Oda Ekonomike, kërkohet doganim i përbashkët me vendet fqinje

Desk
By Desk 17 Prill, 2019 20:32

Kompanitë anëtare të Odës Ekonomike kërkojnë prej 1 tetorit doganim të përbashkët të mallrave mes Maqedonisë së Veriut me Shqipërinë dhe Serbinë.

Sipas të dhënave të Odës Ekonomike në vendkalimet kufitare Tabanovcë dhe Qaf Thanë më së shumti mbajtje të transportuesve ka kur duhet të bëhet kontrolli fitosanitar që zgjat rreth tri orë dhe kontrolli veterinar që zgjatë një ditë.

Gjithashtu nga Oda Ekonomike informojnë se kontrollet fitosanitare dhe veterinare në Serbi nuk punojnë për vikend, ndërsa në Maqedoninë e Veriut punon prej orës 7 deri në orën 19, ndërsa në Qaf Thanë nuk ka vazhdimisht person për këtë lloj të kontrollit.

“Kompanitë kërkojnë nënshkrim të marrëveshjeve bilaterale mes institucioneve të Maqedonisë, Serbisë dhe Shqipërisë, për të cilat duhet urgjentisht të fillojnë kontrollet e vendkalimeve të theksuar. Zbatimi i kontrollit të përbashkët nga ana e organeve të të dy shteteve do të mundësojë që në një vend dhe në të njëjtën kohë me më pak resurse të administratorëve shtetërorë, një herë të ndalen mallrat dhe më shpejt të kalojnë në vendkalimet kufitare”,- deklaroi drejtoresha operative e Odës Ekonomike, Aneta Trajkovska.

Nga Oda Ekonomike e theksojnë se duhet të bëhet analiza krahasuese shtesë për kohëzgjatjen e procedurave në pikat kufitare. Sipas monitoringut të Bankës Botërore, transportuesit humbin 80% të kohës së tyre duke pritur në kufi, ndërsa 20% duke lëvizur nëpër rrugë. Pritja e gjatë në kufi e ulë vlerën e mallrave deri në 1%, ndërsa te prodhimet bujqësore edhe deri në 7%. (TVM2)

Desk
By Desk 17 Prill, 2019 20:32