OEVMP: kriza politike mund të kthejë ekonominë në regres

OEVMP: kriza politike mund të kthejë ekonominë në regres

Vendimi i presidentit, Gjorge Ivanov, për t’i falur mbi 50 politikanë dhe bashkëpunëtorë të tyre ka nxitur reagimin e komunitetit të biznesit në vend.

Oda e Maqedonisë Veriperëndimore konsideron se zhvillimet e fundit politike mund të kthejnë në regres ekonomik vendin, prandaj kanë ftuar Ivanovin që të tërheqë vendimin e tij.
“Ne reagojmë në vendimet e pamatura politike që cenojnë direkt sundimin e ligjit, pa të cilin nuk mund të flasim për funksionimin e shtetit e jo më për mundësinë e të bërit biznes. Ne nuk flasim për efekte imediate të cilat do t’i sjellë kjo katrahurë e stërzgjatur politike, por me afat të mesëm jo që mund, por me siguri se do të mbart me vete edhe stagnim ekonomik në vend. Gjasat janë shumë të mëdha të fillojë edhe ciklusi i regresit ekonomik. I bëjmë thirrje kryetarit të RM-së që të tërheqë vendimin e tij për abolimin pa asnjë vonesë, në të kundërtën gjykojmë që mostërheqja e një vendimi të këtillë do të përbëjë në presedan, i cili do të hedhë të gjitha parimet demokratike të funksionimit të një shteti.”- deklaroi  kryetari i OEVMP-së, Nebi Hoxha.
Për gjendjen e krijuar përfaqësuesit e biznesit ia hedhin fajin gjithë klasës politike, e cila, sipas tyre, është e fokusuar vetëm në interesat e tyre.
Redaksia Flaka
nga Redaksia Flaka Prill 14, 2016 13:34

REKLAMA