Nuk pritet valë refugjatësh nga Ukraina në Maqedoninë e Veriut

Redaksia
Publikuar nga Redaksia 16 Mars, 2022 09:39

Nuk pritet valë refugjatësh nga Ukraina në Maqedoninë e Veriut

Maqedonia e Veriut nuk pret  valë të rritur të refugjatëve nga Ukraina, por edhe përveç kësaj, Qeveria është e gatshme për valë të mundshme të refugjatëve. Shefi i Diplomacisë Bujar Osmani dje tha se në shtet  nuk ka dinamikë më të madhe të hyrjes së shtetasve ukrainas siç kishte para luftës dhe se nuk pret   valë  të madhe të refugjatëve ukrainas në vend, por, theksoi nëse ndodh kjo nuk përjashtohet mundësia edhe për krijimin e kapaciteteve të improvizuara për akomodim.

Osmani dje para Qeverisë i prezantoi të dhënat  nga institucionet shtetërore për kapacitetet e akomodimit të refugjatëve  të cilët mund të vijnë nga Ukraina, por edhe planet dhe obligimet për të gjitha institucionet të cilat mund të përfshihen në këtë proces. Sipas tij, tani për tani nuk ka numër të rritur të shtetasve ukrainas  të cilët kanë hyrë në vend, ndërsa edhe ata që kanë hyrë asnjëri nuk ka kërkuar status të refugjatit.

“Ka hyrje të qytetarëve ukrainas, por nuk ka dinamikë më të madhe se që ka pasur para luftës. Ato janë hyrje normale të njerëzve për nga numri jo më të mëdha se të mëparshmet. Nuk kemi rast të tillë dikush të ketë kërkuar status të refugjatit, por duhet të jemi të gatshëm për atë”, tha osmani në brifingun e rregullt javor me gazetarë.

Ai potencoi se nuk do të refuzojmë asnjë refugjatë ukrainas që do të arrijë në kufi. Përkundrazi, do të pritet me të gjitha aspektet e përkujdesjes humanitare të refugjatëve. Osmani theksoi se  mund të merren parasysh përvojat e vendeve të BE-së, ku, siç tha, një numër i madh i qytetarëve paraqiten për t’u kujdesur për refugjatët në shtëpitë e tyre.

“Në këtë periudhë nuk pres se do të ketë valë të madhe, sepse ata shkojnë në shtete të tjera në fqinjësi të Ukrainës, por numrat po rriten dhe po arrihet tek numri prej tre deri katër milionë qytetarë ukrainas të cilët e braktisën Ukrainën. Prandaj ne duhet të jemi të gatshëm”, theksoi ministri i Punëve të Jashtme.

Ai informoi se krahas tabelës së të gjitha kapaciteteve të cilat i propozuan ministritë në mbledhjen e sotme të Qeverisë do t’i prezantojë edhe detyrimet e institucioneve shëndetësore dhe atë që duhet ta bëjnë ato lidhur me përkujdesjen e refugjatëve nëse për të ka nevojë, por edhe detyrimet për institucionet e tjera të cilat duhet të kujdesen për ta.

Ministri Osmani dje gjithashtu informoi se edhe tetë qytetarë  prej të cilëve katër nga vendi ynë, ndërsa katër shtetas ukrainas, por në lidhje farefisnore me tanët, kërkojnë të evakuohen nga Ukraina.

“Nga 120 qytetarë të hartuar dhe të kontaktuar, rreth 80 për qind tashmë janë evakuuar, kanë mbetur  tetë shtetas tjerë që kërkojnë evakuim dhe janë ende në Ukrainë. Katër prej tyre janë shtetas tanë, katër janë shtetas ukrainas, por në një marrëdhënie farefisnore me tanët. Janë edhe rreth 20 qytetarë të tjerë, por ata nuk kërkojnë evakuim”, tha Osmani.

Ai shtoi se këta tetë shtetas po tentojnë që t’i evakuojnë, ndërsa për 20 të tjerët, siç tha ai, nuk do të bëjnë përpjekje për t’i evakuuar derisa të marrin kërkesë nga ana e tyre se duan të evakuohen.

Në ndërkohë, Qeveria mbrëmë e shqyrtoi dhe miratoi Informacionin për kapacitetet akomoduese potenciale të organeve shtetërore për pranimin e personave nga kriza e refugjatëve të shkaktuar nga veprimet ushtarake në Ukrainë.

Qeveria  i obligoi MPJ-në, Ministrinë e Punës dhe Politikës Sociale, Ministrisë e Punëve të Brendshme, Ministrinë e Shëndetësisë, Ministrinë e Financave dhe Sekretariatin e përgjithshëm të Qeverisë t’i vazhdojnë aktivitetet lidhur me konfirmimin e kapaciteteve për akomodim dhe t’i përgatisin të gjitha aktivitetet për pranim dhe kujdesje të organizuar të personave që arrijnë në vend si rezultat i krizës së refugjatëve për shkak të luftës në Ukrainë.

Ministri i Shëndetësisë Bekim Sali, në intervistë për MIA-n, në raport me krizën ruso-ukrainase, theksoi se deri tani nuk ka valë të migrantëve nga Ukraina në shtetin tonë dhe se ata që janë në numër më të vogël, janë të përkujdesur.  Ai deklaroi se deri më tani nuk kanë as paralajmërim për ardhjen e ndonjë numri të caktuar të migrantëve, mirëpo, siç shprehet ai, si Ministri janë të organizuar dhe të gatshëm për t’i pritur.

“Deri më tani nuk kemi pasur ndonjë nevojë të veçantë për shërbim urgjent shëndetësor, përveç lindjes së një vajze në Spitalin gjinekologjik në Çair. Është i vetmi shërbim që ia kemi ofruar një migranti deri tani. Deri më tani nuk kemi njoftim as për ardhjen, mbërritjen e një numri të caktuar të migrantëve. Mirëpo, megjithatë ne si Ministri jemi të organizuar dhe të gatshëm për t’i pritur. Ne kemi caktuar disa spitale si ‘zona të kuqe’, respektivisht pika ku mund të hyjnë eventualisht migrantët e sapoardhur dhe konsideroj se jemi të përgatitur sa duhet për t’i mirëpritur ata”, tha ai.

Gati tre javë pas pushtimit të Rusisë mbi Ukrainën, numri i ukrainasve të cilët u larguan në vendet e huaja arrin tre milion njerëz, njoftoi UNHCR.

Rreth 2,95 milion njerëz deri tani e kanë braktisur Ukrainën, treguan të dhënat e Agjencisë së KB-së për refugjatë (UNHCR). Ajo i bazon planet e saj për ndihmë të katër milion refugjatëve, por njoftoi se shifra me siguri do të rritet.

Pas sulmit rus të dielën mbi bazën ushtarake Javoriv në afërsi të Lavovit, disa njerëz nga Ukraina perëndimore tani u bashkangjitën në valën e refugjatëve përmes kufirit.

Redaksia
Publikuar nga Redaksia 16 Mars, 2022 09:39

Marketing Politik - Çmimore

Presidenciale | Parlamentare