Ndërsa në vendet e rajonit si Kroacia dhe Bullgaria, spitalet janë në prag të kolapsit, plot me pacientë me Covid 19, në Maqedoni nuk ka shumë presion në spitale, dhe ka plot shtretër të lirë, përcjell FLAKA.
Në qendrat e COVID-19 në vend janë shtruar 464 pacientë – 194 në Shkup, 270 nëpër qytete të tjera. Klinika Infektive është pothuajse plot, janë 90 pacientë, por spitali modular është bosh, 59 janë të shtruar në QSHB “8 Shtatori”. Situata është stabile, thonë nga Ministria e Shëndetësisë.
“Ambientet janë gati me staf dhe hapësirë për përkujdesjen e pacientëve të rinj në rast të një vale të re. Të gjithë spitalet dhe qendrat kovid janë në shërbim të qytetarëve dhe nëse është e nevojshme janë gati të përshtatin edhe reparte shtesë. Për nevojat e spitaleve sigurohen barna dhe mjete mjekësore”, thonë nga Ministria e Shëndetësisë.
Në shumicën e spitaleve modulare ka pacientë, ata nuk funksionojnë në Gostivar, Tetovë, Manastir, Resnjë dhe Infektiv.
Vala e katërt në Maqedoni nisi në gusht, një muaj më herët se vendet përreth nesh ku tani është në kulmin e saj. Eksperti i famshëm kroat i Universitetit Goethe, i cili sot ka dhënë mbështetjen e tij për mjekët kroatë, mendon se na pret një dimër i pasigurt, me shumë të sëmurë dhe të vdekur.
Javët e fundit, pavarësisht rekomandimeve, ka pasur shumë tubime publike, sidomos gjatë zgjedhjeve, festa nëpër lokale, ku nuk vendosen maska dhe nuk kërkohen certifikata të vaksinimit. Ministria apelon për respektimin e masave, vaksinimin dhe marrjen e një doze të tretë të vaksinës. FLAKA