Një vit pa Alajdin Demirin

Redaksia Flaka
By Redaksia Flaka April 13, 2020 21:52

Një vit pa Alajdin Demirin

Pas një sëmundje në moshën 65 vjeçare vitin e kaluar ndërroi jetë Alajdin Demiri, diplomati, analisti politik dhe profesori universitar.

Ai ushtronte funksionin e ish- kryetarit të komunës së Tetovës dhe ish-ambasadorit të Maqedonisë në Zvicër. Alajdin Demiri gjatë mandatit të tij si kryetari i komunës së Tetovës në vitin 1997 ngriti flamurin kombëtar para kësaj komune, për të cilin akt u dënua me burg, bashkë me kryetarin e atëhershëm të komunës së Gostivarit Rufi Osmani

Alajdin Demiri u lind më 19 dhjetor 1954 në Tetovë. Nga 1973 deri në 1977, ai studioi sociologjinë në Sarajevë. Nga viti 1977 deri më 1978 punoi si gazetar në Radiotelevizionin e Maqedonisë – redaksia në gjuhën shqipe. Prej vitit 1978-1983 dhe 1983-1988 ishte profesor i sociologjisë dhe filozofisë në një shkollë të mesme në Tetovë dhe më pas punoi në bibliotekën e qytetit.

Prej viteve 1990-1995, ai studioi frëngjisht në Lausanne, Zvicër, duke u kthyer në 1995 më vonë dhe duke u përfshirë në skenën politike në kuadër të PPD-së. Në vitin 1997 ai u zgjodh kryetar i komunës së Tetovës, ndërsa në vitin 1998 dënohet me dy vite burg për vendosjen e flamurit kombëtar para komunës së Tetovës, ngjarje e njohur që ndodhi paralelisht me komunën e Gostivarit, që përfundoi me dhunë brutale të policisë së asaj kohe, që shkaktoi viktima dhe të arrestuar. Parlamenti Evropian kërkoi lirimin e tij, dhe ai u lirua sipas një Ligji mbi Amnistinë. Më pas në periudhën e fundviteve të 90-ta emërohet ambasador i Maqedonisë së Veriut në Zvicër. Pas kthimit të tij ai angazhohet si profesor universitar në Universitetin e Evropës Juglindore në Tetovë.

Redaksia Flaka
By Redaksia Flaka April 13, 2020 21:52