – në Shkup, “Akaid – I”, pastaj “Gjashtë kushtet e besimit”, që të dyja këto libra janë botuar nga Komuniteti mysliman në Tiranë, vitin e kaluar nga shtypi doli edhe vepra e fundit e tij, me titull “Islami – Porosi hyjnore”, dhe tani është gati për botim vepra e radhës “Drejtimi racionalist në Islam – Mu’tezilijët”.

Është iniciatori kryesor i hapjes së Paraleles së shtrirë të vajzave në Gostivar, si dhe për momentin Koordinator i saj, e hapur në vitin shkollor 2008/ 2009 – Degë e SHMI – “Medreseja Isa beu” – Shkup Është pjesëmarrës i disa seminareve, konferencave dhe simpoziumeve në vend dhe jashtë.

Për aktivitetin e tij të bujshëm jetësor ka marrë mirënjohje të ndryshme nga institucione , shoqata dhe ente të sferave të ndryshme, në veçanti duhet theksuar Dekoratë “Myfti Vebi Dibra” që ndahet nga Reisul Ulema Haxhi Sulejman ef Rexhepi në nivel të BFI, në RM si dhe Dekoratën e fundit qe ju nda nga Akademia internacionale e shkencave sociale në Florida na SHBA (Internacional Academi of Social Sciences (IASS), USA. etj. Tashmë ka kryer provimet postdiplomike në USHT, në Fakultetin Filozofik -Dega e Historisë në Tetovë. 

Pas marrjes së drejtimit të BFI si ushtrues detyre, saktësisht me 7 Shtator, Kryetari i Bashkësisë Fetare Islame në Maqedoni, Shaqir ef. Fetahu u zgjodh anëtar i Këshillit botëror të bashkësive islame me seli në Abu Dabi në emiratet e Bashkuara Arabe, duke e sjellë BFI në pozicion të barabartë me Bashkësitë Fetare Islame të shteteve të tjera të Botës. 

Fetahu udhëhoq me Muftininë e Gostivarit për një kohë të gjatë. Fal zgjuarsis së tij, Fetahu arriti të rimëkëmbë Muftininë e Gostivarit duke e fuqizuar në të gjitha aspektet. 

Ishte viti 2001 kur në krye të Muftinisë së Gostivarit erdhi kreu aktual i BFI-së, Shaqir Fetahu. Muftinia ishte e kufizuar në vetëm dy dhoma pune, ndërsa sot ndërtesa administrative e Muftinisë së Gostivarit i ngjason një administrate të mirëfilltë institucionale. U ndërtua objekti i ri i Muftinisë dhe u riorganizua administrata e këtij institucioni fetar në rajonin e Gostivarit. Ishte viti 2006 kur filloi ndërtimi i selisë së re të Muftinisë kurse hapja solemne e saj u bë në vitin 2008.

Një nga shtyllat kryesore të qeverisjes së tij me Muftininë e Gostivarit, ishte ndërtimi dhe vënia në funksion e Medresesë “Isa Beu”, paralelja e vajzave në Gostivar. Objekti filloi me ndërtim në 18 mars 2014 ndërsa u hap me 27 shtator 2017.

Nën drejtimin e Shaqir Fetahut u themelua Instituti i Hifzit dhe bukurleximit të Kuranit famëlartë në kompleksin e muftinisë së Gostivarit.
Një angazhim i madh u dha në denacionalizimin e vakëfit pronë e Bashkësisë Fetare Islame në Gostivar. Ky proces u nxit në vitin 2006 deri në vitin 2020 u arritë të kthehen në pronësi Pazari i vogël (Tregu i gjelbër), Parkingu i Muftinisë (përballë Pallatit të Kulturës, dy ndërtesa në qytet, si dhe sipërfaqe pyjore në Simnicë dhe Gjenovicë.

Sukses që i përshkruhet Fetahut është legalizimi dhe marrja e tapisë për gjithsej 73 objekte fetarfe, siç janë Xhami, Mektebe si dhe objekte ndihmëse.
Qeverisja e Fetahut mund të llogaritet si periudhë e lavdishme për ndërtimin dhe rindërtimin e Xhamiave në territorin që mbulon Muftinia e Gostivarit. Brenda kohës u bë ndërtimimi dhe rindërtimi i më se 27 xhamive dhe mektebeve.

Krahas ndërtimit të objekteve fetare, u arrit që të realizohet restaurimi i Medresesë së Vjetër si dhe Xhamive të vjetra në Raven dhe Simnicë.
Përsa kohë u bë punësimi i mbi 78 kuadrove të reja nëpër Xhami dhe në administatën e Muftinisë. Po ashtu, standardizimi i kontributeve dhe të ardhurave finansiare të të gjithë nëpunësve fetarë në Gostivar nga minimalja në atë të lartë në bazë të kualifikimeve dhe sistematizimeve të vendeve të punës.

Krahas punëve tashmë të realizuara, tashmë në vijim e sipër janë edhe vepra të tjera kapitale dhe jetike për besimtarët e rajonit të Gostivarit. Tashmë ka filluar projekti i parkingut për adaptim në qendër tregtare, po ashtu fillimi i projektimit të kompleksit në Mavrovë dhe ndodhet në fazën finale të lejes për ndërtim. Po ashtu, vijon projektimi i pazarit të vogël për Qendër Tregtare, burime të sigurta për funksionimin e jetës fetare në rajonin e Gostivarit.

E bukura e qeverisjes së Fetahut është organizimi i Manifestimit tradicional “Mirë se erdhe o Resuluall-llah”, një manifestim që sivjet u realizua për të 17 vit me radhë dhe që karakterizohet për nga vazhdueshmëria dhe tradita gati dy dekadëshe.

Nisur nga e gjithë këtë arritje, por edhe kualifikimet përkatëse të Shaqir Ef. Fetahu, zgjedhja e tij në krye të Bashkësisë Fetare, do të ishte sa meritora po aq edhe adekuate dhe me perspektivë për vazhdimin e reformave në këtë institucion të lartë fetar, zhvillim dhe përparim i gjithëanshëm institucional por edhe jetës fetare në territorin e Republikës së Maqedonisë së Veriut. FLAKA

Driton Zenku
By Driton Zenku November 16, 2020 21:38