ODIHR-ja e cilësoi si demokratik dhe të qetë rrethin e dytë zgjedhor por theksoi një sërë mangësish të procesit dhe transparencës.
Vendimet e KSHZ-së, thonë nga organizata ndërkombëtare për monitorimin e zgjedhjeve, nuk u publikuan në mënyrë sistematike, fushata përmbante retorikë sulmuese kryesisht ndaj kandidateve gra. Janë evidentuar edhe incidente por kanë qenë të izoluara. Koha më e madhe reklamuese dhe fondet shtetërore i marrin partitë më të mëdha, thotë ODIHR-ja, dhe, sipas tyre, kjo gjë krijon ambient jo të barabartë për garuesit e partive më të vogla dhe kandidatët e pavarur. Disa nga mangësitë në funksionimin efikas të pajisjeve për votim biometrik u përsëritën edhe në rrethin e dytë, edhe pse KSHZ-ja kishte ndërmarrë veprime për përmirësimin e procesit. ODIHR-ja këmbëngul për një Kod tërësisht të ri zgjedhor, më të harmonizuar dhe më të thjeshtë.
“Si në rrethin e parë ne kemi pranuar raporte, disa prej të cilave janë dokumentuar, për presion mbi votuesit, duke përfshirë edhe nëpunësit publik, që të votojnë për kandidatë të caktuar, po ashtu edhe presione mbi kandidatët. Gjithashtu kemi pranuar akuza për blerje të votës. Disa hetime nisën një ditë para ditës së votimit dhe mbeten në pritje. Reagimet politike ndaj këtyre akuzave u heshtën dhe shumë pak veprime u ndërmorën. Garuesit në rrethin e dytë duhej të dorëzonin raporte financiare për donacionet e pranuara një ditë para rrethit të dytë zgjedhor por ata nuk u publikuan. Kjo gjë, bashkë me mungesën e raporteve të rrethit të parë, e redukton transparencën.”- deklaroi Tana De Zulueta, shefe e misionit të ODIHR-së./ Alsat