Nuk ka asnjë program të financuar nga SHBA për zhvillimin e armëve biologjike në Ukrainë

Redaksia
Publikuar nga Redaksia 24 Maj, 2022 22:21

Nuk ka asnjë program të financuar nga SHBA për zhvillimin e armëve biologjike në Ukrainë

Nuk ka asnjë provë që qeveria ukrainase urdhëroi çrrënjosjen e antraksit, kolerës dhe sëmundjeve të tjera infektive në ditën kur Putin pushtoi Ukrainën. Nuk është gjithashtu e vërtetë se ka laboratorë të armëve biologjike të financuara nga SHBA në Ukrainë. Përkundrazi, laboratorët atje janë për të parandaluar përhapjen e sëmundjeve infektive dhe janë pjesë e Programit Zhvillimor për uljen e rreziqeve nga sëmundjet.

Po shqyrtojmë një postim të shpërndarë në rrjetin social Facebook ku pretendohet se “Ukraina po shkatërron provat e një programi të zhvillimit të armëve biologjike të financuar nga SHBA.” Në këtë përmbajte të shpërndarë nga ueb-sajti Kolovert thuhet që me 24 shkurt të këtij viti, qeveria ukrainase urdhëroi çrrënjosjen e menjëhershme të patogjenëve të murtajës dhe antraksit në laboratorë të financuar nga SHBA.
Programi i armëve biologjike i financuar nga SHBA thuhet se përfshinte gjithashtu prodhimin e komponentëve të armëve biologjike në laboratorë në qytetet Poltava dhe Kharkov.

Akuzat i janë atribuar Ministrisë ruse të Mbrojtjes dhe janë paraqitur dokumente të supozuara që përmbanin një listë të patogjenëve që do të asgjësoheshin, dhe thuhet se informacioni i parë është publikuar nga media ruse “Russia Today”, e cila përndryshe është e kontrolluar nga shteti. Në tekst shtohet gjithashtu se “Russia Today” nuk mund të konfirmojë se dokumentet janë të besueshme.

Cilat ngjarje i paraprinë këtij njoftimi bombastik?

Në një përpjekje për të justifikuar pushtimin e saj në Ukrainë, propaganda ruse promovon edhe një herë narrativën e rreme se Ukraina po zhvillon armë biologjike me ndihmën e SHBA-ve. Më 6 mars, Ministria e Mbrojtjes e Rusisë pretendoi se kishte gjetur prova se Ukraina dhe Shtetet e Bashkuara kishin bashkëpunuar në zhvillimin e armëve biologjike. Në shumë media ruse ky informacion bëri jehonë me shpejtësinë e dritës dhe u transmetua edhe te ne. Sipas gjeneral majorit Igor Konashenkov, patogjenët për sëmundjet vdekjeprurëse, duke përfshirë murtajën, antraksin dhe kolerën, u krijuan në këta laboratorë për t’u përdorur në luftën biologjike dhe se këta laboratorë ishin “themeluar nga Shtetet e Bashkuara dhe Departamenti i Mbrojtjes i SHBA-ve”.

Pretendimi i rremë se ka laboratorë të financuar nga SHBA në Ukrainë që prodhojnë patogjenë është shtyrë nga Rusia që nga viti 2020.

Në maj 2020, në kulmin e pandemisë Kovid, shërbimi sekret i Ukrainës lëshoi ​​një deklaratë duke u kërkuar politikanëve të ndalonin përhapjen e dezinformatave në lidhje me ekzistencën e “laboratorëve biologjikë ushtarakë amerikanë në Ukrainë”.

 

 Nuk ka laboratorë të huaj biologjikë që operojnë në Ukrainë. Pretendimet e politikanëve individual për ekzistencën e pretenduar të laboratorëve të tillë janë të pavërteta dhe janë një shtrembërim i qëllimshëm i fakteve, thuhet në deklaratë.

Në prill 2020, Ambasada e SHBA-së në Ukrainë lëshoi ​​gjithashtu një deklaratë duke thënë se donte të ishte e qartë në lidhje me dezinformatat në lidhje me programin.

 deklaratë thuhej:

Shtetet e Bashkuara dhe Ukraina kanë një partneritet që nga viti 2005 për të parandaluar përhapjen e sëmundjeve infektive dhe për të lehtësuar zhvillimin të vaksinave. Ky partneritet midis Departamentit të Mbrojtjes së SHBA-së dhe Ministrisë së Shëndetësisë të Ukrainës është pjesë e Programit Bashkëpunues për Reduktimin e Kërcënimeve, i cili filloi në vitin 1991 për të reduktuar kërcënimin e armëve të shkatërrimit në masë pas rënies së Bashkimit Sovjetik.

Ky partneritet nuk do të thotë se ka laboratorë të udhëhequr nga SHBA-të në Ukrainë; në fakt, Departamenti Amerikan i Mbrojtjes nuk ka pasur kurrë një laborator biologjik në Ukrainë.

 

Ky Program i Departamentit të Mbrojtjes së SHBA-së për Reduktimin e Kërcënimeve i ka ofruar asistencë teknike Ministrisë së Shëndetësisë së Ukrainës që nga viti 2005 për të përmirësuar laboratorët e shëndetit publik, misioni i të cilëve është analog me atë të Qendrave të SHBA-së për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjev, një anëtar bordi i Shoqata e Kontrollit të Armëve, tha Andy Weber për Politifact.

Studiuesja dhe profesoresha e armëve biologjike në King’s College në Londër, Philippa Lenzos, tha për “Franspres” se nuk kishte indikacione se këta laboratorë në Ukrainë po përdoreshin për të zhvilluar armë biologjike, por se qëllimi i tyre ishte të parandalonin përhapjen e sëmundjeve infektive.

Siç shkruan “Atlantik Kaunsel”, Kremlini në të kaluarën ka përdorur dokumente të falsifikuara, nënshkrime të falsifikuara si pjesë e operacioneve të mëparshme për ndikim.

Në vitin 2020, media pranë Kremlinit u përpoq të fajësonte Amerikën për pandeminë Kovid, duke sugjeruar se virusi ishte krijuar në laboratorë.

Duke pasur parasysh faktet e mësipërme, ne konsiderojmë se nuk ka asnjë provë që qeveria ukrainase urdhëroi shkatërrimin e patogjenëve të antraksit, kolerës dhe sëmundjeve të tjera infektive në ditën kur Putin pushtoi Ukrainën. Gjithashtu vlerësojmë se nuk është e vërtetë që në Ukrainë ka laboratorë për prodhimin e armëve biologjike të financuara nga Shtetet e Bashkuara. Përkundrazi, laboratorët atje janë për të parandaluar përhapjen e sëmundjeve infektive dhe janë pjesë e Programit Zhvillimor për uljen e rreziqeve.

Të gjitha komentet dhe vërejtjet në lidhje me këtë dhe artikujt e tjerë të Vërtetmatës-it, kërkesat për korrigjime dhe sqarime, si dhe sugjerimet për verifikimin e deklaratave të politikanëve dhe premtimeve të partive politike, mund t’i dorëzoni përmes këtij formulari

Redaksia
Publikuar nga Redaksia 24 Maj, 2022 22:21

Marketing Politik - Çmimore

Presidenciale | Parlamentare