Ofensiva diplomatike nuk ndryshon qëndrimin e VMRO- DPMNE

Redaksia
Publikuar nga Redaksia 17 Maj, 2023 17:00

Ofensiva diplomatike nuk ndryshon qëndrimin e VMRO- DPMNE

Ofensiva diplomatike nuk ndryshon qëndrimin e VMRO- DPMNE-së lidhur me mbështetjen e mundshme të ndryshimeve kushtetuese. I dërguari i posaçëm i Gjermanisë për Ballkanin Perëndimor, Manuel Saracin, i ndodhur për vizitë në vend, u takua me deputetët e opozitës. Antonio Milloshoski i VMRO- DPMNE-së theksoi se deputetët e opozitës nuk e ndryshojnë qëndrimin e tyre. Ata i thanë Saracinit, se sipas disa sondazheve të opinionit, 85% e maqedonasve janë kundër, siç thotë ai, kërkesës së imponuar për të ndryshuar Kushtetutën. I pyetur për argumentet e përfaqësuesit gjerman që i kërkoi VMRO-së të votojë ndryshimet kushtetuese, por edhe mesazhin e Përfaqësuesit të Lartë të SHBA-së, Gabriel Eskobar, i cili tha se opozita duhet të mbështesë rrugën evropiane të vendit, jo të mbështesë kryeministrin, Milloshoski u përgjigj:

“Tridhjetë vjet Maqedonia ka bërë lëshime, tridhjetë vjet kemi emisarë nga shumë vende evropiane të cilët gjithmonë pretendojnë se kjo është kërkesë e fundit që duhet të përmbushet, dhe nesër ju të bëheni anëtar i BE-së, ose të filloni negociatat… Shumë lëshime të tilla janë bërë, por premtimet e bëra nuk janë përmbushur”, deklaroi Antonio Milloshoski – Deputet i VMRO-DPMNE-së.

Sipas Milloshoskit, është shumë më e lehtë për personat nga trupi diplomatik të ofrojnë zgjidhje sesa qytetarët t ‘i pranojnë ato. Saracin do të largohet nga vendi pa deklaratë për mediat, por sipas informacionit nga shumica, ai u tha deputetëve të VMRO- DPMNEsë të votojnë ndryshimet kushtetuese deri në shtator të këtij viti. Saracin zhvilloi takime me shumicën e deputetëve, dhe me kreun shtetëror.

Përveç presidentit Stevo Pendarovski, në mungesë të kryeministrit Dimitar Kovaçevski, Saracin u takua edhe me zëvendëskryeministrin e parë Artan Grubi, ndërsa në takim u theksua se ndryshimet kushtetuese janë hap i domosdoshëm drejt së ardhmes evropiane.

Ndërkohë, mbetet e paqartë se përse puna e grupit të ekspertëve për të hartuar amendamentet kushtetuese po zvarritet. Ata nuk janë takuar që nga e enjtja e javës së kaluar dhe një takim i ri është planifikuar për të premten kur pritet të miratojnë një rregullore të procedurës. Sipas asaj që do pushteti, ndryshimet kushtetuese duhet të përfundojnë deri në nëntor të këtij viti, kur të përfundojë faza e skriningut dhe pastaj të fillojë hapja automatike e kapitujve negociues. Opozita përsëriti se kjo përbërje parlamentare nuk ka legjitimitet për ndryshime kushtetuese dhe se sipas saj kjo nuk do të ndodhë. 

Redaksia
Publikuar nga Redaksia 17 Maj, 2023 17:00

Marketing Politik - Çmimore

Presidenciale | Parlamentare